Flet gjenerali Qehaja, tregon si do të ndodhë zhbllokimi i veriut: Policia të jetë gati nëse ...

Politika

Flet gjenerali Qehaja, tregon si do të ndodhë zhbllokimi i veriut: Policia të jetë gati nëse ...

Nga: A.Zh Më: 1 tetor 2021 Në ora: 22:30
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Njohësi i çështjeve të sigurisë kombëtare, gjenerali Ramadan Qehaja, e ka quajtur “kompromis të pranueshëm” për rrethanat aktuale, marrëveshjen e nënshkruar dje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, eksperti i sigurisë ka thënë se Qeveria e Kosovës arriti që të jetësojë objektivin për një vendim që e bën Kosovën të barabartë në raport me Serbinë.

“Konsideroj që një marrëveshje e tillë përbën një kompromis të pranueshëm për rrethanat aktuale dhe në momentin e një situate tejet të tensionuar. Mendoj se Qeveria ka arritur ta jetësojë objektivin që kishte në funksion të ushtrimit të kontrollit në tërë territorin e Kosovës dhe zbatimit të një vendimi që na bënte thjeshtë të barabartë në raport me shtetin serb”, është shprehur Qehaja.

Megjithatë, gjenerali ka theksuar se sfidat e planifikimit më të mirë, bënë që njësia speciale e Kosovës të mos ngadalësonte vendosjen e barrikadave në veri.

“Sigurisht se kishte disa sfida në dislokimin më të mirë të policisë sonë speciale e që kanë të bëjnë me planifikimin më të mirë. Kjo do ta vështirësonte dhe ngadalësonte vendosjen e barrikadave nga grupet kriminale dhe të serbëve lokalë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të përmbahet nga provokimet serbe dhe të ruajë vigjilencën nesër gjatë tërheqjen nga veriu. Qehaja ka treguar se si duhet të bëhet tërheqja e Policisë së Kosovës dhe zëvendësimi me pjesëtarët e KFOR-it.

“Konsideroj që Policia duhet ta ruajë vigjilencën deri në fund si ajo e rëndomtë ashtu edhe ajo për veprime speciale, dhe krahas saj, të përmbahet nga provokimet. Tërheqja duhet të bëhet me faza brenda asaj dite dhe me zëvendësimin strukturor të pjesëtarëve të KFOR-it për mos të lejuar vakum të sigurisë në ndërkohë”, ka thënë më tej Ramadan Qehaja.

Eksperti ka kërkuar poshtu që policia në Mitrovicë të jetë gati për të vepruar, në rast nevoje.

“Është po ashtu me rëndësi që njësitet policore nga Mitrovica veriore të jenë në gjendje gatishmërie për të vepruar në rast të vështirësive eventuale gjate kësaj tërheqjeje”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dje marrëveshje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Tri pikat të cilat do të vihen në zbatim që nga nesër janë:

1. Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

2. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

3. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat