Marrëveshja në Bruksel, fitore për Kosovën

Politika

Marrëveshja në Bruksel, fitore për Kosovën

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 3 tetor 2021 Në ora: 08:57
Miroslav Lajçak, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç

Më 30 shtator Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, pas tensionimit të situatës në veri.

Arritje e marrëveshjes e konfirmoi i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Pikat në të cilat janë pajtuar delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, janë largimi i njësisë speciale dhe i barrikadave në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, zbatimi i stikersave  në veturat që janë të regjistruara në Kosovë e Serbi, si dh e treta, formimi i një ekipi nga BE-ja, Kosova e Serbia për gjetjen e një zgjidhje të përhershme.

Këto janë përfitimet e Kosovës

Profesori Refik Hasani, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se  kjo është një fillim i një procesi për reciprocitetin edhe në fusha tjera.

Image
Refik Hasani

“Në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për reciprocitetin lidhur me targat, e që kjo marrëveshje po arrihet pas 22 viteve për të filluar së zbatuari në praktikë. Të gjithë shtetasit e Kosovës që kanë hyrë në Serbi janë detyruar të heqin targat që është heqja dorë për aq sa ka zgjatur lëvizja-qarkullimin nëpër Serbi, por kjo nuk ishte zbatohej edhe  për shtetasit e Serbisë që kanë hyrë në Kosovë. Kjo është një fillim i një proces për  reciprocitetin edhe në fusha tjera”, ka cekur ai.

Sipas tij, përfitimet e Kosovës pas kësaj marrëveshje, janë evidente pasi që kanë treguar përkushtimin për zbatimin e  reciprocitetit lidhur me targat.

“Marrëveshja për reciprocitetin lidhur me targa, është një e arritur pasi ka afate dhe mbikëqyrje. Sikur dokumente, njohja e diplomave edhe targat janë elemente të shtetësisë së Kosovës. Me këto targa gjatë kësaj periudhe që nga data 20.09.2021, derisa hyn në fuqi marrëveshja 04.10.2021, ishte ngarkesë për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës  dhe qytetarëve të  Sanxhakut, kërkoj dhe pres të gjendet mundësia që këto mjete t’ju kompensohen pasi janë prekur nga kjo masë. Përfitimet e Kosovës pas kësaj marrëveshje, janë evidente dhe është treguar përkushtimi për zbatim të  reciprocitetit lidhur me targat, që nënkupton edhe në fusha të tjera do të ketë reciprocitet në mesë të Serbisë dhe Kosovës”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Hasani ka thënë se Kosova në marrëveshjen për reciprocitetin lidhur me targa, ka zbatuar kushtetutën  e saj.

“Serbia, nuk do të lejohet të mos zbatojë marrëveshje vetëm të merr e thithë investime nga BE-ja për gjoja marrëveshje me Kosovën e asnjë prej tyre nuk i zbaton.  Instanca dhe mekanizma të BE-ës dhe SHBA, gjithnjë do të binden që Serbia, asnjë marrëveshje nuk zbaton nëse nuk i vihen kushte e kushtëzime duke caktuar e mbikëqyrë  afatet e zbatimit. Kosova në marrëveshjen për reciprocitetin lidhur me targa, ka mbrojtur  shtetësinë e vetë, ka mbrojtur emblemën dhe logon dhe  ka zbatuar kushtetutën  e saj”, ka deklaruar Hasani për “Bota sot”.

Çka e bën që Kosova të përftoj dhe të jetë në avantazh?

Ndërsa, opinionisti Ruzhdi Peçani, në një  prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar ardhjen deri te marrëveshja e arritur në Bruksel nga Kosova dhe Serbia.

Image
Ruzhdi Peçani

Po ashtu, ai ka treguar se për gjendjen e krijuar në veri të vendit u angazhuan Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nga njoftimi se Kosova dhe Serbia kanë arritur në marrëveshje për zgjidhjen e krizës me targa të automjeteve, në dukje mund të thuhet se u arrit një marrëveshje në parim, dhe  se kjo është një zbatim i përkohshëm për lëvizjen e lirë deri sa të arrihet në një zgjidhje të përhershme. Vendosja e reciprocitetit për targat dhe refuzimi i Kosovës për të lejuar që automjetet me targa serbe të kalojnë kufirin, që nga 20 shtatori dhe lëshimi i targave të përkohshme të Kosovës automjeteve që hyjnë në vend nga Serbia, shkaktoi tensione midis dy vendeve. Nga gjendja e krijuar BE dhe SHBA u vënë në lëvizje që gjendja në veri të Kosovës të de–përshkallëzohet.  Me bisedimet në Bruksel u arrit dakordanca ashtu që  njësitë e forcave të armatosura të Serbisë, të cilat ishin dislokuar në afërsi të kufirit të Kosovës, u kthyen në kazermë në qytetin Rashkë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo marrëveshje mund të vlerësohet  si e mirë për Kosovën, si dhe e ka cekur edhe deklaratën e kryeministrit Kurti.

“Po ashtu u dakorduan që të hiqen barrikadat në vendkalimet kufitare dhe në vend të policisë së Kosovës në kufi të jenë ushtarët e forcave paqeruajtëse të NATO-s. Duke mos përmendur tani pikat tjera të kësaj marrëveshje. Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për targat në Bruksel, siç është prezantuar, mund të vlerësohet  si e mirë për Kosovën. Nga kjo, se marrëveshja e tillë do të vendoste barazi pas dhjetë vitesh pabarazi, si deklaroi kryeministri Kurti:

“Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet” si dhe "Me që targave të Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë". Dhe me këtë nënkuptohet se Kosova mund t’i dërgojë forcat e saj në veri të vendit”, ka cekur Peçani . 

Gjithashtu, Peçani i ka komentuar edhe deklarata dhe akuza e opozitës pas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndaj kryeministrit të vendit.

“Po kishte edhe reagime pakënaqësie nga opozita: “Pjesa më shqetësuese është se kjo marrëveshje barazon zbatimin e ligjit nga Kosova me huliganët që ngrenë barrikada”, ka shkruar Çitaku në Twitter. Ngjashëm edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar duke  kundërshtuar fuqishëm barazimin e paprecedentë, që sipas tyre, i  bëri Qeveria Njësisë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm. Ashtu ishte reagimi edhe i partisë së tretë opozitare, që kërkon nga  Qeveria e Kosovës sqarime për marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë për çështjen e targave. Edhe AAK , sikur dy partitë tjetër opozitare , kanë gjetur pika të cilat konsiderohen si  jo të mira për Kosovën. Skepticizëm apo apo floskula politike se : “…kjo marrëveshje barazon zbatimin e ligjit nga Kosova me huliganët që ngrenë barrikada” dhe tjetra :  për “ …barazimin e paprecedentë, që i  bëri Qeveria Njësisë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm”. Të kujtojmë se po këto sulmonin Kryeministrin për marrjen e vendimit të reciprocitetit pa koordinim me partnerët! Së fundi opozitë është kjo!”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Peçani i ka përmendur edhe deklarata kundërthënëse të presidentit të Serbisë për targat, si dhe atë të zv.ndihmës sekretari amerikan..

“I pakënaqur shprehet edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq,ai përcaktoi disa aspekte negative të asaj që ishte rënë dakord. Duke folur për mangësitë e marrëveshjes, Vuçiq tha se njëra prej tyre është se një zgjidhje ndoshta më e vështirë do të duhet akoma të arrihet në periudhën e ardhshme, si dhe fakti që në praktikë targat e lëshuara nga autoritetet serbe mund të përdoren vetëm ne veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se targat e vjetra të automjeteve serbe me  akronimet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt e Gjilanit, do të vlejnë në edhe veri të Kosovës “Do të vlejnë edhe targat e Serbisë të lëshuara për qytetet Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj e Gjilan dhe se ata që i kanë ato, do të mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbinë qendrore dhe në veri të Kosovës. Askush nuk do t’i pengojë e as nuk do t’ua marrë”. Dy deklarime kundërthënëse brenda ditës nga ai, kjo për konsum të brendshëm.

Ajo që vlente përmendët se zv.ndihmëssekretari amerikan për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për zbatim të reciprocitetit Serbinë.

“Është e drejtë e qeverisë së Kosovës për të aplikuar reciprocitet. Implementimi aktual na zuri shumicën prej nesh në befasi, por kjo do të ndodhte. Dhe jam i lumtur që ishim në gjendje të ulnim tensionet”,

Sipas tij, roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por që të sigurohet mirëfunksionimi i pikave kufitare”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Peçani shprehet se në bisedimet në Bruksel Kosova për herë të parë u trajtua edhe nga BE si palë e barabartë

“Vendosja e reciprocitetit me dërgimin e Njësisë speciale për të mbrojtur sovranitetin që edhe shkaktoi  situatën në veri të vendit. Kosova mori vërejtje por Serbia është vënë nën thjerrëzën e kritikave dhe trusnisë që kishte vënë forcat ushtarake përreth kufirit me Kosovën e në përcjellje të ambasadorit rus Aleksandër Bocan-Harqenko, guvernatori i Putinit për Ballkan, dhe gjeneralit rus Aleksandër  Zinqenko  si atashe të inspektonin trupat serbe. Kosova fitoi pranimin me dërgimin e Njësisë Speciale për të vendosur sovranitetin në veri, nga komuniteti ndërkombëtar. Në bisedimet në Bruksel Kosova për herë të parë u trajtua edhe nga BE si palë e barabartë, mu për atë se kjo e para inicio, të them ishte detonatori i gjenerimit të problemit në veri. Dhe elementi tjetër qëndron në atë se po vihet një koordinim mes KFOR-it dhe  Policisë së Kosovës me zëvendësim të Policisë. Kështu po krijohet një partneritet”, ka shpjeguar ai.

Në fund, Peçani ka treguar se me çfarë çështje tjetër mund të sfidohet  Kosova.

“Qeveria e Kosovës me kryeministrin, mendoj se ngadalë i është kthyer të bërit e një politike të jashtme diplomatike agresive duke u treguar konsistonte dhe mjaftë proaktive. Dhe kjo do e bëjë Kosovën, pas dhjetë vitesh pabarazie dhe inferioriteti, të determinojë rrjedhën që sapo ndodhi në Bruksel, po edhe në vazhdimin e dialogut politik me Serbinë. Pas kësaj në vazhdim, Kosova do sfidohet  me atë se ka nisur të shtohet presioni mbi Kosovën për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.  Dhe tjetër, nga perceptimi  im, pasi që serbët lokal të komunave në veri, nuk janë të kënaqur me këtë marrëveshje të arritur në Bruksel për targat. Kundërveprim i tyre mund të jetë mosdalja në vendvotim për zgjedhjet lokale më 17 tetor, duke bojkotuar zgjedhjet. Kjo e lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë”, ka përfunduar Peçani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat