Paralajmërohet reciprocitet edhe në fusha të tjera me Serbinë – kështu i dha fund Kurti politikave serbe kundër Kosovës

Politika

Paralajmërohet reciprocitet edhe në fusha të tjera me Serbinë – kështu i dha fund Kurti politikave serbe kundër Kosovës

Nga: A.M Më: 5 tetor 2021 Në ora: 22:33
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosova ditë më parë në Bruksel nënshkroi marrëveshje më Serbinë, lidhur me reciprocitetin e targave.

Kjo marrëveshje erdhi si rezultat i tensioneve të cilat u shkaktuan në veri të Kosovës për disa ditë me radhë.

Marrëveshja e Brukselit u mirëprit nga shumë ambasadorë e përfaqësues ndërkombëtar, të cilët e përgëzuan Qeverinë Kurti për këtë arritje.

Mirëpo, njëjtë nuk menduan edhe kundërshtarët politik të kryeministrit Albin Kurti, të cilët deklaruan se kjo marrëveshje ia hap rrugën formimit të Asocacionit të komunave me shumicë serbe.

E këtë marrëveshje, e ka komentuar në një prononcim për gazetën “Bota sot” ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci.

Ai u shpreh Qeveria e Kosovës në këto ditët e fundit arriti ta imponoi zbatimin e marrëveshjes së vitit 2016, gjë të cilën nuk e kishin bërë qeveritë e kaluara.

Image
Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci.

“Kosova arriti të imponoi zbatimin e marrëveshjes së vitit 2016, që palët i detyron të mbulojnë pjesët relevante të targave me stickers-a (RKS dhe SRB) gjatë kalimit të kufirit ndërshtetëror, si zgjidhje e përkohshme. Pas gjashtë muajsh ekipet teknike të të dyja vendeve pritet të arrijnë një zgjidhje të përhershme”, deklaroi ai.

Sipas Kocit, deklaratat e opozitës se me marrëveshjen e reciprocitetit i është hapur rruga formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë absurde.

Madje, ai u befasua se këtë e thonë politikanët që nënshkruan Asociacionin.

“Nuk kanë asnjë bazë pohimet absurde të opozitës se me këtë veprim qenka rrënuar sovraniteti dhe qenka hapur rruga për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Është e habitshme që këtë e thonë pikërisht ata që kanë nënshkruar Asociacionin dhe që kanë pranuar që në Bruksel të nënshkruhen marrëveshje që pa asnjë përjashtim kanë qenë koncesione të Kosovës në favor të Serbisë.

Është absurde që përfaqësuesit e politikës së koncesioneve tash të dalin dhe të "mbrojnë" Kosovën nga koncesionet që i kanë bërë tash 10 vjet në dialogun me Serbinë në Bruksel”, theksoi ai.

Në vazhdim, ish-redaktoi i REL-it tha se reciprociteti është sinjal që tregon se tash e tutje dialogu nuk do të rrjedhë si në të kaluarën. Po ashtu, ai vlerësoi se ka marrë fund faza e koncesioneve të Kosovës ndaj Serbisë dhe se Qeveria e re e Kosovës e ka bërë të qartë synimin e këtij dialogu.

“Politika e reciprocitetit me targat është sinjal i sigurt se dialogu tash e tutje nuk do të ketë rrjedhën që e kishte deri tash. Qeveria e Kosovës e ka bërë transparent synimin që dialogu i ardhshëm në Bruksel për bazë do të ketë barazinë e palëve dhe reciprocitetin. Faza e koncesioneve të Kosovës ndaj Serbisë ka marrë fund. Tash një dekadë Kosova ka bërë koncesion pas koncesioni, me arsyetimin bosh se ato ishin në funksion të njohjes së Kosovës nga Serbia. Njohja nuk erdhi dhe duket se është e largët. Serbia gjatë këtyre 10 viteve përmes dialogut arriti të ndalë njohjet e reja për Kosovën, me shpjegimin se ato do të bëhen ose jo varësisht nga epilogu i bisedimeve. Mjerisht, kjo strategji e Beogradit u tregua e suksesshme, sepse ndali njohjet e reja dhe gati e shndërroi Kosovën në "konflikt të ngrirë””, nënvizoi Koci.

Kurse, tutje ai i radhiti edhe faktorët të cilët ndikuan në strategjinë e Beogradit për ndalimin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovë.

Ku krahas kësaj, Koci përmendi edhe tentimin e perëndimit që përmes koncesioneve në Kosovë në favor të Beogradit të joshin Serbinë dhe ta largojnë atë nga Rusia.

“Kësaj politike i kanë kontribuuar disa faktorë:

a/Paaftësia e lidershipit kosovar për të deshifruar synimin përfundimtar të Serbisë, që asnjëherë nuk kishte të bënte me njohjen, por me copëtimin e Kosovës;

b/Shterpësia e Bashkimit Evropian që nuk ka politikë të unifikuar në raport me Kosovën për shkak të 5 vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës;

c/Tentimi i Perëndimit që përmes koncesioneve në Kosovë në favor të Beogradit të joshin Serbinë në sferën perëndimore, përkatësisht ta largojnë nga Rusia;”, tha ndër të tjera ish-kryeredaktori i REL-it.

Në fund, Koci deklaroi se reciprociteti i targave ka hapur një fazë të re të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku asgjë nuk do të jetë si në dekadën e kaluar dhe palët do të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Reciprociteti me targat i ka dhënë fund kësaj politike dhe janë dëshmi e fillimit të një faze të re në dialogun Kosovë - Serbi. Përfshirja e SHBA-ve në dialog është garancë se tash e tutje asgjë nuk do të jetë si ka qenë në dekadën e fundit. Kosova do të shtroj gradualisht reciprocitetin në çdo sferë dhe baza e bisedimeve do të jetë trajtimi i barabartë i palëve.

Reciprociteti me targat mbase është fillimi i reciprocitetit në të gjitha rrafshet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse kjo do të refuzohet, atëherë dialogu Kosovë - Serbi në Bruksel nuk ka asnjë kuptim dhe ai ka marrë fund”, përmbylli Melazim Koci, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat