‘Dora’ ruse shkaktare e tensioneve Kosovë-Serbi, krijoi bazë të maskuar ushtarake në këtë shtet  

Politika

‘Dora’ ruse shkaktare e tensioneve Kosovë-Serbi, krijoi bazë të maskuar ushtarake në këtë shtet  

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 tetor 2021 Në ora: 08:30
Njësia Speciale, 20 shtator 2021, Jarinje

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi tash e disa ditë janë të tensionuar, kjo për shkak të vendosjes së reciprocitetit të targave.

Situata e krijuar në veri të Kosovës, më saktësisht në kufijtë me Serbinë, ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve.

Mirëpo, ajo që bie më shumë në sy është mbështetja dhe përkrahja që Rusia po ia ofron shtetit serb.

Madje, ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, disa ditë më parë ka vizituar nga afër bazën ushtarake të Serbisë në Rashkë, me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç dhe shefin e Shtatit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç.

Kjo vizitë e tij erdhi pas kërcënime të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për luftë dhe mobilizimit të ushtrisë së Serbisë.

Ekspertë të sigurisë dhe njohës të ndryshëm të çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin si kërcënuese përfshirjen e Rusisë në politikat e shteteve rajonale, më saktësisht të Serbisë.

Ata thonë se shteti rus ka krijuar një bazë të maskuar ushtarake në Jug të Serbisë, për të luftuar interesat perëndimore dhe amerikane në Ballkan.

Pula: Prania ruse në Serbi, paraqitet ndikimi i saj në zhvillimet rajonale 

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar ndërhyrjen e Rusisë në konfliktin Kosovë-Serbi.

Image
Shqiprim Pula

Ai tha se politika e jashtme ruse asnjëherë nuk ka qenë përkrahëse e Kosovës për vlerat evropiane. Këtë Pula e tha duke u mbështetur në argumentet të cilat Rusia i kishte deponuar kundër Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2008.

“Politika e jashtme e Federatës Ruse, historikisht nuk ka qenë dashamirëse e aspiratës së Kosovës për vlerat evropiane perëndimore, kjo e dëshmuar edhe gjatë procesit të gjykimit mbi shpalljen e pavarësisë. Përkundër se GjND-ja, në korrik 2010, kishte vlerësuar se mëvetësia e shpallur me 17 Shkurt, 2008 nga institucionet e Kosovës, ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Moska zyrtare, kishte deponuar argumente të shumta kundër Kosovës. Por, Rusia për të krijuar alibi, gjatë Gushtit të vitit 2008 bëri agresion në Gjeorgji dhe më 2014 aneksoi Krimenë në Ukrainë, duke arsyetuar ndërhyrjen si ‘’nevojë’’ për popullatën Ruse në këto vende”, deklaroi ai.

Po ashtu, njohësi i çështjeve ndërkombëtare përmendi edhe mbështetjen që Rusia ia dha Serbisë në dialogun me Kosovën, ku deklaroi se ajo mbështet çdo marrëveshje të pranuar nga Beogradi.

Madje, ai tha se ende ekziston kjo qasje e Moskës ndaj shtetit serb, ku shpeshherë qëndrimet ruse janë konsideruar si kërcënuese për sigurinë në rajon.

“Por kur më 2010-tën, në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u miratua një rezolutë për fillimin e dialogut në mes Kosovës e Serbisë, Moska zyrtare, deklaronte se çfarëdo marrëveshje që mund të jetë e pranuar nga Beogradi do të jetë e pranuar edhe për Moskën. Kjo lloj qasje akoma edhe sot zbatohet sa herë që Serbia shpreh papranueshmëri për ndonjë temë të caktuar, Rusia menjëherë i del në mbështetje. Ky qëndrim i tillë, i shprehur jo rrallë nga Rusia, është konsideruar edhe si kërcënues potencial i sigurisë rajonale”, theksoi Pula.

Në vazhdim, ai vlerësoi se prania ruse në Ballkanin Perëndimor e veçanërisht në Serbi, po ndikon  në zhvillimet rajonale.

Gjithashtu, Pula përmendi edhe faktin se rusët kanë krijuar një bazë të maskuar ushtarake në Jug të Serbisë, për të luftuar interesat perëndimore dhe amerikane në Ballkan.

“Republika e Kosovës vazhdon të jetë e ekspozuar nga politika dhe diplomacia destruktive serbe, përkundër dialogimit prej një dekade tashmë e një mori marrëveshjesh të arritura, por, prania ruse në Ballkanin perëndimor e veçanërisht në Serbi, e arsyetuar përmes ‘Qendra Humanitare Ruso-Serbe’ në Nish të Serbisë, heshturazi, paraqitet ndikimi i saj në zhvillimet rajonale. Madje, mjaftë analistë politikë e ushtarakë perëndimor, kanë vlerësuar se rusët kanë krijuar një bazë të maskuar ushtarake në Jug të Serbisë, për të luftuar interesat perëndimore dhe amerikane në Ballkan”, nënvizoi Pula.

Në fund, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare  deklaroi se Rusia po qëndron pas çdo situate tensionuese në Kosovë dhe në vendet e rajonit, krejt kjo si rezultat i angazhimit të dobët të Unionit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Çdo situatë tensionuese në vendet e rajonit, Rusia del të jetë prezent, duke lënë të kuptuar se paqja në Ballkan, duhet të korrespondoj me interesat gjeopolitike e ekonomike të Rusisë, në të kundërtën situata merr konotacion konflikti, dhe rrezikim paqeje. Paraqitje ma eklatante ishte dalja në terren e ambasadorit Rus në Serbi, ku vizitoi  nga afër vendkalimin kufitar në mes të Kosovës e Serbisë, në Jarinje. Angazhimi anemik i Unionit Evropian (UE-së) në rajonin tonë, i krijon mundësinë pranisë ruse dhe ndikimit të saj!”, përfundoi Shqiprim Pula.

Krasniqi: Kosova duhet të qëndrojë prapa kërkesave të saj, pa pas frikë nga qëndrimet e Serbisë dhe Rusisë 

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi tha se qëndrimet e Rusisë karshi Kosovës, nuk kanë ndryshuar asnjëherë.

Image
Islam Krasniqi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se prania e ambasadorit rus në Serbi dhe përfshirja e tij në konfliktin me Kosovën është një papjekuri politike, pasi që edhe vetë ai e di se nuk mund të ndryshojë asgjë.

“Ne i dimë shumë mirë qëndrimet e Rusisë, ato asnjëherë s’kanë ndryshuar, pavarësisht se janë deklaruar se ne do të pranojmë çdo marrëveshje që del nga dialogu në mes të dy vendeve dhe veprimi i ambasadorit rus është një papjekuri politike pasi që edhe vetë ai e di se nuk mund të ndryshoj asgjë po edhe sikur të donte”, deklaroi Krasniqi.

Ndër të tjera, ai tha se Kosova duhet të qëndrojë prapa kërkesave të saj, pa i interesuar qëndrimit e Rusisë dhe Serbisë, pasi sigurinë në vendin tonë e garanton KFOR-i.

“Sigurinë në vendin tonë e garanton KFOR-i dhe që shteti serb akoma nuk i ka rikuperuar dëmet që i ka marrë si pasojë e regjimit të vetë, kur NATO u detyrua të shkatërroj për të ndalur gjenocidin mbi popullin shqiptar. Andaj ne duhet të qëndrojmë prapa kërkesave tona pa pasur frikë sepse jemi shteti i pavarur dhe vendimet duhet t’i marrim vetë, pa na interesuar qëndrimet e Serbisë apo të Rusisë”, përmbylli Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat