Kurti e nxori në pah ‘fytyrën e vërtetë’ të Vuçiqit/ Vjen një thirrje për Bashkimin Evropian

Politika

Kurti e nxori në pah ‘fytyrën e vërtetë’ të Vuçiqit/ Vjen një thirrje për Bashkimin Evropian

Nga: A.M Më: 3 tetor 2021 Në ora: 13:00
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Gjatë kësaj jave, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikë kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Përmes kësaj marrëveshje u zhbllokua veri i Kosovës, ku gjatë ditës së djeshme u tërhoqën barrikadat serbe dhe Njësia Speciale e Kosovës.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këtë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht, ai u shpreh se në këtë kohë, ku tërë njerëzimi përpjekjet për të ndërtuar dhe përjetuar frytet e paqes njerëzore, kjo Serbi, në krye me Vuçiqin, nxjerrin dhe reklamojnë avionët dhe tanket e luftës.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“Përballë një realiteti, madje dhe të një vetëmbrojtje ligjore e shtetërore, nuk është mirë të shtiresh se nuk ekziston e vërteta, sikur pretendon Serbia, sepse vetë realiteti është baza elementare e çdo gjëje, që do të hakmerrej kurdoherë, kur të drejtat njerëzore shtypen, apo konfliktet mbetën të ngrira dhe të pa zgjidhura në mes popujve, ato prodhojnë simptoma që paralajmërojnë sëmurje dhe rrezik për çdo bashkësi njerëzore.

Në marrëdhëniet me Serbinë, gjithçka është e programuar për Kosovën, që herë pas here del në shesh para botës, duke e treguar vetë shpirt egërsinë e saj ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, kur edhe sot në këtë kohë, ku tërë njerëzimi përpjekjet për të ndërtuar dhe përjetuar frytet e paqes njerëzore, kjo Serbi, në krye me Vuçiqin, nxjerrin dhe reklamojnë avionët dhe tanket e luftës, duke iu kërcënuar një populli paqësor”, deklaroi ai.

Sipas tij, Qeverisë Kurti vendosjen e reciprocitetit ia ka imponuar Serbia, pasi nuk ka pasur zgjidhje tjera për të dialoguar si dy shtete të barabarta.

Madje, Preqi tha se ky vendim ia nxori në pah mungesën dhe neglizhencën e lidershipit ndërkombëtar, në veçanti BE-së, për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, nuk e kanë projektuar një reciprocitet të tillë me Serbinë, por vetë Serbia, ia ka imponuar Kosovës, që të veprojë në këtë mënyrë, sepse nuk gjenden rrugëdalje të tjera për të dialoguar dhe për t’u trajtuar si dy vende dhe si dy shtete të barabarta.

Reciprocitetin që përdori qeveria e Kosovës, ndaj tagrave të automjeteve me Serbinë, ka nxjerrë në pah edhe mungesën si dhe neglizhencën e lidershipit ndërkombëtar, në veçanti kur BE-ja, dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, e ka përqendruar vetëm në takime dhe forma të marrëveshjeve formale dhe fotografike, ku vërejmë se shteti i Serbisë, ato marrëveshje në praktikë gjysmën e tyre nuk i ka realizuar fare, e cila as që ka pas edhe ndonjë presion nga BE-ja, që ti kryej këto obligime”, nënvizoi ai

Në vazhdim, opinionisti komentoi edhe protestat e serbëve në Jarinje dhe Bërnjak, ku në këtë rast e vlerësoi shumë punën e Njësisë Speciale të Kosovës.

Ai tha se ROSU përveçse tregoi profesionalizëm dhe efikasitet, ishte e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit të vet

“Jarinja dhe Bërnjak janë dy pika kufitare që e lidhin Kosovën me Serbinë, ku serbët lokal dhe të tjerë në këtë pjesë të Kosovës, për 12 ditë të tëra i bllokuan rrugët me automjete dhe zhavorr, duke i bërë të pa kalueshme lëvizjet e njerëzve që qojnë në drejtim të kufirit, të cilët me dirigjimin e Beogradit dhe njerëzve të Vuçiqit, ngritën edhe tenda për të qëndruar ditën dhe natën, nën shoqërimin e këngëve çetnike e luftënxitëse dhe nën ndikimin e alkoolit.

Prandaj, në raste të tilla ligjet e shtetit janë shumë më tepër se gjithçka tjetër, duke i respektuar si një tërësi normash që rregullojnë sjelljet dhe qetësinë publike, poashtu edhe qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, vendosin Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, (ROSU) e cila përveçse tregoi profesionalizëm dhe efikasitet, ishte e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit të vet, duke afruar rend dhe siguri për gjithë qytetarët e vet pa dallim”, konsideroi Preqi.

Ndër të tjera, ai tha se Qeveria Kurti ka bashkëpunuar në çdo hap me aleatët e Kosovës, duke ua shprehur brengën dhe tensionin që ngriti Serbia kryeneçe, ku pas këtyre kontakteve edhe erdhi marrëveshja në Bruksel.

“Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti, në çdo hap bashkëpunoi dhe me aleatët e vet, duke kontaktuar me gjitha vendet e QUINT-it në Kosovë, por edhe duke ua shprehur brengën dhe tensionin që ngriti Serbia kryeneçe, me ç ‘rast për të shkaktuar një rrëmujë politike dhe për të penguar punën e Institucioneve të Kosovës, në një mënyrë po i keqpërdor serbët lokal të pjesës veriore të Kosovës.

Dhe mbas 12 ditëve të tensionuara, u arritë një marrëveshje formale në Bruksel, në mes palëve lidhur me situatën në veri të vendit, me ç ‘rast u tërhoqën barrikadat që i vendosën serbët lokal, po ashtu u tërhoqën edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, me zëvendësimin e KFOR-it, që do të përkujdeset për gjendjen e mëtutjeshme në këto pika kufitare” përmendi ai.

Në fund, opinionisti marrëveshjen me Serbinë e konsideroi si marrëveshje të mirë, por kërkoi që të kontrollohet nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të mos përfundojë si marrëveshjet e tjera.

“Marrëveshja si e tillë, i ka ato specifikat e veta dhe është në të mirën e dy palëve, por nëse nuk do të kontrollohet dhe përcillet me kujdes nga BE-ja, kjo marrëveshje do të merr epilogun sikur ato marrëveshjet tjera të deritanishme, sepse Serbia, e ka traditën e politikës dominuese dhe dredhake, që në veçanti për Kosovën, e ka një politikë të rezervuar.

Për Kosovën, dhe Qeverinë Kurti, tani më shumë gjëra janë të qarta, si për Serbinë, po ashtu edhe për Bashkësinë Ndërkombëtare, por që mund të bëhen të dukshme jo vetëm në raste të tilla, por në një mënyrë do të çlirohet edhe forca e natyrshme dhe e drejta e këtij populli dhe shteti, që deri më tani nuk është zhvilluar dhe avancuar në mungesë të lidershipit të saj dhe në mungesë të kësaj rrjedhe”, përfundoi Dedë Preqi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat