Çfarë po fsheh Haradinaj me akuzat kundër Kurtit?/Bytyçi tregon arsyet pse Kryeministri po sulmohet nga opozita!

Politika

Çfarë po fsheh Haradinaj me akuzat kundër Kurtit?/Bytyçi tregon arsyet pse Kryeministri po sulmohet nga opozita!

Nga: M.H. Më: 10 tetor 2021 Në ora: 19:02
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Që kur VV mori nën qeverisje vendin, opozita nuk po mund të këndellet, duke mos e pranuar ende faktin që tashmë Kurti është kryeministër i vendit. 

I zëshëm me deklarata kundër qeverisë po mbetet kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. 

Ai së fundmi bëri edhe deklaratë në lidhje me gazsjellësin amerikan, që sipas tij është projekt rus, mirëpo që e njejta u kundërshtua nga Kurti dhe nga ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli. 

Ajo u shpreh se këtë deklaratë e kishte dëgjuar nga presidenti Vuçiq dhe tashmë nga Haradinaj. 

Në lidhje me këtë deklaratë të Haradinajt për Kurtin, ka folur për “Bota sot”, profesori universitar, Enver Bytyçi. 

Ai u shpreh se qeveria e Kosovës është duke e menduar çdo detaj të këtij projekti dhe është shumë normale të kalkulohen avantazhet dhe disavantezhet. 

Këtë veprim të qeverisë po e përkrahin edhe ekspertët e vendit duke thënë se i njejti projekt mund të bëhet përmes Shqipërisë. 

Image
Enver Bytyçi

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar mundësinë e propozimit amerikan për furnizimin e vendit me gaz përmes Maqedonisë dhe portit të Selanikut dhe ka thënë se asaj i duhet kohë ta shqyrtojë efektivitetin ekonomik dhe impaktin që sjellë ky propozim. Çdo qeveri serioze në botë do ta bënte këtë veprim të qeverisë Kurti. Nëse qeveritë e drejtojnë vendin pa kalkuluar se cilat janë avantazhet ose disavantazhet e propozimeve të tilla. Jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe nga pikëpamja ekonomike. Ekspertët mendojnë se vendimi i qeverisë për ta shtyrë vendimin e saj për këtë projekt është i drejtë. Madje ata thonë se projekti amerikan e trajton furnizimin me gaz të Kosovës përmes Maqedonisë nga gazsjellësi TAP dhe më pas Selanikut për t’u furnizuar nga cisternat amerikane të gazit në këtë port. Por ekspertët besojnë se e njëjta gjë mund të bëhet përmes Shqipërisë”, u shpreh ai. 

Profesori më tej thotë se Haradinaj është mësuar ta drejtojë shtetin duke mos bërë asnjë llogari, njejt sikur Thaçi dhe Mustafa, pasi edhe e kanë sjellë vendin në këtë pikë. 

Sipas profesorit metodat autokratike dhe pa llogari të shtetit janë akte që shkojnë në shërbim të Rusisë dhe Serbisë. 

Gazsjellësi TAP kalon edhe nëpërmes Shqipërisë. Shqipëria ka gjithashtu katër porte, përfshirë portin e madh të Durrësit, ku mund të vijnë e shkarkohen cisternat amerikane të gazit, me të cilat furnizohet Kosova. Kësisoj një qeveri e përgjegjshme, pa iu shmangur detyrimeve politike, mpreh lapsin dhe shqyrton alternativë. Mesa duket ish-kryeministri Haradinaj është mësuar të drejtojë shtetin me praktikat e një shtetari që nuk bën llogari. Kjo e ka shkatërruar Kosovën. Thaçi dhe Haradinaj e deri diku edhe Mustafa kanë drejtuar vendin sipas konjukturave politike, duke u bazuar në interesa të ngushta e jo në metodat e drejtimit ekonomik të një vendi. Në këto kushte kanë lulëzuar korrupsioni, vjedhja, grabitja dhe krimi i organizuar. Unë besoj se metodat autokratike dhe pa llogari të shtetit, korrupsioni, krimi i organizuar, vjedhjet e grabitjet e pasurisë publike janë akte që shkojnë në shërbim të Rusisë dhe Serbisë. Kjo sepse fenomenet e mësipërme që lulëzuan në qeverisjet e mëparshme e dëmtojnë dhe e shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës. Ky është dhe mbetet problemi kryesor dhe shërbimi më i madh që shtetarët e Kosovës i kanë bërë armiqve të vendit të vet”, thotë Bytyçi. 

Nga ana tjetër, ai shton se Haradinaj po bëhet aktiv duke akuzuar Kurtin dhe u parë si një politikan pro-rus dhe vënë në pikëpytje qëndrimin e tij në burgjet serbe. 

Pavarësisht gjithë kësaj, profesori nuk lë anash kohën kur Haradinaj mbrojti kufijtë nga Thaçi, Rama dhe Haxhiu mirëpo që deklarata e fundit tregon të kundërten e saj. 

Nëse ata do të kishin bërë studime alternative, nëse do të kishin realizuar tendera të drejtë dhe bazuar në ligje, nëse nuk do të grabisnin tokat shtetërore të Kosovës, nuk do të kishte korrupsion, por do të kishim një shtet të respektuar të Kosovës në botë. Një shtet i respektuar do ta bënte vendin të njohur gjithandej, siç po e bëjnë sportistët. Ndërkaq më vjen keq që Haradinaj është kaq aktiv për ta akuzuar Kurtin dy herë në ditë si politikan pro-rus. Madje dhe pro-serb, duke e vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij në burgjet serbe. Unë nuk nisem nga paragjykimet për ta vlerësuar një politikan nëse është ose jo patriot. Nisem nga veprat e tij. Kur Haradinaj mbrojti kufijtë e Kosovës prej Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Baton Haxhiut, kam vlerësuar lart patriotizmin e tij. Por korrupsioni i qeverisë së tij ishte dhe do të shënohet si një akt kundër interesave të shtetit e të kombit”, thekson profesori. 

Nga ana tjetër Bytyçi thotë se qeveria Kurti për këto 200 ditë ka arritur të menaxhoj shumë mirë gjendjen në vend dhe po vazhdon të mbrojë interesat e vendit. 

Vendimi i qeverisë së Kosovës për ta rishqyrtuar e ndoshta edhe kundërshtuar projektin amerikan të furnizimit me gaz të Kosovës është i drejtë, shton profesori. 

Nëse e gjykojmë qeverinë Kurti për këto 200 ditë të qeverisjes së saj, nuk shoh qëndrime kundër Kosovës. Sigurisht ka gabime, por në vendimet kryesore është një qeveri atdhetare dhe që mbron interesin kombëtar. Në këto kushte nuk ka pse ajo të konsiderohet si „qeveri pro-ruse“! Nuk e di pse zoti Haradinaj e ka në majë të gjihës këtë akuzë. Nuk e di pse e përsërit vazhdimisht. Në rastin konkret ndoshta dëshiron t’u hyjë në zemër amerikanëve. Por amerikanët kanë në zemër patriotët e Kosovës, që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar më shumë se Haradinajn dhe ndonjë tjetër. Këtë po e shohim edhe në deklarimet e tyre. Vendimi i qeverisë së Kosovës për ta rishqyrtuar e ndoshta edhe kundërshtuar projektin amerikan të furnizimit me gaz të Kosovës është i drejtë, është i bazuar në ushtrimin e mekanizmave shkencorë të drejtimit të shtetit”, shprehet profesori. 

Në bisedë e sipër ai parashtron pyetje Haradinaj se nëse këtë projekt e sheh antiamerikan atëhere si do ta shihte konkursin e ushtarëve me 850 veta? 

Prandaj sipas tij nuk duhet deklaruar në këto raste siç ka bërë Haradinaj. 

Nuk është dhe nuk ka si të jetë vendim anti-amerikan. Qeveria nuk ka thënë se kundërshton një projekt si ky dhe nuk do të mbështeste një projekt tjetër të njëjtë pro-amerikan. Qeveria po niset nga efektiviteti ekonomik. Nëse ky vendim qenka anti-amerikan, si do ta konsiderojë Haradinaj vendimin tjetër që ushtria e Kosovës të pajiset me mjete modern ushtarake dhe numri i ushtarëve të rritet vetëm në një konkurs me 850 veta?! Nuk duhen hedh fishekzjarre, se ka raste që qorron vetën! Për të mos thënë se ka raste kur akuzat të tilla thuhen cdo ditë për të fsheh ndonjë paudhësi të vetë akuzuesit”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat