Shënjestra e Albin Kurtit/ SHBA apo BE, cila është më e favorshme për Kosovën!?

Politika

Shënjestra e Albin Kurtit/ SHBA apo BE, cila është më e favorshme për Kosovën!?

Nga: A.M Më: 11 tetor 2021 Në ora: 22:47
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

BE apo ShBA-të!? Kjo është një nga çështjet më të përfolura, ku gjithmonë zhvillohen diskutime se me cilën palë Kosova duhet të krijoi marrëdhënie më të mira.

Për mbështetjen dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka pasur asnjëherë dyshim, mirëpo njëjtë nuk ka ndodhur edhe me Bashkimin Evropian.

Përkrahja e BE-së është vënë në pikëpyetje për shkak të mos liberalizimi të vizave për qytetarët e Kosovës dhe pozicionin e saj në dialogun Kosovë-Serbi.

Mirëpo, në samitin e mbajtur para pak ditëve në Austri, kryeministri Albin Kurti ia bëri edhe njëherë me dije Bashkimit Evropian problemet, sfidat dhe rreziqet me të cilat po përballet Kosova.

Ku, krahas kësaj kërkoi një angazhim më të theksuar të BE-së në çështjen me Serbinë.

Kurse, opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se është krijuar një situatë pa shtegdalje dhe se është për të ardhur keq që qytetarët e Kosovës janë në gjendje të tillë, ku nuk mund të lëvizin lirshëm.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“Mund të përqendrohemi nga aspekte të ndryshme, duke u sillur rreth e përqark një pike, atëherë nuk kemi lëvizur fare për të dhënë një sqarim të një qëllimi të caktuar, sepse është krijuar vetëm një vorbull rreth së cilës sillemi pa një shtegdalje, ashtu pra edhe Evropa, ndaj Kosovës, nëse e marrim dhe e vështrojmë angazhimin e saj për të tejkaluar disa çështje të rëndësishme ndaj këtij vendi, është pikërisht për të ardhur keq për një gjendje të tillë, së cilës i referohemi kur bëhet fjalë për besimin dhe Evropën e qytetërimit modern, ku njerëzit ëndërrojnë me shekuj të bashkohen me këtë familje të madhe”, deklaroi ai.

Sipas Preqit, Kosova jo vetëm që po përballet me kufizim të lëvizjes, mirëpo edhe me dobësimin të marrëdhënieve me popujt e tjerë, duke thënë se po iu pamundësohet shoqërimi dhe zgjerimi në masë të plotë dhe në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera.

“Nga ana tjetër, kjo do të thotë se Kosova dhe populli i saj, jo vetëm se e ka të kufizuar lirinë e lëvizjes nëpër vendet evropiane pa liberalizimin e vizave, por po pëson edhe një dobësim të marrëdhënieve me popujt tjerë, i cili popull nuk e ka merituar një dallim të tillë, që nënkupton pamundësinë për t’u shoqëruar dhe zgjeruar në masë të plotë dhe në mënyrë të barabartë me popujt tjerë, atëherë do të thotë se Evropa, këtë liri po e rezervon vetëm për njerëzit e privilegjuar, apo edhe për ata që disa herë e ndezën fitilin dhe ia vunë zjarrin një pjese të kësaj Evropë”, theksoi opinionisti.

Në vazhdim, ai komentoi samitin e mbajtur para pak ditëve në Slloveni, ku i cili tha se asnjë vend tjetër nuk la përshtypje me perceptimet e tyre, me përjashtim të Kosovës dhe kryeministrit Kurti.

“Samiti i BE-së, në Slloveni, ishte i mirëpritur për popullin e Kosovës, dhe kryeministrin e saj z.Albin Kurti, por në realitet, të gjitha vendet e thirrura në këtë samit, i kishin temat e tyre të moderuara, por nuk lënin përshtypjen e perceptimeve të veçanta, apo të një procesi mbi bazën e logjikës së problemeve dhe kërkesave të domosdoshme, sikur që i ka Kosova”, nënvizoi Preqi.

Krahas kësaj, opinionisti deklaroi se kryeministri Albin Kurti në Slloveni i shpalosi në mënyrë të qartë problemet dhe kërkesat e Kosovës dhe jo seriozitetin e Bashkimit Evropian ndaj shtetit tonë.

“Prandaj, kryeministri Kurti, me fjalimet e veta që përmbanin arsyen dhe përshtypjen më domethënëse të një samiti, duke shprehur me një qartësi të kthjellët kërkesat e popullit të Kosovës, shkaktarët e rreziqeve dhe problemet e këtij populli, por edhe të popujve të rajonit, duke vënë në shënjestër edhe mungesën e angazhimit dhe jo seriozitetin e BE-së, në veçanti ndaj çështjeve të Kosovës”, potencoi ai.

Tutje, Preqi vlerësoi se BE nuk po tregohet serioze ndaj çështjeve të Kosovës, mirëpo vetëm me disa ‘skaje të poleve’ po tenton të krijoi stabilitet dhe ta zgjidh problemin me Serbinë.

“BE-ja, karshi Kosovës, nuk po tregohet serioze dhe nuk po dëshmon se koha që do të vijë do të flasë ndryshe, por vetëm përpiqet të kap skajet e poleve, duke menduar se në këtë mënyrë do të prodhojë stabilitet dhe marrëdhënie me tiparin e një opsioni vendimtar, për të arritur që ta kurorëzojë si duhet veprën e vet, duke menduar se në këtë mënyrë do të marrë fund një element i kësaj natyre në mes këtyre dy popujve, serb dhe shqiptarë, që zgjati shekuj me radhë”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, opinionisti foli edhe për çështjen se në cilin ‘krah’ duhet të pozicionohet Kosova, me BE-në apo ShBA-të.

Ai beson që Kosova ka nevojë për mbështetje dhe marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme me të dyja prej tyre, duke thënë se edhe BE dhe ShBA-të luajnë rol në ardhmërinë e vendit tonë.

“Kosova e ka vështirë të përqendrohet me raportet e saj më shumë me BE-në, apo me SHBA-të, kur njëra dhe tjetra janë të lidhura me vetë Kosovën dhe të ardhmen e këtij vendi. Evropa, është ‘skuadra’ më e favorshme, ku synon të familjarizohet edhe Kosova, që përbënë një mundësi historike, e cila formë siguron zgjidhjen e shumë problemeve dhe inkuadrimin e saj me vendet e zhvilluara, duke respektuar programet dhe standardet e saj, që duhet të shkrihen brenda këtij organizmi të gjerë. Mirëpo edhe pa ndihmën e SHBA-ve, Kosova e ka të pamundur të vihet në binar të drejtë, për të siguruar rrugën drejtë Evropës, sikur vetë natyra e saj (Kosovës), do të ishte themeli i padrejtësive dhe fillesa e gjitha rreziqeve, që i ndodhën kësaj bote???”, përmbylli Dedë Preqi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat