“I zënë me luftën kundër Kosovës”/ Zbardhen planet e Ramës dhe Vuçiqit - ja pse e anuluan samitin në Novi Sad

Politika

“I zënë me luftën kundër Kosovës”/ Zbardhen planet e Ramës dhe Vuçiqit - ja pse e anuluan samitin në Novi Sad

Nga: A.M Më: 3 tetor 2021 Në ora: 17:02
Novi Sad

Tensionet e forta dhe rreziku i një përplasje ushtarake në veri të Kosovës, pas vendimit për reciprocitetin e targave, ishin arsyet e mos pjesëmarrjes së kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Aleksandër Vuçiq në samitin e radhës të “Ballkanit të Hapur” i parashikuar për t'u mbajtur në Novi Sad.

Kjo është zbuluar nga mediat serbe disa ditë më parë, pikërisht ku tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit kishin arritur kulmin.

E për këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai u shpreh se shkaku kryesor pse Vuçiq nuk mori pjesë në samitin e radhës të “Ballkanit të Hapur”, ishte fakti se ai ka qenë ‘i zënë’ më luftën virtual kundër Kosovës dhe me angazhimin për të manipuluar serbët e Kosovës.

“Javën që po mbyllet rajoni pati ngjarje, të cilat tërhoqën vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Në qendër ishte konflikti midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e vendosjes së reciprocitetit të targave nga ana e qeverisë Kurti. Tensioni midis dy shteteve e zhvendosi vëmendjen nga çdo lloj zhvillimi tjetër. BE, NATO, KFOR-i, SHBA, të gjithë aktorët kryesorë perëndimorë u morën me këtë konflikt. Nga ana tjetër palë me Serbinë u bë Rusia, ambasadori i së cilës erdhi në inspektimin e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, duke nxitur kështu hapur një konflikt të armatosur në rajon.

Gjithë kjo skenë konfliktesh eklipsoi takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, i parashikuar të mbahej në Novi Sad të Vojvodinës. Samiti u mbajt, por aty shkuan vetëm Brnabiq dhe Zaev përmes video konferencës. Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq nuk shkuan në Samitin e Novi Sadit. Pse nuk shkuan? Presidenti i Serbisë ishte "i zënë" me luftën virtuale kundër Kosovës dhe me angazhimin e tij për të manipuluar serbët e Kosovës kundër institucioneve të këtij vendi. Rama nuk do të shkonte në një samit, ku nuk do të merrte pjesë bashkëthemeluesi i tij, Vuçiq”, deklaroi Bytyçi.

Gjithashtu, profesori tha se Rama nuk mori pjesë në këtë samit, pasi nuk e sheh kryeministren serbe, Ana Bërnbiq si person të duhur për të qëndruar në të njëjtin panel.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe faktin se Rama dhe Vuçiq e dinin se nuk po e merrnin vëmendjen e duhur në këtë samit, pasi do të mbetnin nën hijen e zhvillimeve të veriut të Kosovës.

“Edi Rama është person egocentrik. Ai jeton me dëlirë. Si u tillë ai e sheh veten shumë lart. Kryeministrja e Serbisë, Brnabiq, është për Edi Ramën një person që merr frymë, por jo që mund të qëndrojë në një panel me të. Vetëm presidenti Vuçiq konsiderohet nga kryeministri Rama si i denjë për të qenë në të njëjtin samit e në të njëjtin panel. Aq më tepër se ata plotësojnë njëri-tjetrin, mbështesin edhe gjatë punimeve të samiteve njëri-tjetrin, p.sh kundër Albin Kurtit, apo kundër Milo Gjukanoviq.

Së dyti, Samti i Novi Sadit, qyteti ku u themelua Minishengeni para dy vitesh, po zhvillohej nën hijen e ngjarjeve të rrezikshme në kufijtë e Kosovës dhe Serbisë. Në këto rrethana Rama dhe Vuçiq nuk do të tërhiqnin vëmendjen e medies dhe opinionit publik. Nuk do të dukeshin interesantë në diskurs, batuta dhe kërcënimet për vendet që refuzojnë Open Ballkan. Ndaj dhe nuk patën interes të ishin të pranishëm”, theksoi ai.

Në vazhdim, Bytyçi potencoi se Rama tentoi ta shfaq tensionin mes Kosovës dhe Serbisë, si arsye për mospjesëmarrje në samitin e Novi Sadit, mirëpo sipas tij e vërteta qëndron ndryshe.

Ai beson se kryeministri shqiptar dhe kryeministri serb u morën vesh deri në detaje për zhvillimin e këtij samiti, më qëllim të ‘vërtetimit’ se ky projekt nuk ka dështuar.

“Edi Rama nuk ka dhënë ndonjë arsye pse nuk shkoi në Samitin e Novi Sadit. Ka lënë të kuptojë se "në kushtet kur ka tension midis Kosovës dhe Serbisë, nuk është e udhës të shkohet në një samit të tillë me Beogradin e Shkupin"! Por e vërteta është ndryshe. Ai nuk shkoi në Novi Sad, sepse nuk donte të ishte prezent pa mikun e tij të ngushtë, presidentin e Serbisë. Në këto kushte unë mendoj se ata e rakorduan qëndrimin që do të mbanin, u morën vesh me njëri-tjetrin dhe rakorduan çdo detaj të organizimit të Samitit të Novi Sadit. Ky samit duhej mbajtur për të treguar se "ai nuk ka dështuar"! Dhe njëkohësisht "të mëdhenjtë", "themeluesit" e iniciativës nuk duhej të shkonin. Për mua ishte dështim”, vlerësoi profesori.

Mirëpo, ai beson se ky projekt tani më ka dështuar, pasi Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina nuk do të pranojnë të poshtërohen para presidentit të Serbisë.

“Se Samiti i Novi Sadit dhe vetë Ballkani i Hapur janë të dështuar këtë e provojnë ngjarjet e fundit në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë. Ballkani i Hapur, sipas Beogradit, parashikon dërgimin e ushtrisë serbe në vendet fqinjë, nëse këto vende kërkojnë trajtim të barabartë me Serbinë. Pra Ballkani i Hapur ka për qëllim jo vetëm nënshtrimin e vendeve të tjera nga ana e Serbisë, por edhe poshtërimin e tyre. A do të pranojë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina të poshtërohen, si u poshtëruan Zoran Zaev dhe Edi Rama para presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq?! Besoj se jo!” tha ndër të tjera Bytyçi.

Tutje, profesori u shpreh se “Ballkani i Hapur” është një instrument politik, i cili realizon qëllimet dhe projektet serbe, duke evituar përdorimin e ushtrisë, policisë dhe forcës.

“Presioni ushtarak e politik, si dhe manipulimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Beogradit në ngritjen e barrikadave në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut ishin domethënia më e plotë dhe më e qartë për atë se çfarë përfaqëson Serbia për rajonin. Ballkani i Hapur është një instrument politik, i cili realizon qëllimet dhe projektet serbe anti-shqiptare, anti-boshnjake e anti-malazeze me mjete politike, duke evituar përdorimin e ushtrisë, policisë dhe forcës. Ngjarjet në Kosovë jo vetëm bënë që të dështojë pjesëmarrje e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq në Samitin e Novi-Sadit, por kanë vënë në pikëpyetje ekzistencën e Ballkanit të Hapur. Aty ku u themelua iniciativa serbo-ruse e Minishengenit, aty ka nis edhe dështimi i Ballkanit të Hapur! Kjo është e vërteta”, potencoi ai.

Në fund, Bytyçi deklaroi se kërcënimet e Serbisë kundër Kosovës rizgjuan kujtesën e popujve të rajonit për atë çfarë përfaqëson Serbia, duke nxitur edhe Kroacinë të reagojë kundër qëndrimeve serbe.

“Ndërkaq vendet jo anëtare të kësaj iniciative kanë përforcuar idenë dhe qëndrimin e tyre anti Open Ballkan. Provokimet dhe kërcënimet e Serbisë kundër Kosovës rizgjuan kujtesën e popujve të rajonit për atë çfarë përfaqëson Serbia. Kurse Kroacia u bë promotori i këtij rizgjimi të domosdoshëm. Autoritetet e Zagrebit ishin ata që e denoncuan hapur dhe me argumente të pafund qëndrimin serb ndaj Kosovës si dhe mbrojtën të drejtën e popujve të rajonit për të mos pranuar hegjemoninë serbo-ruse!”, përmbylli Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat