A duhet të plotësohen kërkesat e Vuçiqt për rifillimin e dialogut, flasin njohësit e çështjeve ndërkombëtare

Politika

A duhet të plotësohen kërkesat e Vuçiqt për rifillimin e dialogut, flasin njohësit e çështjeve ndërkombëtare

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 shtator 2021 Në ora: 10:34
Foto nga takimi në Bruksel

Vendosja e reciprocitetit të targave ndaj Serbisë, ka nxitur reagime të shumta dhe tensione në veri të vendit.

Madje, tani nga Serbia po deklarojnë se nuk mund të rifillohet dialogu në Bruksel pa tërheqjen e këtij vendimi të Qeverisë Kurti.

Krahas kësaj, Beogradi po kërkon që të plotësohen katër kërkesa për të vazhduar dialogu.

Në raportime thuhet se nuk bëhet fjalë për ndonjë ‘kërkesë të re’, por për kërkesat që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara, që sipas tyre Prishtina po i pengon apo refuzon t’i përmbushë prej vitesh.

Pas aksionit të njësive speciale të RUSO, në veri të Kosovës për të zbatuar vendimin për ndalimin e targave serbe në Kosovë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha qartë se ai nuk e shihte kuptimin e vazhdimit të bisedimeve në këtë moment.

Vuçiq nënvizoi katër pikat kryesore për vazhdimin e dialogut, të cilat janë: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tërheqja e trupave të armatosura nga veriu, anulimi i vendimit kundër Ivan Todosijeviç dhe licencimi i dy kompanive serbe për energji elektrike.

Mirëpo, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkuan nga Kosova që t’i mos pranojë këto kërkesa të presidentit serb.

Ata në prononcimet e tyre për “Botën sot” këto kërkesa i vlerësuan si të palogjikshme dhe të pazbatueshme.

Kuçi: Vuçiqi ka vënë kushte të cilat e di edhe ai vet që janë të pazbatueshme dhe të palogjikshme

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Për krejt këto zhvillime, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Ai u shpreh se problemi i presidentit serb nuk qëndron në detyrimin e ndryshimit të targave serbe, por në dy çështje të tjera: në projektin e “Ballkanit të Hapur” dhe në ndalimin e lojërave politike të saj.

“Aleksandër Vuçiq nuk e ka gjithaq problemin se përse po detyrohen njerëzit me vetura me targa të Serbisë që të i ndryshojnë targat, ai ka dy probleme tjera:

E para, me veprimin e Qeverisë Kurti mbi çështjen e reciprocitetit po i hidhet krejtësisht poshtë iniciativa “Open Balkan” një iniciativë imperialiste e Serbisë me tendenca zhdukjen e shtetit të Kosovës.

E dyta, është se me këtë veprim të Qeverisë Kurti për reciprocitet, Kosova për herë të parë po ngulmon në zbatimin e marrëveshjeve dhe Serbia nuk mund të vazhdojë më të bëjë lojëra. Serbia madje e merr si një lëndim të madh pasi ish kolonia e saj sot i vë reciprocitet dhe nuk ka se çfarë t’i bëjë dhe me këtë rast komplet loja diplomatike po merr përmasa të reja jo gjithaq të favorshme për Serbinë”, deklaroi Kuçi.

Në vazhdim, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare tha se edhe vetë Vuçiqi e di se këto kërkesa janë të palogjikshme dhe se nuk mund të zbatohen. Ai përmendi edhe deklaratën e Rusisë, ku mbështeti Serbinë dhe i dha përkrahje asaj.

“Andaj edhe Vuçiqi tani vë kushte të cilat e di edhe ai vetë që janë të pazbatueshme dhe të palogjikshme, çështja me asociacionin është një kërkesë bosnjëzimi edhe në deklaratën e Rusisë kur i dha përkrahje Serbisë dje, tërheqja e trupave të armatosura është po aq e palogjikshme sepse veprime të tilla ndërmerren bazuar në situatën në terren, vendimet e gjykatave nuk mund t'i anulojë qeveria dhe kompanitë licencohen vetëm sipas nevojave ekonomike në Kosovë", theksoi ai.

Në fund, Kuçi kërkoi nga Qeveria e Kosovës të mos i pranojë kërkesat e Serbisë, pasi këto vetëm e vështirësojnë rifillimin e tij dhe nuk e vulosin ‘vdekjen’ e tij.

“Vuçiqi nuk ka aprovuar po ashtu edhe kërkesat e Kosovës, e para dhe kryesorja që ishte nënshkrimi i një marrëveshje për paqe dhe mossulmim, pra Serbia dëshiron ta mbaj vazhdimisht të kërcënuar Kosovën. Sidoqoftë, kushtet e Serbisë nuk duhet të pranohen por kriza të tilla nuk janë pika që dërgojnë dialogun drejt vdekjes së përhershme por i japin një shok për rifillim. Kjo ishte e nevojshme edhe për BE-në”, përfundoi Gurakuç Kuçi.

Voca: Kosova nuk duhet të pranojë asnjë kusht të presidentit serb!

Image
Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca

Edhe profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca, kërkoi të mos aprovohen kushtet e Serbisë për rifillim të dialogut.

Ai gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, u shpreh se çfarëdo që t’i kërkohet Kosovës që të bëjë në favor të Serbisë vetëm me qëllim që të vazhdojë një dialog, nuk jep shpresë se do të shpinte në një zgjidhje finale.

“Jo, Kosova nuk mund dhe duhet të pranojë asnjë kusht të presidentit serb për pjesëmarrje në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Kosova ka pranuar kushtin më të madh që të ketë ndodhur ndonjëherë sepse pa u njohur nga Serbia është e padrejtë, jo e barabartë dhe e pakuptimtë të bisedohet për çështje politike me shtetin serb me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve. Dhe çfarëdo që t’i kërkohet Kosovës që të bëjë në favor të Serbisë vetëm me qëllim që të vazhdojë një dialog i tillë, pa u njohur nga Serbia, nuk jep shpresë se do të shpinte në një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, një gjë e tillë është provuar tashmë shumë herë dhe kjo vetëm sa ka ndikuar në rritjen e kërkesave, kushteve dhe agresivitetit serb. Tani e vetmja zgjidhje mbetet që BE dhe ShBA, ta bindin Serbinë që ta njoh Kosovën në mënyrë që më pastaj të dialogohet për të ngritur marrëdhënie të shëndosha fqinjësore”, deklaroi Voca.

Madje, profesori tha se është paradoksale të vazhdohet dialogu kur Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, Voca paralajmëroi se çdo tendencë për anashkalim, pritje e vonesë ndaj parimit të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, do të krijojë hapësirë për një agresivitet të ri serb.

“Mendoj se është paradoksale dhe përfundimisht jo frytdhënëse që të vazhdojë ky dialog për përmirësim marrëdhëniesh fqinjësore kur njëri shtet nuk e pranon ekzistencën e shtetit tjetër. Kjo nënkupton se Kosova dhe Serbia mund të ndërlidhin marrëdhënie fqinjësore vetëm kur njohin dhe pranojnë njëra tjetrën si dy shtete fqinj. Ndërsa, çdo tendencë për anashkalim, pritje e vonesë ndaj parimit të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, do të krijoj hapësirë për një agresivitet të ri serb. Sidomos kur në Serbi, kemi në pushtet trashëgimtarë të regjimit të Millosheviçit dhe politikës së tij hegjemonike, agresive dhe luftënxitëse, të cilët natyrisht se nuk dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënie fqinjësore me Kosovën si një shtet i pavarur”, theksoi ai.

Në vazhdim, ligjëruesi nga Parisi kërkoi nga Kosova t’ia bëjë të qartë Vuçiqit se kushti i parë këtu duhet të jetë njohja reciproke, për te vazhduar pastaj me dialogun.

“Vuçiq vë kushte të reja, mirëpo atij duhet bërë e qartë se mund të diskutohet për çfarëdo tjetër por vetëm si dy shtete fqinje, prandaj kushti i parë këtu më duket të jetë njohja reciproke për te vazhduar, pastaj me dialogun dhe me tema më të vogla siç është çështja e organizimit të minoritetit serb në Kosovë apo atij shqiptar në Serbi”, vlerësoi Voca.

Tutje, ai u shpreh se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë mature politike, që situata të vazhdojë të jetë e qetë dhe të zbatohet në mënyrë të duhur ligji.

“Në situatën aktuale, Kosova duhet treguar maturitet politik në mënyrë që ajo të mbetet e qetë dhe të vazhdohet me zbatim të ligjit. Patjetër që duhet kujdesur në mënyrë të qetë dhe paqësore ndaj pakicës serbe në Kosovë, duke i siguruar paqe dhe stabilitet dhe të drejta të plota qytetare, sepse qëllimi ultim i Kosovës ka qenë dhe mbetet konsolidimi i paqes rajonale gjë që tashmë është dëshmuar, po ashtu dhe këtë herë duke zbatuar ligjin krahas respektimit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, potencoi profesori.

Në fund, Voca tha se ndërprerja e dialogut varet nga qasja ndaj Serbisë e partnerëve tanë ndërkombëtarë siç është BE dhe Amerika.

“Vazhdimi apo stagnimi i dialogut varet nga qasja ndaj Serbisë e partnerëve tanë ndërkombëtarë siç është BE dhe ShBA, me të cilët duhet komunikuar dhe shtruar thellë lidhur me hapat e mëtutjeshëm që do të shpinin më shpejt në një zgjidhje finale që siguron paqe afatgjate, dhe që inkurajon integrim sa më të shpejt të kësaj pjese të mbetur të Ballkanit në aleanca e organizata euroatlantike”, përmbylli Mirsad Voca për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat