Kosova nuk i nënshtrohet Serbisë

Politika

Kosova nuk i nënshtrohet Serbisë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 tetor 2021 Në ora: 18:15
Anëtarët e forcës paqeruajtëse KFOR patrullojnë zonën pranë pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinje. Fotografia: Laura Hasani/Reuters

Situata në veri të Kosovës ka disa ditë që është qetësuar.

Tensionet që na përcollën për shumë ditë arritën të sjellin në fund një marrëveshje mes dy vendeve.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë ditë më parë nga Brukseli se është arritur marrëveshje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Kjo pikë e lartcekur që nga dita e djeshme ka filluar të zbatohet dhe KFOR-i ka marrë në kontroll veriun e Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, reagimet ishin të shumta.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas tërheqjes së barrikadave dhe Njësisë Speciale nga veriu.

Sveçla u shpreh se vendosja e reciprocitetit dëshmoi se Kosova ka institucione demokratike dhe profesionale dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj.

Gjithashtu, ai përmendi edhe sulmet dhe kërcënimet e Serbisë pas vendosjes së reciprocitetit, e që për të ai përçoi një mesazh të qartë, që Kosova tashmë nuk bie pre e tyre.

“Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Beogradi dhe Brukseli. Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion”, u shpreh Sveçla.

Kjo deklaratë e Sveçlës arriti t’i dërgojë mesazh të qartë Serbisë, se tashmë Kosova është Republikë dhe se e njëjta nuk do të lejojë që të ketë frikë nga një shtet si ai.

Tërnava: Kosova dëshmoi që është shtet i pavarur dhe nuk i nënshtrohet më Serbisë

Image
Eksperti i sigurisë dhe ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes, Hajrullah Tërnava

Në lidhje me këtë temë, eksperti i sigurisë dhe ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se zhvillimet e fundit kanë mundur të sjellin eskalim të situatës, mirëpo falë punës së policisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, një gjë e tillë u anashkalua.

“Zhvillimet e fundit të acarimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës këtyre javëve të fundit dhe mënyra e jetësimit të reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës që u ndërmor, ishte një rast që ka mund që ky acarim të eskalojë për masa më të gjera dhe konflikti të shndërrohet në konflikt në përmasa më të mëdha, që në fakt nuk ndodhi kjo, për hir të situatës që ishte nën kontrollin e forcave të policisë e pse jo edhe të faktorit ndërkombëtar sikur që është KFOR-i si garantues i territorit të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të miratuar në vitin 1999, nga OKB e që është edhe tani në fuqi dhe sipas marrëveshjes të nënshkrimit të kapitullimit nga ana e Serbisë e nënshkruar në Kumanovë, por edhe GJND që e arsyetoi pavarësinë e Kosovës për të cilën u ankua në këtë gjyq Serbia”, u shpreh ai.

Sipas tij, reagimi i Sveçlës ishte me vend pasi që Serbia duhet ta dijë se me anë të këtij reciprociteti Kosova i bëri me dije asaj që nuk ka më nënshtrime nga ajo.

Gjithashtu, Tërnava vlerëson punën e Sveçlës duke thënë se ka arritur në mënyrën më të duhur të koordinohet që të mos ketë eskalim të gjendjes.

“Në këto kohëra tani të tilla, zhvillohen edhe luftëra speciale që duhet t’iu përshtatemi dhe si të tilla në të njëjtën mënyrë t’iu përgjigjemi si në hap me kohën. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas tërheqjes së barrikadave dhe Njësisë Speciale nga veriu. Sveçla u shpreh se vendosja e reciprocitetit dëshmoi se Kosova ka institucione demokratike dhe profesionale, dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj, policia e Kosovës edhe që ishte në vendin e ngjarjes së revoltës së masës serbe ndaj reciprocitetit, në asnjë moment nuk i ka tejkaluar autorizimet e saj, edhe që tërë kohën kanë qenë të provokuar nga masa e popullatës serbe duke brohoritur dhe kënduar këngë nacionaliste. Prandaj Sveçla si Ministër i MPB-së që ka udhëhequr këtë situatë në tërësi, në kufi me Serbinë në territorin e Kosovës në vendin Jarinjë dhe Bërnjak si dhe në tërë veriun dhe në koordinim me Drejtorin e Policisë të Kosovës dhe eprorëve tjerë të policisë, kanë qenë në nivel të lartë të kryerjes së detyrave që iu kanë imponuar t’i ndërmarrin”, ka vlerësuar Tërnava.

Eksperti nga ana tjetër thotë se Serbia nuk iu përmbajt marrëveshjes dhe për këtë arsye Kosova u detyrua ta përdorë masën e reciprocitetit tani në mënyrë të vetëdijesimit për qeverinë e Serbisë dhe duke shpresuar që ky mund të jetë një hap drejt njohjes reciproke.

“Në deklaratat e tij, Ministri Sveçla deklaroi se epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar dhe me këtë ia përkujtoi Serbisë se marrëveshja mes Kosovës që kur u nënshkrua nga viti 2011 e deri 2016, është dashur të ndërpritet në atë kohë të atij viti, se kjo mënyrë e maltretimit të qytetarëve të Kosovës me targat e veturave që kanë kaluar nëpër territorin e Serbisë, edhe pasi kanë kaluar pesë vite (5) e deri më tash që jemi në vitin 2021, Serbia nuk iu përmbajt asaj marrëveshje, edhe Kosova u detyrua ta përdorë masën e reciprocitetit tani. Kosova është detyruar ta përdorë tani këtë mënyrë të reciprocitetit si masë e vetëdijesimit të qeverisë të Serbisë, që t’i kontribuojmë marrëdhënieve të mira mes vete dhe të vije deri te përmirësimi i marrëdhënieve mes dy shteteve. Prandaj, mënyrat e reciprocitetit e dy shteteve tani në të ardhmen do t’i shërbejnë dy shteteve që të përafrohen dhe të vije më shpejt deri te njohjet reciproke”, ka theksuar ai.

Tërnava ka shtuar se deklarata e Sveçlës është një këshillë që reciprociteti i ndërmarrë ishte një vendim i bazuar që tani edhe Kosova është shtet i pavarur dhe që i ka institucionet e saj, duke shtuar se njohja reciproke është e domosdoshme për të dy vendet.

“Ministri Sveçla u deklarua ashtu sikur që e tha, sepse ishim ne qytetarët e Kosovës të detyruar ta ndërmarrim këtë hap dhe ky mesazh ishte i dedikuar për ta kuptuar Beogradi, ashtu si u shpreh Sveçla duke i dërguar mesazh të qartë Serbisë. Prandaj, deklarata e Ministrit Sveçla është një këshillë dhe shpjegim se ne qytetarët e Kosovës ishim të detyruar që ta përdorim këtë metodë të reciprocitetit sepse edhe që kaluan pesë vite që është dashur Serbia ta largojë nga përdorimi këtë dënim ndaj popullit të Kosovës, kjo masë e reciprocitetit që e ndërmori Kosova, ishte një vendim i detyrueshëm që u detyrua ta ndërmarrë Kosova. Reciprociteti i ndërmarrë ishte një vendim i bazuar që tani edhe Kosova është shtet i pavarur dhe që i ka institucionet e saj sikur që është policia dhe ushtria e saj e sidomos që kufijtë e Kosovës i garanton KFOR-i dhe NATO me miqtë që i ndihmuan të çlirohet Kosova. Dhe shkaku i njohjes reciproke mes këtyre dy shteteve është që t’i përmirësojmë marrëdhëniet shtetërore mes vete dhe populli ynë të jetojnë në fqinjësi të mirë me të gjithë”, ka deklaruar Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Burjani: Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjen

Image
Juristi Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se duhet të ketë vendosmëri për këtë marrëveshje, pasi ajo duhet të respektohet nga të dy palët dhe nëse Serbia nuk e respekton nuk duhet as Kosova.

“Po por duhet të ketë vendosmëri në këtë çështje, marrëveshja aktuale ishte e vitit 2016 e nënshkruar sërish me një përmbajtje reciprociteti. Ky nuk është ndonjë garancion që sërish mund të aplikojë reciprocitet në marrëveshjet tjera që nuk zbatohen. Nëse ka marrëveshje të tilla që Serbia nuk i zbaton, atëherë duhet aplikuar të njëjtën masë por duhet pritur”, ka thënë ai.

Juristi nuk i sheh të pranueshme fjalët e Vuçiqit që në Kosovë po hyjnë automjete me tabelat KM, pasi ai thotë duhet të ndalohet kjo gjë.

“Kjo çka ka ndodhë nuk është ajo që kemi pritur, fjalët e Vuçiqit po dalin se ende tabelat KM mund të hyjnë në Kosovë me stikerë e kjo është e papranueshme të gjitha tabelat KM ,Gl a Kk duhet të mos lejohen me hyjë në Kosovë as me stiker, kjo është papranueshme”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat