Pas samitit të Sllovenisë kërkohen ndëshkime të ashpëra për këta persona – kjo është sfida e Kurtit

Politika

Pas samitit të Sllovenisë kërkohen ndëshkime të ashpëra për këta persona – kjo është sfida e Kurtit

Nga: A.M Më: 7 tetor 2021 Në ora: 16:13
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Slloveni

Udhëheqës të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Mali të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës) u takuan gjatë ditës së djeshme në Slloveni “për të riafirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, e cila është me interes të ndërsjellë strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”. 

Ky samiti u komentua shumë dhe mori vëmendje të madhe të mediave vendore dhe ndërkombëtare. 

Natyrisht që në këtë rast u komentua edhe pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti, ku gjatë ditës edhe zhvilloi takime me liderë ndërkombëtar, përfshirë atë Spanjës, Francës dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. 

Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” e vlerësoi samitin e mbajtur në Slloveni si një ndër më të suksesshmit për Kosovën ndonjëherë, kjo për shkak se për herë të parë Franca dhe Holanda mbështeten idenë e zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit. 

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

“Samiti i djeshëm i BE-së në Brdo të Sllovenisë për mua ishte një samit ndër më të suksesshmit për shkak se për herë të parë Franca dhe Holanda, si dy vende skeptike, shfaqën entuziazëm në zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën ishte një sukses i madh pjesëmarrja e Spanjës dhe takimi i kryeministrit spanjoll me kryeministrin Kurti. Mos harrojmë se para gjashtë muajsh Spanja pati bojkotuar samitin e Sofjes për shkak të pjesëmarrjes së shtetit të Kosovës! U bë një përparim i dukshëm. Dhe unë besoj se vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën po shkojnë drejt ndryshimit të qëndrimeve të tyre ndaj saj”, deklaroi Bytyçi. 

Gjithashtu, ai tha se ky samiti ishte i suksesshëm edhe për faktin se kryeministri Kurti reflektoi dhe kritikoi BE-në për mos  liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. 

Mirëpo, krahas kësaj Bytyçi kërkoi nga Qeveria e Kosovës të luftojë korrupsionin dhe të ndëshkojë personat që kanë vjedhur, kanë grabitur pasuritë dhe taksat e qytetarëve. 

“Samiti i djeshëm ishte i suksesshëm për Kosovën jo pse zoti Kurti kritikoi BE-në për mos mbajtjen e fjalës për liberalizmin e vizave, por se unë pashë që pati reflektime për këtë. Është ky një sukses. Edhe pse jo i plotë ishte një lloj suksesi. Dhe mos harrojmë: Qeveria Kurti ka gjashtë muaj në pushtet. Edhe sikur të kishte rezultate spektakolare, Kosova nuk mund të trajtohet menjëherë si "delja e bardhë", kur deri në prillin e kaluar ajo ishte "delja e zezë"! Duhet pak kohë, duhen dhe rezultate konkrete në qeverisjen e vendit për luftën kundër korrupsionit. Duhen ndëshkime, jo vetëm konstatime. Kush ka vjedh, kush ka grabit pasuritë dhe taksat e qytetarëve duhet të shkojë para drejtësisë, pavarësisht pozitës që ka pasur ose ka. Kjo do ta ndryshojë plotësisht imazhin, pozicionin dhe do ta sjellë suksesin e Kosovës në integrim”, nënvizoi profesori. 

Në vazhdim, Bytyçi deklaroi se Kurti para evropianëve dëshmoi se i dhe qeveria e tij janë të angazhuar për realizimin e standardeve të demokracisë. 

Ai tha se kjo e dëshmoi përkushtimin e Qeverisë Kurti në lidhje me plotësimin e kushteve të Bashkimit Evropian. 

 “Unë mendoj se zoti Kurti ditën e djeshme u dëshmoi evropianëve se ai dhe qeveria e tij janë të angazhuar për realizimin e standardeve të demokracisë, kur tha se fondet e BE-së duhet të kushtëzohen me këto standarde. Ishte kjo një sfidë, por edhe një mendësi që dëshmon përkushtimin e qeverisë së Kosovës në këtë drejtim. Sfida u drejtohej liderëve autoritarë të rajonit, para së gjithash Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramës”, theksoi ai. 

Ndër të tjera, profesori konsideroi se qëndrimi i kryeministrit Kurti ishte në harmoni më qëndrimin e kancelares gjermane Angela Merkel. 

Ai potencoi se Kurti në këtë rast e ka respektuar Procesin e  Berlinit dhe angazhimin e tij për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

“Kjo sfidë e zotit Kurti shkoi në harmoni me qëndrimin e zonjës Merkel, e cila refuzoi caktimin e një afati (2030) për integrimin përfundimtar të vendeve të rajonit tonë në BE, duke theksuar se integrimi nuk është çështje afatesh, por standardesh. Suksesi tjetër i kryeministrit të Kosovës lidhet me qëndrimin e tij të vendosur për të respektuar Procesin e Berlinit dhe angazhimi i tij për integrim. Ky lloj qëndrimi ishte i kundërt me atë që predikoi kryeministri i Shqipërisë, i cili para shtetarëve evropianë shtroi alternativën "Ose na pranoni kështu si jemi, ose përkrahni Open Balkan"! Kjo do të thotë se nisma e Ballkanit të Hapur është një nismë sfiduese për rrugën e integrimit dhe që hap mundësinë për të pranuar ndikimin e aktorëve të tjerë lindorë në rajon”, përmendi Bytyçi. 

Tutje, ai beson se Kosova e ka të qartë vizionin e të ardhmes për BE-në, derisa Serbia ende është në mëdyshje: “Me BE-në apo me Rusinë!”. 

Krahas kësaj, Bytyçi tha se mbështetja e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është detyrim dhe interes personal. 

“Unë besoj se alternativa e integrimit në Bashkimin Evropian do të duhet të jetë pa kthim për Kosovën. Kjo sepse Kosova është në Evropë dhe se me këtë qëndrim ajo bën dallimin me Serbinë, e cila është në mëdyshje: "Me BE-në apo me Rusinë"! Nuk mund të ketë një ndarje të tillë nga ana e Kosovës. BE dhe SHBA janë aleatë për fatin e mirë tonin, prandaj mbështetja te të dy akterët dhe faktorët ndërkombëtarë është detyrim dhe interes nacional. Ruajtja e një ekuilibri në qëndrimet ndaj BE-së dhe Amerikës, kur këto dy aktorë nuk pajtohen, është gjithashtu pjekuri dhe aftësi diplomatike e politike e institucioneve të Kosovës”, deklaroi profesori. 

Krejt në fund, Bytyçi kërkoi të ecim përpara me hapa të kujdesshëm me qëllim që të forcojmë shtetësinë e Kosovës. Ai u shpreh se e di që çdokush do të dëshironte zgjidhjen e problemeve brenda ditës, por një gjë e tillë, sipas tij është e pamundur. 

“Samiti i djeshëm në Slloveni ishte një hap pozitiv, ndonëse jo më i kënaqshmi. Duhet të mësohemi të ecim përpara në mënyrë evolutive, me kujdes, pa u rrëzuar, pa trauma. Duhet të hedhim çdo herë një hap më tej, me qëllim që të shtohen tullat në shtet ndërtimin dhe shtet funksionimin e Kosovës. Kjo do ta bëjë më të qëndrueshëm zhvillimin. Gjithkush do të dëshironte zgjidhjen e problemeve brenda ditës. Por është e pamundur. Edhe grosha në zjarr duhet të qëndrojë pesë a gjashtë orë që të zihet. Koha është gjithçka. I lumtur është ai që e përdor gjithnjë në të mirën e vet e të kombit të tij!”, përmbylli Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat