Kërkesat ‘speciale’ të Serbisë, vjen thirrja për bashkësinë ndërkombëtare - kjo është porosia për Kurtin

Politika

Kërkesat ‘speciale’ të Serbisë, vjen thirrja për bashkësinë ndërkombëtare - kjo është porosia për Kurtin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 tetor 2021 Në ora: 19:13
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Që nga vendosja e reciprocitetit të targave ndaj Serbisë, ka pasur shumë debate dhe reagime të ndryshme.

Madje, shteti serb e ka bërë atë që di më së mirë, viktimizimin përballë bashkësisë ndërkombëtare, duke kërkuar një trajtim të veçantë karshi Kosovës.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka kundërshtuar drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips.

Ai ka thënë se vendosja e reciprocitetit nga Kosova është e vonuar, derisa ka shtuar se Serbia duhet të ndalojë së kërkuari trajtim special nga bashkësia ndërkombëtare.

“Mendoj se Serbia duhet të ndalojë së kërkuari trajtim special nga bashkësia ndërkombëtare. Standardet e dyfishta nuk janë të zbatueshme”, deklaroi Phillips, përcjell “Bota sot”.

Analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, komentuan kërkesat ‘speciale’ të Serbisë ndaj Kosovës dhe deklaratën e David Phillips.

Ata vlerësuan se ndër fajtorët kryesore për këtë viktimizim të Serbisë janë qeveritë e mëparshme, të cilët nuk iu janë qasur në mënyrë të duhur bisedimeve në Bruksel.

Mehazi: Fati i Kosovës do të varet prej veprimeve të Qeverisë Kurti, jo nga kërkesat speciale të Vuçiqit

Njohësi i çështjeve politike dhe njëherësh profesori, Sulejman Mehazi, u shpreh se David Phillips me deklaratën e tij e argumentoi inferioritetin e qeverive të mëparshme përballë Serbisë.

Image
Sulejman Mehazi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se reciprocitetin e targave është dashur ta vendosin qeveritë e mëparshme të Thaçit, Mustafës, Haradinajt e Hotit.

“Sesa inferiorë kanë qenë qeveritë e mëparshme të Kosovës përballë Serbisë argumenton Drejtori i Programit për Paqe dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, i cili deklaroi "se vendosja e reciprocitetit nga ana e Kosovës është vonuar", që nënkupton se reciprocitetin e targave serbe ndaj Serbisë është dashur ta bëjnë qeveritë e mëparshme të Thaçit, Mustafës, Thaçit, Haradinajt, Hotit e jo të pritet deri sa të vije Albin Kurti në krye të qeverisë së Kosovës e t'i kundërvihet Serbisë me të njëjtat masa shtetërore”, deklaroi analisti.

Gjithashtu, Mehazi vlerësoi se porosia politike e Phlipis ishte e qartë dhe me atë ua bëri me dije fajtorët kryesorë për kërkesat speciale serbe ndaj Kosovës janë partitë e mëparshme që kanë qenë në pushtet.

“Porosia politike e zotëri David Phillips është aq e qartë dhe e pastër sa që hapur ua bëri me dije partive të mëparshme qeveritare të Kosovës se pikërisht ata janë fajtorë numër një për kërkesat e mëtutjeshme speciale serbe ndaj Kosovës, se veprimet e tyre politike psikolabile, inferiore, poshtëruese, naive e kanë detyruar Vuçiqin e Serbisë të bënte kërkesa të vazhdueshme speciale viktimizuese para diplomatëve ndërkombëtarë kundrejt Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti e zbërtheu edhe porosinë e Phillipsit për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me kërkesat speciale të Vuçiqit.

“Një ashtu, deklarata e zotëriut të lartë evropian për Paqe e Drejtësi, David Phillips, porosit edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se fati i Kosovës do të varet prej veprimeve të tij qeverisëse e kurrsesi nga kërkesat speciale të Vuçiqit, se Kosova do të varet sipas Kushtetutës shtetërore të saj”, potencoi Mehazi.

Në fund, ai tha se Phillips i kërkoi Qeverisë Kurti të veprojë sipas Kushtetutës, ligjeve e neneve të Kosovës e jo sipas kërkesave speciale serbe.

“Shkurt e qartë, deklarata e funksionarit të lartë evropian, David Phillips, porosit qeverinë e Kosovës të Albin Kurtit që të veprojë sipas kushtetutës, ligjeve e neneve të Kosovës e jo sipas kërkesave speciale serbe, sa është shtet Serbia aq është shtet edhe Kosova, hiq më pak e më shumë”, përfundoi Sulejman Mehazi për "Bota sot".

Krasniqi: Qeveritë e mëparshme iu kanë qasur dialogut si të verbër

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi, e mbështeti deklaratën e David Phillipsit lidhur me reciprocitetin e targave ndaj Serbisë.

Ai gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot”, tha se reciprociteti do të duhej të vendosej kohë më parë dhe të mos i jepej hapësirë Serbisë të viktimizohet dhe t’i vendos kushte Kosovës.

“Deklarata e Drejtorit të Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips është e vërtetë pasi që nga pas lufta është dashur të zbatojnë parimin e reciprocitetit, e jo të dorëzohemi para çdo procesi, pavarësisht se kush na këshillon, gjersa Serbisë duke u viktimizuar dhe duke kundërshtuar çdo kërkesë që ka të bëjë me Republikën e Kosovës arriti deri në atë pikë që ne ta lusim çdo ditë”, deklaroi Krasniqi.

Po ashtu, analisti përmendi edhe faktin se si tregu ynë është pushtuar nga produktet serbe dhe Serbia vazhdon të na akuzojë dhe bllokojnë në çdo proces.

“Derisa tregu jonë pushtohet nga produktet serbe ne heshtim duke i blerë të gjitha dhe ata nuk e ulin kokën por viktimizohen dhe na akuzojnë për gjithçka duke na bllokuar në çdo proces”, theksoi ai.

Në fund, Krasniqi kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që ta trajtojë Kosovën si shtet të barabartë me Serbinë.

Mirëpo, ai fajësoi edhe qeveritë e kaluara që kanë dialoguar me Serbinë në mënyrë jo të duhur, duke hyrë në bisedime pa ndonjë plan dhe synim konkret.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e drejtë dhe të mos anojë nga asnjëra palë pasi që edhe ne jemi shtet duhet të trajtohemi të barabartë, atëherë edhe reciprociteti nuk do të ishte diçka e zhurmshme dhe pengesë për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje finale. Gabimi ka qenë që nga fillimi nga pala kosovare sepse s'ka ditur se çka po kërkon nga dialogu, por vetëm i janë qasur dialogut si të verbër”, përmbylli Islam Krasniqi për gazetën "Bota sot".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat