Paralajmërimi i frikshëm për Kosovën: Vuçiq po synon në çdo mënyrë këtë gjë në Veri

Politika

Paralajmërimi i frikshëm për Kosovën: Vuçiq po synon në çdo mënyrë këtë gjë në Veri

Nga: P.R Më: 27 shtator 2021 Në ora: 21:57
Aleksandër Vuçiq

Kur tashmë janë bërë tetë ditë që nga vendosja e forcave speciale të policisë në vendkalimet e Jarinjes dhe Bërnjakut, si dhe vendimi i Kosovës për zëvendësimin e targave dhe vendosja e bllokadave nga ana e serbëve lokalë, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për ulje të tensioneve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vendimi për reciprocitet nuk është kundër serbëve të Kosovës, por vetëm çështje ligjore.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë. Për neve është çështje e sundimit të ligjit, është çështje e zbatimit të vendimit qeveritar është çështje e paqes, sigurisë dhe stabilitetit që nuk e diskriminon asnjë njeri. Nuk është kundër serbëve të Kosovës, nuk ka serb të Kosovës që i janë ankuar qeverisë për Njësinë Speciale. Ata që kanë bllokuar rrugët kanë bllokuar vetën dhe qytetarët serb”, tha Kurti.

Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar me luftë Kosovën.

“I kam thënë Stoltenbergut, që nuk do të futemi në Kosovë nëse rrezikohet populli serb, para se të presim 24 orë për intervenim të NATO-s. Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, jo sepse ne nuk e konsiderojmë si territor tonë, por sepse sipas Marrëveshjes së Kumanovës, ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë”, deklaroi Vuçiq.

Image
Faton Mehmeti

E lidhur me këtë, analisti politik, Faton Mehmeti thotë se Vuçiq po synon në çdo mënyrë që ta tensionojë situatën në veri të Kosovës.

"Vuçiqi me të gjitha mënyrat po mundohet që të tensionohet situata, të dal nga kontrolli dhe pastaj krejt fajin t’ia lë Kosovës. Me këtë veprim Vuçiqi mendon të përfitojë edhe nga mbështetja në rënie në Serbi, dhe njëkohësisht të shënojë fitore ndaj Kosovës", thotë Mehmeti.

Sipas tij, Vuçiq po synon shpërthimin e konfliktit në Veri të Kosovës.

"Qëllimi i tij është provoko dhe tërhiqu, me çka synon që të shpërthej gjendja atje. Natyrisht pala shqiptare e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme, por nëse vjen situate deri aty sa Serbia cenon sovranitetin e vendit edhe të intervenohet, pavarësisht si do të shkojnë gjërat tutje", shprehet Mehmeti për "Bota sot".

"Derisa nuk cenohet sovraniteti i vendit duhet shmangur çdo provokim, në të kundërtën nuk duhet heshtur. Serbia dhe Vuçiqi kanë qëllim kryesor ndarjen e Mitrovicës edhe de jure, gjë e cila nuk ka për të ndodhur", përfundon analisti politik, Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat