Dënimi i Stanishiqit me 20 vite burg/Flet Tomë Gashi, tregon sa do të duhej të dënohej për krime të luftës

Politika

Dënimi i Stanishiqit me 20 vite burg/Flet Tomë Gashi, tregon sa do të duhej të dënohej për krime të luftës

Nga: M.H. Më: 6 tetor 2021 Në ora: 08:40
Tomë Gashi

Gjatë ditës së djeshme Goran Stanishiq është dënuar me 20 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjet fajtor për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

Të menjëhershme ishin reagimet nga opinioni publik, e në lidhje me këtë temë për gazetën “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Gashi thotë se në aspektin njerëzor ky dënim është i vogël, mirëpo në aspektin juridik kemi të bëjmë me një vepër penale të krimeve të luftës e që dënimi maksimal është 20 vite burgim.

Në aspektin njerëzor sigurisht që dënimi i Goran Stanishiq për vrasjen e 13 civilëve shqiptarë është jashtëzakonisht i ulët dhe aspak adekuat për krimet e kryera gjatë luftës. Në aspektin juridik, kemi të bëjmë me ngritje të aktakuzës dhe me shpalljen e tij fajtor për veprën penale të krimeve të luftës dhe dënimi maksimal është dënimi me burg në kohëzgjatje prej 20 viteve”, u shpreh ai.

Më tej, ai e sheh të palogjikshëm dënimin me 20 vite burg për krime të tilla, pasi sipas tij duhet të vlejë burgimi i përjetshëm pasi kemi të bëjmë me krime të luftës.

Ndoshta është palogjikshmëri, por kështu janë dispozitat ligjore edhe në Kosovë dhe në shtetet e tjera që për këto raste dënimi maksimal është ky. Po ashtu, duhet të ketë parasysh se po të kishte aktakuzë me të cilën do të shpallej fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë, dënimi mund të ishte deri në burgim të përjetshëm, por kualifikimi juridik dhe dënimi për vepër penale të krimeve të luftës nuk lejon dënim më të lartë se 20 vite burgim”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat