“Robert Bosch e thotë të vërtetën”, ndizet alarmi për Albin Kurtin: Ky është kurthi nga Lajçak dhe Borrell

Politika

“Robert Bosch e thotë të vërtetën”, ndizet alarmi për Albin Kurtin: Ky është kurthi nga Lajçak dhe Borrell

Nga: P.R Më: 11 tetor 2021 Në ora: 19:37
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ish- ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka shkruar se Serbia e ndihmuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po e rrit presionin ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit.

“Me ndihmën e Lajçakut, Serbia po e rrit presionin ndaj Kosovës për të vazhduar para me themelimin e Asociacionit. Kosova duhet të jetë e fortë dhe ta implementojë Asociacionin bazuar në vendimin e Gjykatës kushtetuese. Është gjëja e duhur për të bërë në një shtet ku prioritet është sundimi i ligjit. Duhet t’u thuhet kjo gjithë shteteve miqësore”, ka shkruar ish ambasadori Bosch.

E këtë reagim nga Robert Bosch, profesor, doktor Enver Bytyçi po e sheh si paralajmërim i rrezikut për kthimin e çështjes së Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

“Robert Bosch është një nga diplomatët më të njohur në Shqipëri dhe në Kosovë. Ai e njeh çështjen shqiptare dhe për pasojë është sensibël ndaj të drejtës, të vërtetës dhe trajtimit të gabuar të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Vërejta e tij për anësi dhe favore ndaj Serbisë nga ana e zotit Lajcak ose zotit Borrell është një vërejtje që buron nga vëzhgimet empirike dhe analizat racionale që ai elaboron, duke sjellë në vëmendje rrezikziun e kthimit të çështjes së Asociacionin të Komunave Serbe në Kosovë”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, ambasadori Robert Bosch e thotë të vërtetën.

“Ai ka thënë të vërteta të mëdha gjithnjë, edhe kur ishte ambasador në Prishtinë. Por shpesh herë fjalët e këshillat e tij janë injoruar nga ish-PAN-istët, sepse ndryshe nuk do të ndodhte që ata të vepronin krejt në drejtimin e kundërt! Tani ambasadori holandez hedh një paralajmërim të ri, por edhe të vjetër, në fakt. I ri, sepse Lajcak dhe Borrell po bëjnë presion të madh ndaj zotit Kurti që ky të pranojë të diskutojë për Asociacionin. Të vjetër, sepse Asociacionin Kurti e gjeti aty, e kishin sjellë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa”, thekson Bytyçi.

Ai e quan këtë një kurth për Albin Kurtin, dhe tregon mundësitë që të dilet nga ky kurth.

“Një nga mundësitë është që të mos flitet për Asociacion në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. Disa e konsiderojnë këtë të pamundur. Sidomos ata që e sollën në institucionet e Kosovës marrëveshjen për e Zajednicës! Madje nuk merret vesh kur paralajmërojnë Kurtin për këtë, nëse e bëjnë me shpresën se kryeministri do ta pranojë atë apo jo! Nuk kuptohet kur do të ishin më të gëzuar, nëse nuk pranohet, apo nëse pranohet! Sepse forma e mënyra si sillen të le një shije sikur do të gëzoheshin nga pranimi dhe jo mos-pranimi. Shpresojnë se me pranimin e Asociacionit nga Kurti ata do të shfajësohen nga akti i nënshkrimit të tij më 2013 e 2015! Prandaj Kurti duhet ta refuzojë edhe për këtë arsye çdo përpjekje të Lajcak, Borrell e Vuçiq për të shtruar në bisedime çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë”, shpjegon Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas profesor Bytyçit, kundërshtia e Kurtit duhet të asosocohet fort me faktin se Asociacioni është precedent i rrezikshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, që sjell konflikt e destabilitet në rajon.

“Asociacioni e defaktorizon shtetin e Kosovës, krijon kushte për destabilizim në Kosovë e për pasojë Serbia të ketë mundësinë të ndërhyjë edhe ushtarakisht në këtë vend. Rasti i fundit duhet të përdoret si provë e këtij qëllimi të keq e konfliktual të Beogradit. Dërgimi i ushtrisë serbe në kufijtë e Kosovës dhe inspektimi i saj nga ambasadori rus janë fakte që nuk mund t’i kundërshtojë njeri. Nga ana tjetër qeveria, institucionet, kryeministri Kurti, zonja Osmani duhet të flasin hapur me partnerët ndërkombëtarë dhe t’u thonë atyre se në Serbi, por edhe në Shqipëri e ndoshta në Kosovë ka forca, të cilat punojnë për Serbinë e Madhe dhe të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe me gjysmën e Kosovës brenda territorit të saj. Edhe deklaratat e kryeministrit Rama për “bashkim kombëtar“ duhen trajtuar si pjesë e këtij skenari. Kosova duhet të shprehet hapur se është për forcimin e shtetit dhe kundër çdo përpjekjeje për destabilizim të rajonit pe teoritë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve apo të serbëve”, shprehet profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Kosova duhet të demantojë çdo keqinterpretim që krijon idenë e shpërbërjes së shtetit.

“Nuk duhet të kenë frikë se humbasin elektorat. Por duhet t’ua shpjegojnë shqiptarëve se më e mira për ta është kjo. Të forcohet e konsolidohet shteti i Kosovës! Që Kosova të prosperojë përmes integrimeve euro-atlantike e në partneritet të ngushtë me SHBA-të dhe BE-në! Duhet të demantojë çdo keqinterpretim që krijon idenë e shpërbërjes së shtetit. Teoritë dhe deklarimet për bashkim të Shqipërisë me Kosovën, siç e thoshte Rama, apo të Kosovës me Shqipërinë, siç e thonë disa të tjerë, janë teori e deklarime kundër shtetësisë së Kosovës, që e zhbëjnë këtë shtetësi, që çojnë në ndarjen e saj dhe përfundimisht e varrosin aspiratën e shqiptarëve të Kosovës dhe qytetarëve të tjerë për shtet të pavarur e Sovran”, thekson Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë se sovraniteti dhe bashkëpunimi me Shqipërinë, integrimet evropiane dhe atlantike janë dhe duhet të mbeten shtyllat e shtetësisë së Kosovës.

“Po të mbahemi fort në këto shtylla, atëherë e përzëmë skemën e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Pra, duhet shtruar troç pyetja për Lajcak dhe Borrell: “A jeni për shtetin e Kosovës dhe forcimin e këtij shteti? Nëse po, atëherë nuk mund të ketë Asociacion serb, një etnik, në Kosovë! Në demokraci vlejnë argumentet, nuk vlejnë interpretimet dhe dëshirat subjektive të atyre që duan pasiguri, destabilitet e konflikt! Autoritetet e Kosovës duhet të bindin këdo se duke u pozicionuar kundër Asociacionit, pozicionohet pro shtetit, pro stabilitetit dhe pro paqes e sigurisë në Kosovë dhe në rajon”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se nëse nuk ka alternativë, atëherë mund të pranohet një Asociacion pa kompetenca ekzekutive e legjislative.

“Thjesht një Asociacion në rolin e një organizate jo-qeveritare, por e kontrolluar nga ligjet kushtetuese e ligjet e tjera të vendit. Është gjë e keqe edhe kjo, sepse edhe një Asociacion të tillë Serbia do ta kontrollojë dhe manipulojë. Prandaj është me rëndësi që të provohet me fakte e dëshmi fakti që Serbia po i manipulon serbët në Kosovë dhe se Asociacionin e dëshiron pikërisht për këtë qëllim. Rasti i protestave dhe barrikadave ne veri është dëshmi e këtij manipulimi. Shkurt, kushtetuta dhe rendi nuk mund të preken nga ndonjë diskutim për Asociacionin. Kjo është me rëndësi jetike. Ndërkaq këmbëngulja për t’u çliruar plotësisht nga Serbia është legjitime”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat