Dështim i Brukselit/A ka frikë Serbia nga veprimet e kryeministrit Albin Kurti?

Politika

Dështim i Brukselit/A ka frikë Serbia nga veprimet e kryeministrit Albin Kurti?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 tetor 2021 Në ora: 13:01
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, foto ilustrim nga "Bota sot"

Serbia pas dhjetë vitesh bisedime me Kosovën, kësaj radhe po përballet me Albin Kurtin, një tjetër udhëheqës në Kosovë, që atyre po iu duket goxha i vështirë. Madje, vetë udhëheqësit serbë e kanë pranuar këtë gjë, duke thënë se e kishin më të lehtë të dialogonin me Hashim Thaҫin, ish Presidentin e Kosovës që aktualisht ndodhet në Hagë, në një proces gjyqësor.

Kështu, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç duke komentuar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se është e vështirë të flasësh me Albin Kurtin.

“Me Kurtin nuk po arrijmë të merremi vesh, ndërsa me Thaçin ishte i lehtë dialogu”, ka thënë kryeministrja Bërnabiç.

Veprimet e kryeministrit Albin Kurti janë vlerësuar në mënyra të ndryshme, derisa pozita e ka përkrahur në veprimet e tij, opozita thekson se Kurti po e kthen dialogun në pikën zero. Një veprim i Kurtit karshi Serbisë, ishte edhe ai për marrëveshjen me targat që Serbia e kishte shkelur dhe me një marrëveshje në Bruksel u zgjidh e gjithë situata.

Zeqa: Marrëveshja e reciprocitetit për targat e dëshmon paaftësinë e Brukselit për ta detyruar Serbinë të pranoj marrëveshjet

Image
Florim Zeqa, analist politik

Vendimet dhe veprime e tilla të kryeministrit Kurti i kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike.

Kështu, Florim Zeqa, analisti politik, thotë se është herët për të vlerësuar veprimet e Kurtit karshi Serbisë, ndërsa marrëveshja e reciprocitetit për targat e dëshmon paaftësinë e Brukselit për ta detyruar Serbinë të pranojë marrëveshjet e nënshkruara.

“Mendoj se është ende herët për të vlerësuar veprimet e Albin Kurtit karshi Serbisë. Marrëveshja e përkohshme (gjashtë mujore) e reciprocitetit për targat apo e “stikerave” e vërteton edhe një herë paaftësinë e Brukselit për ta detyruar Serbinë që të pranojë marrëveshjet e nënshkruara për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në mes të dyja vendeve. Detyrimi për pranimin e targave të Kosovës nga ana e Serbisë nuk do ta nënkuptonte njohjen reciproke, por do ta plotësonte kushtin elementar të lëvizjes së lirë, siç e aplikojnë edhe shtetet tjera mosnjohëse të Kosovës”, vlerëson Zeqa.

Sipas tij, “aplikimi i “stikerave” nuk është fitore e Kosovës dhe as humbje e Serbisë, por është dështim i Brukselit zyrtar, i cili ende vazhdon të përkëdhelë Serbinë, “duke ndëshkuar qytetarët e të dyja vendeve me maltretime krejtësisht të panevojshme dhe absurde për kohën në të cilën po jetojmë”.

Zeqa thotë për ‘Bota sot’ se nuk mund të thuhet që Serbia ia ka frikën Kurtit, se po të ishte kjo, nuk do të ndodhte barrikadimi i rrugëve nga ana e serbëve.

“Do të ishte iluzive të mendohet që Serbia ia ka frikën Albin Kurtit. Sikur të bëhej fjalë për frikë nga ana e Serbisë, nuk do të ndodhte barrikadimi i plotë i rrugëve nga serbët lokalë apo e kundërta, sikur Albin Kurti të largonte barrikadat ditën e parë, jo vetëm që do ta dëshmonte forcën e shtetit, por do t’i tregonte Serbisë se ku përfundon sovraniteti i saj”, thekson ai.

Analisti Zeqa thotë se ‘zëvendësimi i Forcave Speciale të Policisë së Kosovës me forcat paqeruajtëse të KFOR-it nuk e nënkupton shtrirjen e sovranitetit në veri, por të kundërtën e saj’.

“Kjo ishte hera e dytë që provuam ta shtrijmë sovranitetin e shtetit në veri të vendit. Për dallim nga përpjekja e Hashim Thaçit e 25 korrikut të vitit 2011, është fat i mirë që përpjekja e Albin Kurtit përfundoi pa viktima edhe pse u kthyem duarthatë nga veriu! Dashtë Zoti, që e treta të jetë e vërteta! Ashtu siç e kisha mbështetur aksionin e 25 korrikut të vitit 2011 të ish kryeministrit Thaçi, e mbështeta edhe këtë të fundit të Albin Kurtit, por që të dy na zhgënjyen me kthimin prapa nga veriu! Kur kësaj t’i shtohet fakti se FSK-ja (Ushtria e Kosovës) nuk ka qasje në veri të vendit, nuk kemi pse t’i gëzohemi asnjë veprimi politik pa efekte përfundimtare, e aq më pak veprimeve politike për qëllime elektorale”, ka deklaruar analisti Florim Zeqa.

Maxharraj: Kurti po ecën përpara duke shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës

Image
Profesori dhe analisti Binak Maxharraj

Ndërkaq, profesori dhe analisti Binak Maxharraj, thotë se Kurti po ecën përpara duke shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës.

“Albin Kurti po ecë, po ecë veç përpara, ai nuk kthehet të shikojë anash as prapa, ai ecë veç përpara duke e shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës. Serbia s’guxon të ndërmarrë ndonjë veprim të gabuar, të pamatur, sepse ajo e sidomos presidenti Vuçiq e di fort mirë se Kosova nuk është ajo e kohës së Sllobodan Millosheviqit kur priste, digjte e piqte shqiptarë civilë, gra e burra, pleq e fëmijë, se Kosova tani është shtet në vete ndërkombëtarisht i pranuar, ani pse jo nga Serbia, se ajo është e rrethuar nga miqtë e vetë të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët i kanë forcat e veta të stacionuara që 20 vite në Kosovë për të ruajtur shtetësinë, integritetin dhe sovranitetin e saj”, vlerëson Maxharraj.

Ai thotë se çdo sulm i Serbisë ndaj Kosovës do të ishte sulm për vetë shtetin serb dhe Presidentin Vuҫiq.

“Prandaj çdo sulm i Serbisë i pamatur në Kosovë do të ishte katastrofë për vetë Serbinë dhe presidentin çetnik Vuçiqin”, ka deklaruar Binak Maxharraj për gazetën ‘Bota sot’.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat