Thirrja e ligjvënësve amerikanë/Zgjidhja në mes të Kosovës dhe Serbisë në duart e SHBA-ve

Politika

Thirrja e ligjvënësve amerikanë/Zgjidhja në mes të Kosovës dhe Serbisë në duart e SHBA-ve

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 tetor 2021 Në ora: 18:16
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Kosova dhe Serbia tash e sa vjet po vazhdojnë me procesin e dialogut pa asnjë zgjidhje për të dyja vendet.

Madje, tërë këto vite, ky proces ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, në këtë proces po kërkohet edhe përfshirja e SHBA-ve.

Të hënë që kaloi, ishte Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan që u bëri thirrje përmes një letre Presidentit amerikan, Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të dyfishojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe të shtojnë angazhimin për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleati ynë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”.

Por, cilat janë pritjet dhe a do të jenë pikërisht SHBA-të ato që do ta zgjidhin problemin Kosovë-Serbi.

Qarri: Pa ndërhyrjen e SHBA-ve, nuk ka gjasa të arrihet marrëveshje

Image
Gani Qarri

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se presidenti Biden në shkurt të këtij viti kërkoi marrëveshje gjithëpërfshirës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, me njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Në fakt, presidenti i SHBA-ve dhe miku i ngushtë i shqiptarëve, z.Joe Biden, qysh me letrën dërguar kriminelit Vuçiq në fillim të shkurtit të këtij viti, e cila ishte publikuar edhe në faqen zyrtare të presidencës, gjegjësisht presidentit serb, kërkonte marrëveshje gjithëpërfshirës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, me njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka thënë ai.

Sipas Qarrit, të gjitha situatat të cilat i ka krijuar Serbia, madje edhe këtë të fundit në veri duke kërcënuar me luftë, lë të nënkuptohet se pa ndërhyrjen e SHBA-ve, nuk ka gjasa të arrihet marrëveshje.

“Madje, duke pasur parasysh tensionet e para pak ditëve, të ngritura artificialisht nga Serbia e cila demonstroi edhe forcën ushtarake, duke i vendosur njësitë e saj të armatosura në kufijtë verior të Kosovës me Serbinë dhe provokuar herë pas here me fluturime aeroplanësh e helikopterësh, ku nuk mungoi as prezenca e ambasadorit rus, që gati sa na patë futur në luftë dhe atë, vetëm për shkak të reciprocitetit për targa me Serbinë, marrëveshje që ishte nënshkruar qysh në vitin 2011 edhe nga vetë përfaqësuesit e Serbisë dhe ata të Kosovës, e gjithë kjo arrogancë e hapur serbe, lë të kuptohet qartë se pa ndërhyrjen e SHBA-ve, as që ka gjasa të arrihet marrëveshje me një kriminel lufte si Vuçiqi dhe shtet kolonial si Serbia okupatore”, ka shpjeguar analisti.

Qarri iu jep të drejtë ligjvënësve amerikanë të cilët kanë kërkuar përfshirjen e SHBA-ve në dialog, sepse ndryshe nuk ka marrëveshje me kriminelin Vuçiq.

“Ndaj dhje ligjvënësit amerikanë, duke parë qëndrimet kaq agresive të Vuçiqit dhe Serbisë, e cila marshoi edhe me ushtri deri pranë pikave kufitare me Kosovën, me shumë të drejtë i kanë shkruar presidentit të nderuar amerikan, Joe Biden, letër me thirrjen që të angazhohet personalisht për arritjen e marrëveshjes së obligueshme dhe zgjidhjen përfundimtare me njohje të ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kështu që duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe acarimet kulmore nga ministri i informatave të Millosheviqit, krimineli Vuçiq i cili mbahet përgjegjës edhe për krimet dhe gjenocidin e shkaktuar shtetëror ndaj shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës duke kidnapuar mijëra të gjallë dhe vjedhur edhe kufomat e të vrarëve, që edhe 22 vite pas lufte vazhdon t’i mbajë peng në Serbi, as që ka rrugëdalje tjetër për përfundimin e bisedimeve të nisura tash e mbi 11 vite më parë dhe përmbylljen e dialogut me një president si Vuçiqi, me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa ndërhyrjen e vendosur të SHBA-ve”, ka deklaruar analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Krasniqi: SHBA në dialog, fjala e tyre vendim

Image
Islam Krasniqi

Edhe analisti Islam Krasniqi, ka thënë që BE-së i ka humbur fuqia për të finalizuar një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje ai kritikon ashpër BE-në, duhet thënë se po përkëdhelin Serbinë, duke mos e detyruar që t'i respektojë marrëveshjen e nënshkruar, duke shtuar se fjala e SHBA-vë në dialog është vendim.

“BE-ja nuk e ka fuqinë që ta finalizojë marrëveshjen në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ajo po shihet vetëm si humbje kohe, ku BE-ja flasin dhe krenohen me marrëveshje të vogla të cilat vetëm po e kthejnë mbrapa kohën sepse ata po e përkëdhelin Serbinë, duke mos e detyruar që t'i respektojë marrëveshjet e nënshkruara, gjersa interesin tonë po e shkelin me këmbë duke u munduar t'i mbyllin sytë nga e kaluara. Andaj, vetë fakti së Bashkimi Evropian s'mund të arrijë t’i pajtojë dy vendet të cilat ishin armiq shekullor, ka nevojë për intervenimin e SHBA-ve, të cilët janë të qarta në kërkesat e tyre dhe që fjala e tyre është vendim”, është shprehur Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ai e vlerëson të drejtë kërkimin e ligjvënësve që SHBA-të të ndërhyjnë në dialog, duke e ditur që edhe vetë shteti i Kosovës është produkt i tyre.

Më tutje, ai sheh edhe optimizëm që z.Biden mund të na hapë dyert edhe më lart duke na anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

“Ligjvënësit amerikanë kanë pasur shumë të drejtë që i kanë kërkuar presidentit amerikan Joe Biden që të intervenojë në dialog, sepse Republika e Kosovës është produkt i vetë SHBA-ve, ku edhe presidenti aktual e dërgon djalin e vet që të shërbejë në vendin tonë, duke u ndihmuar në rregullimin e sistemit të drejtësisë, e kjo gjë dëshmon së miqësia është jashtë kufijve, me këtë do të them së është një mundësi shumë e mirë edhe për ne, pasi që z.Biden mund të na hapë dyert edhe më lart duke na anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, duke i vënë pikën dialogut edhe mbyllur konfliktin me Serbinë, pra me ndërhyrjen e SHBA-ve mund të arrihet ajo që po kërkohet”, ka përfunduar analisti Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat