Kritikohet qëndrimi i zyrtarëve të lartë të BE-së

Politika

Kritikohet qëndrimi i zyrtarëve të lartë të BE-së

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 26 shtator 2021 Në ora: 07:12
Borrell, Kurti dhe Lajçak

Marrëveshja e reciprocitetit e zbatuar nga ana e Kosovës po shihet si shkaktim i tensioneve.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kanë marr vendim që nga 20 shtatori që të aplikohet e reciprociteti për targat e automjeteve nga Serbia.

Ky vendim i Qeverisë nuk kaloi aq lehtë, pasi tashmë ka disa ditë që serbët e veriut po mbajnë të bllokuara rrugët për në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.

Për situatën e krijuar në veri të Kosovës, ka reaguar përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politika të Jashtme, Josep Borrell, i cili në një deklaratë të lëshuar për media ka kërkuar që çdo provokim apo veprim i njëanshëm duhet të shmanget.

“Duhet menjëherë deeskalimi në veri të Kosovës. Çdo provokim apo veprim i njëanshëm duhet të shmanget, pasi shkon direkt kundër interesave të qytetarëve në rajon. Ne i bëjmë thirrje lidershipit në Beograd dhe Prishtinë të marrin qasje të përgjegjshme dhe të punojnë nëpërmjet dialogut të ndihmuar nga BE-ja për të evituar eskalime tjera, të rikthejnë një atmosferë paqeje dhe të punojnë në zgjidhje të zbatueshme. Është në interes të gjithëve të shkojnë para për të mundësuar lirinë e lëvizjes, e cila përmirëson jetët e njerëzve. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja është platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur gjitha çështjet e hapura, dhe ne i nxisim fuqishëm dyjave palëve që të përdorin plotësisht atë. Ne sërish theksojmë se gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e Dialogut të ndihmuar nga BE-ja që nga fillimi i tij i tij në vitin 2011, mbeten të vlefshme dhe detyruese për të dyja palët. Marrëveshjet e kaluara formojnë një element të rëndësishëm për normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja dhe shtetet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës dhe që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e Borrellit.

Përveç, Borrellit ka reaguar edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka kërkuar që të zvogëlohen tensionet.

“I informova shtetet e BE -së mbi situatën në veri të Kosovës. Jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për një shkallëzim të menjëhershëm. Është e rëndësishme të zvogëloni tensionet, të rivendosni një atmosferë paqësore dhe të lejoni lirinë e lëvizjes. Ne jemi të gatshëm për të lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, tha Lajçak.

Mehazi kritikon Borrellin dhe Lajçak-un

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar qëndrimet e zyrtarëve të lartë të BE-së.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi përmes kësaj deklarate për gazetën “Bota sot”, ka parashtruar disa pyetje për Borrellin e Lajçakun. 

“Nëse BE-ja së bashku me Borrellin e Lajçakun mendojnë se reciprociteti i tagrave serbe ka krijuar tensione atëherë i pyesim zotërinjtë e BE-së, se, pse veprimet e Serbisë ndaj tagrave të Kosovës me dekada nuk kanë qenë tensionuese, po të mira për BE-në e Serbinë, kurse tani kur kryeministri i Kosovës bëri të njëjtat veprime reciproke ndaj tagrave serbe qenkan tensionuese e të rrezikshme? Si mund të jetë ky reciprocitet i Kosovës tensionues pasi atë çfarë e bën Serbia me tagrat e Kosovës, hiq me pak e hiq më shume e bën edhe qeveria e Kosovës jo krye më vete sikurse Serbia, po pikë sipas marrëveshje së Brukselit. Pyesim Borrellin dhe Lajçakun se cilët janë ata që bëjnë tensione, a qeveria e Kosovës apo Vuçiqi së bashku me serbët e pakrasitur të Mitrovicës të cilët nuk janë vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër evropianëve të Brukselit”, është shprehur profesori.

Më tej, Mehazi shprehet se nëse reciprociteti ndaj tagrave serbe është marrëveshje në këtë rast Borrelli duhet ta përkrahë atë.

“Nëse reciprociteti ndaj tagrave serbe është marrëveshje atëherë zotëri Borrelli i sigurisë dhe paqes evropiane cilën duhet përkrahur, a qeverinë e Kosovës që aspak nuk ka kundërshtuar Borrellin e BE apo serbët e Kosovës që bëjnë skena tensionuese kufitare duke dalë edhe kundër BE-së, pse Borrelli e Lajçaku nuk tregojnë hapur se tensionet brenda Kosovës vijnë nga Serbia e jo nga Kosova, apo mos frikohen prej qeverive të tyre spanjolle e sllovake që janë me Serbinë?”, ka thënë ai.

Krasniqi tregon cili është gabimi i Kosovës

Ndërkaq, njohësi tjetër i çështjeve politike, Islam Krasniqi, ka treguar se cili është gabimi i Kosovës karshi ndërkombëtarëve.

Image
Islam Krasniqi

Më tej, ai ka theksuar se BE-ja apo përfaqësuesit e saj kanë anuar nga pala serbe që nga fillimi i dialogut.

“Gabimi ynë është në hapin e parë sepse jemi bërë gjithmonë servil ndaj të huajve, duke ju shtrirë qafën edhe pse e kemi ditur së respekti ndaj nesh mungon. BE-ja apo përfaqësuesit e saj që nga fillimi i dialogut teknik kanë anuar nga pala serbe duke e shpërblyer në rrugëtimin e saj drejt BE-së, po ashtu duke na kërcënuar në forcimin e shtetit ligjor, e cila me presionin e saj nuk e lejonte parimin e reciprocitetit të zbatohet në praktikë”, ka shpjeguar Krasniqi.

Gjithashtu, Krasniqi ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, përkatësisht të Borrell-it e të Lajçak-ut.

“Reagimi i BE-së përmes z. Josep Borrell, Mirsollav Lajçak, tregon edhe një herë atë egon e tyre e cila shfaq hapur fytyrën e tyre të vërtetë dhe tregon së akoma ndjekin rrugën e Federica Mogherinit e cila anonte nga pala serbe duke shkelur mbi parimin e barazisë dhe paanësisë, ndoshta shumë herë edhe mbi atë të diskriminimit duke na konsideruar qytetarë të dorës së dytë. BE-ja duhet të ushtrojë presionin mbi shtetin serb duke e edukuar dhe shuar ëndrrën për republikën e Kosovës dhe obliguar që të zbatojë marrëveshjen që e ka nënshkruar vetë, po ashtu duke ja bërë të qartë së reciprociteti është jetik për një vend!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat