“E kanë harruar liderët e Kosovës”/ Avokati shqiptar: Kurti ta kërkojë edhe këtë gjë nga Serbia, të përfshihet në proces edhe një shtet

Politika

“E kanë harruar liderët e Kosovës”/ Avokati shqiptar: Kurti ta kërkojë edhe këtë gjë nga Serbia, të përfshihet në proces edhe një shtet

Nga: A.Zh Më: 10 tetor 2021 Në ora: 13:05
Spartak Ngjela

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova do të shtojë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë në shumë fusha, e jo vetëm për targat e automjeteve. Ai ka thënë se reciprociteti do të jetë qasja kryesore se si Kosova do t’i trajtojë marrëdhëniet me Serbinë.

Kryeministrin për këtë qasje po e përkrah avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela. Duke folur për gazetën “Bota sot”, Ngjela ka thënë se megjithatë, termi “reciprocitet” nuk është term efikas, pasi Kosova sipas tij, ka fituar të drejtat nga njohja e saj ndërkombëtare e pavarësisë.

“Më duhet ta them që në fillim të kësaj përgjigjeje se, termi reciprociteti nuk është një term shumë efikas, dhe çështja nuk është retorikë. Kosova, në funksion të Serbisë, ka ceduar nga të drejtat e saj universale. Zotërinj; ju nuk i keni marrë ndaj pushtuesit të gjitha të drejtat që ndërkombëtarisht ju jep pavarësia juaj”, është shprehur Ngjela.

Ai ka theksuar se shqiptarët e Kosovës nuk po e kërkojnë të drejtën e tyre për dëmshpërblim nga tmerri i gjenocidit dhe pushtimit serb.

“Duhet të kujtohemi që Serbia nuk është një shtet me histori normale në fqinjësi me shqiptarët, sepse Serbia ka qenë një shtet pushtues territoresh të gjera të banuar nga shqiptarët autoktonë. Dhe, brenda këtij pushtimi, shqiptarët e Kosovës kanë përjetuar tmerre. Edhe dëmshpërblimi i tmerrit gjenocidal është ende një e drejtë që shqiptarët nuk po e kërkojnë”, ka thënë më tej avokati për “Bota sot”.

Ai ka kritikuar krerët institucionalë në Kosovë, duke thënë se kanë harruar faktin se Kosova është fituese e luftës kundër pushtuesit shekullor, duke lejuar pabarazi në marrëdhëniet bilaterale me Serbinë.

“Në vitin 1999 Serbia e ka humbur luftën me shqiptarët dhe më pas Kosova ka shpallur pavarësinë. Tani Kosova është një shtet shqiptar i pavarur. Por, lidershipet krerë të Kosovës shpesh e kanë harruar këtë fakt, dhe prandaj, në ecurinë historike Kosova sikur e ka harruar që është fitues i luftës kundër pushtuesit shekullor; dhe, brenda kësaj "harrese", ka lejuar pabarazi në marrëdhëniet bilaterale të te dy shteteve”, ka theksuar Spartak Ngjela.

Sipas tij, Kurti duhet të përkrahet për reciprocitetin, mirëpo, ai ka theksuar se kryeministri duhet të kërkojë më shumë të drejta që ia jep ligji ndërkombëtar, shtetit të pavarur të Kosovës. Ngjela ka kërkuar edhe përfshirjen e Shqipërisë në këtë temë.

“Termi reciprocitet është shumë pak. Megjithatë, kryeministri Kurti, nëse politikisht, me këtë term fsheh vijimin në kërkim të te drejtave universale të Kosovës, bën shumë mirë. Nga ana tjetër, unë mendoj se në këtë çështje duhet të përfshihet edhe Shqipëria, e cila ende nuk po ia kërkon Serbisë dëmet e luftës së vitit 1999. Gjithsesi, reciprociteti i kryeministrit Kurti duhet përkrahur, por edhe vet kryeministri duhet ta shtyjë këtë çështje në një proces që duhet të ecë: nga reciprociteti, te të drejtat që i jep ligji ndërkombëtar shtetit shqiptar të pavarur të Kosovës; për të gjithë të drejtat e saj ndaj një pushtuesi gjakatar”, ka shtuar avokati Spartak Ngjela për “Bota sot”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat