Njohja e Kosovës nga Serbia po diskutohet edhe në Rusi

Politika

Njohja e Kosovës nga Serbia po diskutohet edhe në Rusi

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 tetor 2021 Në ora: 08:31
Ilustrim

Tri ditë më parë është mbajtur Samiti i Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë.

Pjesëmarrës ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar vizat për qytetarët e Kosovës.

Se mes dy vendeve duhet të vazhdojë dialogu e thanë edhe pjesëmarrësit në atë Samit.

Kurse, Aleksandër Vuçiq, në Samitin në Slloveni deklaroi se shteti i tij nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet Bashkimit Evropian nëse nuk zgjidh çështjet e pazgjidhura me Kosovën.

“Pa i zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së”, tha ai.

Siç duket, Serbia e ka të qartë se pa njohur Kosovën nuk do të futet në BE.

Peçani: Deklarata e Vuçiq, shantazh BE-së

Lidhur me këtë, analisti Ruzhdi Peçani, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se në atë Samit u konstatua gatishmëria për zgjerim dhe anëtarësim, por jo edhe termini.

Image
Ruzhdi Peçani

“Në Forumin strategjik në Bërdo, në të cilin u fol për ardhmërinë e BE dhe për atë se si shtetet, vendet e rajonit përjetojnë BE, po dhe ajo se sa prezent është euroskepticizmi në këto shtete. Çka u konstatua nga ky samit i BE dhe Ballkanit Perëndimor – gatishmëria për zgjerim dhe anëtarësim, por jo edhe termini. Do thotë se kronometri dhe karotat vazhdojnë edhe tutje. Një “herezi politike”me fjalime dhe deklarata kurtoazie se BE nuk do jetë e kompletuar përderisa të gjitha vendet e Ballkanit nuk do jenë anëtare të BE-së që është interes i dyanshëm strategjik. Dhe Oliver Varhelji, komisioner për zgjerim, do thoshte se nuk bëhet fjalë këtu vetëm për zgjerimin gjeografik të BE, por edhe për çështjet e integrimit politik, ekonomik po edhe të sigurisë. Ky do thoshte: “BE nuk guxon në këtë rast” dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kalojnë nëpër proceset që janë domosdoshmëri për anëtarësim. Kristian Schmidt, përfaqësues i lartë në B&H, theksoi se mossuksesi i BE qëndron edhe në atë që me Tiranën (Shqipërinë) dhe Shkupin (Maqedoninë e Veriut) nuk kanë filluar bisedimet, dhe se njerëzit në rajon po humbasin besimin tek Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklarata e Vuçiq thotë se nuk ishte rastësi, duke shtuar se për Vuçiq nuk mund të thuhet se është politikan kontraverz por dinak dhe hipokrit, ashtu si që mbështetet politika serbe, në gënjeshtra dhe mashtrime.

“Para se të udhëtonte për Bled, Vuçiq kishte thënë se “do jem i suksesshëm atje falë përvojës dhe mendimeve pozitive që kam”. Ky e dinte mirë se në çfarë konteksti e kishte thënë këtë. Nuk ka qenë rastësi që ky ishte dikur Ministër i propagandës i rrethit të Millosheviq. Teza: “Pa i zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së”. Dhe çfarë tha presidenti Serbisë mes tjerash-do thotë: “Pa i zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së”. Po pse e kish thënë këtë? Duke thënë tjetrën se “njohjen nuk më ka kërkuar askush deri tani”. Pra këtë pohim e marrim si tezë të Vuçiq. Për ta kuptuar këtë të shohim edhe deklarimet tjera që bënë, me fjalë kurtoazie për Bashkimin Evropian. "Besoj në Evropën e bashkuar, të gjithë ne duhet të jemi brenda kornizës së saj”, thotë Vuçiq. "Kjo edhe këtu në Bled mund të hetohet", duke falënderuar organizatorët që i mundësuan të paraqes idetë e Serbisë, po edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. "Serbia është fuqimisht e përcaktuar për rrugën evropiane, por duhet jetuar, të përmirësojmë kushtet e jetesës të qytetarëve tanë dhe kujdesemi për veten bashkë me fqinjët tanë. Vuçiq, para gazetarëve,”Jam falënderuar në emër të Serbisë për një mori investimesh dhe parave që ka pranuar vendi im”. "Kam folur të vërtetën, sikur që kam shtruar disa pyetje…, se çfarë do bëhet pas shkuarjes së kancelares e Angela Merkel". Për Vuçiq nuk mund të thuhet se është politikan kontraverz por dinak dhe hipokrit, ashtu si që mbështetet politika serbe, në gënjeshtra dhe mashtrime”, shpjegon tutje analisti.

Më tej sqaron se, deklarata e presidentit serb, po kontribuojnë në angazhimin dhe investimet të Bashkimit evropian në Serbi që janë të dukshme dhe të prekshme.

“Presidenti i Këshillit të Evropës Charles Michel në Bled do thoshte për rëndësinë e shkëmbimit të mendimeve dhe dialogut, duke thënë edhe për bisedën direkte me presidentin Vuçiq, ka kontribuar në angazhimin dhe investimet të Bashkimit evropian në Serbi që janë të dukshme dhe të prekshme. Kjo do i pëlqente shumë presidentit serb, kur Michel dhe kishte thënë se nga biseda presidenti Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një rast i kishte thënë se Serbia ka nevojë edhe më shumë për investime dhe angazhim të BE. Dhe Charles Michel vazhdon, në panelin e Liderëve: "Pas kësaj kemi vendosur në nivelin evropian të mobilizojmë para pa presedan, që të jemi sa më të prekshëm dhe të dukshëm për popullin tuaj dhe do jemi më shumë të angazhuar”, Presidenti Serbisë kishte shtuar: "e gjitha kjo qëndron e vërtetë". “Presidenti Serbisë Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar, para medieve,se është takuar në Brdo edhe me kryeministrin e Greqisë Kiriakos Micotakis, i cili i kishte deklaruar se Athina zyrtare vazhdon të mbështes integritetin territorial të Serbisë. Dhe se ka kontaktuar edhe me kryeministrin spanjoll, atë sllovak dhe presidentin rumun, si dhe përfaqësuesit e shteteve të BE që nuk kanë njohur “pavarësinë e ashtuquajtur të Kosovës”. Kjo nuk do koment!”, deklaron Peçani.

Në fund analisti potencon që mënyra që po përdor Vuçiq dhe po i thur elozhe BE-së, Serbia po vazhdon të marrë ledhatime dhe të konsumojë karrot pa asnjë ndëshkim.

Ai shton që, me të tilla deklarata, Serbia po i bënë shantazh BE-së, sepse ajo ka dyzime për anëtarësimin në BE dhe kaherë ecën në dy binarët atë të BE dhe Rusisë.

Antiteza: E gjitha të mbështetura në gënjeshtra dhe hipokrizi

“Dhe antiteza për këtë se “Pa i zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së” dhe elozhet që i thur Bashkimit Evropian dhe Evropës, janë hipokrizi dhe dinakëri që Vuçiq i ka si atavizëm nga të parët e politikës serbe, të Dobrica, se politika serbe mbështetet në gënjeshtra dhe mashtrime. Dhe me këso politike dhe diplomacie, arrin të marri ledhatime nga Evropa, të konsumoj karrota pa asnjë ndëshkim.

Atëherë ku qëndron qëllimi i diplomacisë serbe? – Sinteza

Serbisë i leverdisë se nga ky takim nuk përmendet termini. Serbia edhe është qëllimisht ka prolonguar në hapjen e kapitujve për integrim. Se pa zgjidhur çështjet me Prishtinën ka ditur kaherë, këtu i bënë shantazh BE, edhe prolongimi i dialogut me Kosovën i shkon përshtati. Serbia ka dyzime për anëtarësimin në BE dhe kaherë ecën në dy binarët atë të BE dhe Rusisë, deri dje edhe të Kinës dhe SHBA. Në një rast Presidenti i Serbisë, konferencë për mediet, pas kthimit në Beograd, kishte deklaruar se “një natë nuk kam fjetur, në Brdo nga preokupimi për energjinë”. Vuçiq mund të mbetet pa gjumë kur kujton se duhet takuar me Kryeministrin Albin Kurtin në Bruksel. Nuk do e merrte gjumi ngase di fort mirë, se për njohje të Kosovës tani duhet patjetër të dëgjoj se çfarë do i thotë Rusia. Kjo se çështja e njohjes tani është vendosur edhe në oborrin rus (si Ukraina dhe ish republikat tjera sovjetike), dhe kjo tani si prioritet i Moskës. Ballkani qëndron në sferën e interesit rus, po megjithatë jo aq i rëndësishëm sa „oborri“ i saj. Serbia ka kuptuar, si duket, në gjeopolitikë nuk qëndron dashuria, sentimentalizmi, vëllazëria dhe ortodoksizmi, por interesi që edhe ndryshojnë nga viti në vit. Këtë e ka kuptuar Serbia nga Rusia dhe kishte rënë në kthetrat e saj duke ia kontrolluar tërë energjetikën. Dhe për këtë nuk bënë gjumë të rehatshëm Vuçiq”, përfundon analisti Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.

Kuçi: Deklarata të Vuçiqit janë përgatitje për opinionin serb

Njohësi i çështjeve politike, Gurakuç Kuçi ka thënë se Serbia e ka fatin të lidhur me çështjen e Kosovës sepse zgjidhja e këtij problemi nuk nënkupton vetëm një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe distancim i këtij të fundit nga tendencat e saj imperialiste në Ballkanin Perëndimor.

Image
Gurakuç Kuçi

 

“Serbia e ka fatin të lidhur me çështjen e Kosovës sepse zgjidhja e këtij problemi nuk nënkupton vetëm një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe distancim i këtij të fundit nga tendencat e saj imperialiste në Ballkanin Perëndimor. Në këtë rast edhe Kosova e ka fatin e saj për në BE të lidhur me Serbinë. Në MSA-në e Serbisë nga BE-ja, gjegjësisht në kapitullin 35 është decedivisht e cekur që Serbia duhet të ketë paqe dhe fqinjësi të mirë. Serbia këtë gjë e di që nga viti 2013 kur Komisioni Evropian kishte dhënë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Vuçiq një deklaratë të ngjashme e ka dhënë edhe në vitin 2015 gjatë kohës kur ishte në postin e kryeministrit të Serbisë”, sqaron ai.

Ai për deklaratat e presidentit serb thotë që janë përgatitje për popullin e tij, sepse ata duhet të shkojnë drejt përfundimit të zgjidhjes së problemit të Kosovës.

“Këto deklarata të Vuçiqit janë përgatitje për opinionin serb që ata duhet të shkojnë drejt përfundimit të zgjidhjes së problemit të Kosovës në çfarëdo mënyrë nëse ata e dëshirojnë karrotën e BE-së, përndryshe do të mbesin jashtë BE-së dhe duke mbetur jashtë kështu do vazhdojë vetëm ngecja prapa e Serbisë. Përveç kësaj, Serbia ka zona brenda vendit të saj që po mbesin të zbrazëta që tejkalojnë madhësinë e Kosovës dhe kështu ata po e humbin edhe vet Serbinë e gjallë.

Në të vërtet në një gjendje të tillë me ikje masovike po përballet i gjithë Ballkani Perëndimor dhe janë duke u bërë vende të dështuara, vende ku askush nuk dëshiron të jetoj e as të kthehet”, thekson analisti. 

Në fund shton që, Vuçiq nuk e gjeti vendin për viktimizim kur mori goditjen për reciprocitet nga Kosova.

“Serbia dhe Vuçiq edhe më shumë tani do të forcojnë tendencën për rrugën evropiane, ku po shohim që bota po futet në kriza të reja ekonomike, pandemike e energjetike dhe në anën tjetër po ashtu nuk gjeti më vendin e viktimizimit kur mori goditjen për reciprocitet nga Kosova”, përfundon analisti Gurakuç Kuçi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat