Pas marrëveshjes së Brukselit, paralajmëron eksperti i sigurisë: Këto janë veprimet e ardhshme të grupeve kriminale të Serbisë

Politika

Pas marrëveshjes së Brukselit, paralajmëron eksperti i sigurisë: Këto janë veprimet e ardhshme të grupeve kriminale të Serbisë

Nga: A.M Më: 10 tetor 2021 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Pas tensioneve të shkaktuara nga vendosja e reciprocitetit të targave, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në Bruksel.

Ku me këtë rast u tërhoqën protestuesit serbë dhe Njësia Speciale e Kosovës, derisa u vendos KFOR-i me qëllim të menaxhimit të kësaj situate.

Me këtë marrëveshje parashihet që KFOR-I të qëndrojë në veri për gjashtë muaj.

Mirëpo se çfarë mund të ndodhë pas përfundimit të kësaj marrëveshje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se përmes marrëveshjes në Bruksel po tentohet të gjendet një zgjidhje politike, përmes monitorimit të KFOR-it.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“Në lidhje me situatën e krijuar pas marrëveshjes në Bruksel, në lidhje më krijimin e zonës së sigurisë të monitoruar nga ana e KFOR-it për 14 ditë e pastaj po tentohet që të gjendet një zgjedhje politike”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Në vazhdim, Shala tha se në aspektin e sigurisë është krijuar një hapësirë që në të ardhmen grupet kriminale të Beogradit të gjejnë ‘shpëtim’ në bllokimin e rrugëve.

Po ashtu, ai potencoi se në të ardhmen do të tentohet të barazohen njësitë policore të Kosovës me këto grupe kriminale.

“Por, në aspektin e sigurisë është krijuar një precedent që në të ardhmen të jepet hapësirë që veprimet kriminale të grupeve të lidhur më Beogradin, në rast intervenimi nga ana e Policisë së Kosovës këto grupe të gjejnë shpëtimin nën petkun e bllokimit të rrugëve dhe që intervenimi policore të barazohet më këto grupe në të ardhmen”, theksoi ai.

Në fund, eksperti i sigurisë tha se pas përfundimit të kësaj marrëveshje mund të cenohet siguria dhe stabiliteti i brendshëm i Kosovës.

“Pra, një risk është tejet i lartë nga një marrëveshje e tillë e cila mund të cenojë sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm të Kosovës ku pritet të jetësohet edhe Asociacioni i Komunave Serbe”, përmbylli Drizan Shala, përcjell “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat