Rifillon ‘lufta’ e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, si të veprohet

Politika

Rifillon ‘lufta’ e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, si të veprohet

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 tetor 2021 Në ora: 22:43
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Pas skadimit të marrëveshjes së Uashingtonit me 4 shtator, e cila ia ndaloi shtetit serb lobimet e saj kundër Kosovës, tani ka filluar një fushatë e ‘egër’ e Serbisë.

Disa ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç vizitoi disa vende të botës si Venezuelë dhe Indonezi, ku loboi kundër njohjes së Serbisë, shtete të cilat e përkrahën hapur kërkesën e ministrit serb.

E në anën tjetër, në prag të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare UNESCO dhe INTERPOL, Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë, DSS dhe 23 shoqata joqeveritare kërkuan nga Qeveria serbe ta rifillojë luftën në parandalimin e hyrjes së Kosovës në këto organizata.

"Njoftimet e fundit të Prishtinës se do të vazhdojë kandidaturën e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë një konfirmim i nevojës për të përmirësuar bashkëpunimin diplomatik dhe çdo lloj tjetër midis vendit tonë dhe vendeve që më parë kanë refuzuar të votojnë për hyrjen e Kosovës në Interpol dhe në vendet tjera evropiane dhe institucionet botërore”, u shpreh presidenti i DSS, Milos Jovanoviç.

Siç tha presidenti i POKS, Zika Gojkoviç, “detyrimi ynë nga marrëveshja e Uashingtonit, e cila ndalon lobimin për tërheqjen e njohjes, ka skaduar dhe Serbia duhet të fillojë një fushatë të mprehtë dhe të fortë”.

Pula: Këto dy arsye i kanë lënduar institucionet tona diplomatike

Image
Shqiprim Pula

E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shteti serb asnjëherë nuk e ka ndalur agresivitetin e saj ndaj shtetit tonë.

Po ashtu, ai u shpreh se gjatë këtyre viteve Serbia i ka shfrytëzuar disa dobësi të UE-së, për t’i shtyrë interesat e saj strategjike për të minuar shtet bërjen e Kosovës.

“Serbia, në kuptimin e politikës së jashtme, që kur është shpallur pavarësia e Kosovës më 2008-tën, nuk e ka ndalur asnjëherë agresivitetin e saj karshi shtetësisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe sfidimin që i ka bërë vendeve perëndimore mike të Kosovës, duke e shfaqur fuqinë reale që ka dhe asaj që pretendon më pas, brenda shteteve të Unionit Evropian (UE-së) dhe në arenën ndërkombëtare. Por, se çfarë ka bërë Serbia në dy dekadat e fundit e specifikisht nga shpallja e mëvetësisë nga ana e Kosovës, i ka shfrytëzuar disa dobësi të UE-së, për t’i shtyrë interesat e saj strategjike për të minuar shtet bërjen e Kosovës. Po pse ka ndodhur kjo? Edhe për një arsye shtesë, sepse ndër vitesh, ne kemi pasur politikë të jashtme e improvizimeve!”, deklaroi ai.

Sipas Pulës, paralajmërimit e shtetit serb për fushatën kundër aplikimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare UNESCO dhe INTERPOL, janë si rezultat i skadimit të marrëveshjes e cila ia ka ndaluar këtë gjë.

“Paralajmërimet e sërishme nga ana e Serbisë, për fushatë kundërshtimi, mbi aplikimet e mundshme të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, hapur po i arsyeton me kalimin e afatit një vjeçar të moratoriumit. Sepse, së fundmi, në kuadër të zotimeve të nënshkruara më 4 Shtator, 2020 në Uashington, Kosova pranoi të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit do të pezullohej çdo aktivitet diplomatik për mos-aplikim, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Dhe për rrjedhojë, Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare. Ndërkaq, po i njëjti zotim, obligoi Serbinë që të pezullojë agresivitetin e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës”, theksoi njohësi i çështjeve ndërkombëtare.

Në vazhdim, ai potencoi se politikës së jashtme të Kosovës i ka munguar një strategji e duhur për mbrojtjen e interesave të shtetit. E në lidhje me këtë, Pula përmendi disa arsye të cilat e kanë ‘lënduar’ institucionet tona.

“Kosovës i ka munguar një strategji e duhur e politikës se jashtme dhe veprimeve strategjike për të promovuar dhe mbrojtur interesat vitale të Republikës, siç mund të gjenden tek shtetet tjera serioze. Por pse kemi pasur këtë lloj lëngimi në të krijuar, përcaktuar dhe vepruarit si pozicionim shtetëror tek politika e jashtme është për të paktën dy arsye që kanë lënduar institucionet tona; e para, se kapitali njerëzor, ndër vitesh i rekrutuar, natyrisht me pak përjashtime, ka qenë e theksuar afërsia politike dhe grupeve të interesit, duke pasur më pastaj një seri skandalesh e dështimesh për shkak të atyre personave me (pa) përgatitje adekuate minimale e deri tek persona me të kaluar të dyshimtë; dhe, e dyta, që po ashtu lidhet ngushtë me arsyen e parë, është pazotësia e atyre bartësve të përgjegjësive institucionale për një politikë të jashtme me vizion e largpamëse”, nënvizoi Pula.

Krejt në fund, ai tha se me përfundimin e moratoriumit një vjeçar, Kosova do të duhej që ta kishte gati strategjinë për aplikimin në organizatat ndërkombëtare.

“Pushimi diplomatik apo moratoriumi njëvjeçar, i dalë në kuadër të zotimeve të nënshkruara më 4 Shtator 2020 në Uashington, Kosova do të duhej të bënte gati strategjinë dhe veprimet strategjike mbi të cilën do bazohej e gjithë garnitura shtetërore për hov aplikimesh nëpër organizata ndërkombëtare dhe lobimesh për njohje të shtetësisë. Po si do të mund të realizohej kjo? Sipas një plani konkret e të detajuar me objektiva e afate kohore dhe resurse njerëzore, duke përcaktuar strategjitë mbi vlerat kombëtare, interesat strategjike të Republikës, përgjegjësitë strategjike si dhe përcaktimin e përparësive për të arritur suksesin”, përfundoi Shqiprim Pula.

Kelmendi: Kosova ka forca për punë diplomatike!

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, profesori Muhamet Kelmendi, konsideron se raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë të rënda.

Ai në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot”, tha se Serbia po ka sukses me aksionet e shumta të cilat po i ndërmerr kundër Kosovës.

“Raportet me shtetin serb janë të rënda. Serbia e konsideron Kosovën pjesë të saj, ky shtet nuk po mund të pajtohet që e ka humbur luftën më 1999 dhe se Kosova tashmë është Republikë. Mbështetur në idenë e Kosovës serbe po ndërmerren aksione të shumta, ato po drejtohen kundër Kosovës dhe tash ka një kohë që po bëhen propaganda për tërheqjen e njohjeve të bëra kundruall Kosovës, ku në këtë anë ka pasur edhe suksese”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Kelmendi vlerëson se politika e jashtme e Kosovës është në gjumë të thellë dhe nuk po e kryen punën e saj diplomatike. Ku në këtë rast përmendi disa fakte të cilat e vërtetojnë se Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka përgatitjen e duhur profesionale.

“Kosova është treguar jo aktive në punën e jashtme, tash është në gjumë të thellë dhe fare nuk po bënë punë diplomatike. Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e diasporës nuk po dinë të bëjnë punë. Ambasadat janë pa personel zyrtar ose me personel, por me përgatitje diplomatike të dobët dhe kështu është edhe përfaqësimi. Nuk po bëjmë punë nëpër organizata dhe shtete, kemi rënë në gjumë të rëndë. Kosovës i duhet një ministër i Punëve të Jashtme shumë i përgatitur dhe që ka mundësi të krijojë lidhje të forta”, theksoi profesori.

Në vazhdim, ai përmendi edhe rëndësinë e diasporës në këtë temë, e që sipas tij mërgata nuk po shfrytëzohet në mënyrë të duhur nga MPJ.

“Diaspora është lënë nën mëshirën e fatit, për atë nuk po kujdeset askush. Pikërisht në diasporë kërkohet veprim, në vendet ku shqiptarët kane krijuar lidhje të mira. Ato lidhje duhet shfrytëzuar dhe kjo bëhet kur kemi një ministri të aftë dhe punuese. Askund në botë nuk kemi përfaqësim adekuat, në Kosovë duhet të veprojnë dhe të manifestojnë shumë organe të jashtme. Por, suksesi jashtë vendit varet nga suksesi brenda vendit”, përfundoi Kelmendi.

Në fund, profesori konsideroi se nuk po bëhen mjaftueshëm vizita me diasporën dhe në rastet kur ato bëhen, janë vetëm për fotografi.

Ai kërkoi edhe përfshirje më të madhe në diasporës, të cilët kanë një fuqi vepruese.

“Kurrë nuk patëm vizita me diasporën. E kemi bërë praktike që verës të fotografohemi me mërgimtarët, ndoshta të mbajmë ndonjë takim dhe me atë po kënaqemi. Mërgimtarët duhet të futen në veprim, ata kane fuqi vepruese, lidhjet i kanë dhe për këtë duhet një qeveri funksionale dhe e përgatitur për punë diplomatike. Kemi mundësi të organizojmë edhe grupe punuese për punë diplomatike. Republika jonë ka forca”, përmbylli Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat