Çfarë do të ndodh me demarkacionin dhe asociacionin nëse Opozita fiton zgjedhjet?

Politika

Çfarë do të ndodh me demarkacionin dhe asociacionin nëse Opozita fiton zgjedhjet?

Nga: Ahmet Pllana Më: 14 maj 2017 Në ora: 20:29
Liderët opozitar në Kosovë, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Demarkacioni ka qenë tema dhe problemi pothuajse kryesor me të cilin është përballë qeveria Mustafa gjatë këtij mandati. Por nuk duhet lënë anash as Asociacionin e Komunave serbe. Këto dy çështje vazhdimisht është kërkuar nga Brukseli që Kosova t’i zgjidh sa më parë.

Përderisa partitë deri më tash në pushtet, LDK-ja dhe PDK-ja e kanë përkrahur Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, tri partitë opozitare, VV-ja, AAK-ja dhe NISMA nuk lëkunden nga qëndrimet e tyre të deritanishme rreth këtyre dy çështjeve. Opozita rreth Demarkacionit dhe Asociacionit nuk lëshon pe në qëndrimet e tyre, mirëpo nuk jep sqarime se si do t’i zgjidh këto dy çështje. 

Sipas opozitës, sa i përket Demarkacionit dhe Asociacionit, nuk ka qenë vetëm kauzë politike, që shumë herë është trumbetuar si e tillë dhe se është interes i opozitës, por, sipas tyre, të dyja këto çështje janë interes shtetëror.

Image
Zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti

Demarkacioni, marrëveshje e vdekur

Lëvizja Vetëvendosje (VV), ka qëndrim të njëjtë sikurse deri më tash për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave serbe. VV-ja kohë më parë gjatë prononcimit të zyrtarëve të saj pati shprehur rezerva se mund të pritet vendim i favorshëm nga Gjykata Kushtetuese sa i përket Asociacionit.

Zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti, ka thënë të dielën për gazetën “Bota Sot” se VV-ja nuk ka ndryshuar qëndrimin rreth Demarkacionit me Malin e Zi dhe rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe .

“Qëndrimi i VV-së lidhur me Demarkacionin dhe Asociacionin nuk ka ndryshuar dhe nuk ka përse të ndryshojë, përderisa nuk ndryshon verzioni i demarkacionit, ky aktuali. Ne insistojmë që kjo marrëveshje është e vdekur, pasi që ajo ka marrë fund në shtator të vitit të kaluar dhe si i tillë duhet të kthehet në pikën zero”, ka thënë Hoti.

“Kjo duhet të bëhet në mënyrë që kur të ratifikohet, të mos ratifikohet jo gabim, por të ratifikohet në mënyrën që ruan integritetin territorial të Kosovës dhe e ruan shtetësinë, dmth,, nuk lejon që të minimizohet shtetësia e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, Asociacioni është antikushtetuese dhe si i tillë nuk mund të ecë përpara.

Image
Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së

Demarkacioni dhe asociacioni në kundërshtim me interesat e Kosovës

Ndërkaq, edhe AAK-ja për Demarkacionin dhe Asociacionin kanë dhënë për “Bota sot”, se kanë  qëndrim të njëjtë si deri më tani. Ky subjekt nuk i pranon këto dy çështje, pasi sipas tyre janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të vendit.

”Demarkacioni është dëshmuar edhe nga partitë në pushtet se ka qenë çështje e dështuar dhe se kjo marrëveshje duhet të korrigjohet. Kosova është një vend normal, është në kontinentin evropian dhe nuk ka pse të mos përfillë krejt procedurat normale që aplikohen me rastin e ratifikimit të marrëveshjeve lidhur me demarkacionin”, ka thënë Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së për “Bota Sot”.

“Kosova duhet që këtë marrëveshje ta qes në Kuvendin e ri dhe ta zgjidh me Malin e Zi. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë çështja e demarkaconit kalon në mënyrë automatike në arbitrazhin  ndërkombëtar”, ka shtuar Nitaj.

Sipas Nitajt, çështja e Asociacionit të ngritët në përputhje me një marrëveshje të re, e cila do të jetë në përputhje me kushtetutën.

“Sa i përket Asociacionit, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i ka bërë një vlerësim kësaj marrëveshjeje dhe ka konstatuar se ajo është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovë, me 23 nene të saj, dmth. në të gjitha nenet. Meqë është kështu, atëherë duhet që çështja e Asociacionit të ngritet në përputhje me një marrëveshje të re, e cila do të jetë qind për qind në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Nitaj.

Image
Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga “Nisma për Kosovën”

Marrëveshje e re

Edhe Nisma për Kosovën, e cila gjithashtu  e ka kundërshtuar Demarkacionin dhe Asociacionin, e quan të panevojshme të ndërrojë qëndrimin. Andaj, sipas tyre, sërish humbja e hektarëve të tokës do të jetë e papranueshme për këtë subjekt.

Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga “Nisma për Kosovën” ka thënë për “Bota Sot” se edhe pas zgjedhjeve subjekti i tyre politik do ta ketë qëndrimin e njëjtë për këto dy çështje.

“Sa i përket Demarkacionit dhe Asociacionit unë nuk e di edhe pse duhet të ndryshojë qëndrimin “Nisma…”, derisa ka qenë qëndrim i drejtë! Kjo nuk ka qenë e vërtetë që çështjet e demarkacionit dhe asociacionit kanë qenë kauzë politike, por ka qenë qëndrim partiak konform përcaktimit Kushtetues të vendit. Andaj, nuk ka arsye të ndryshojmë qëndrimin nëse vijmë në pushtet dhe do jemi në pushtet”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, demarkacioni duhet të hudhet poshtë dhe të bëhet një rinegociim i ri, kurse Asociacioni të regjistrohet si një OJQ.

“Rruga për zgjidhjen e këtyre dy çështjeve do të ishte ajo që të respektohen ligjet në fuqi të vendit. Ndërsa, sa i përket Asociacionit, do të duhej të regjistrohej në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si një OJQ.  Ndërsa, verzioni i Demarkacionit duhet të hudhet poshtë dhe të kërkohet rinegociim me Malin e Zi”, ka thënë Berisha.

Image
Publicisti dhe analisti Skender Zogaj

Opozita do ta ratifikojë demarkacionin

Ndërsa publicisti dhe analisti Skender Zogaj, ka thënë se opozita është deklaruar se do të mbajë qëndrim të njëjtë edhe pas zgjedhjeve.

“Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe janë dy çështje për të cilat partitë opozitare janë deklaruar se do të mbajnë qëndrim të njëjtë edhe pas zgjedhjeve”, ka thënë Zogaj.                                                                                                                         

Ai ka theksuar se nëse vjen opozita në pushtet do ta ratifikojë demarkacionin, siç ka thënë ai, ‘me pikë e me presje’.

“Nëse opozita vjen në pushtet do ta ratifikojë Demarkacionin me pikë e me presje, siç e kanë vlerësuar zyrat më të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Amerika, që tashmë e ka krye punën e saj, i ka thënë Kosovës miratoje demarkacionin se është në rregull dhe mos i mbaj peng proceset integruese dhe liberalizimin e vizave”, ka thënë Zogaj.

Ai ka shpjeguar se pritet të shihet se çfarë ‘lufte’ politike do të udhëheqin ata që do të vijnë në pushtet dhe më pas do të shihet se si do të veprojnë subjektet politike që vijnë në pushtet rreth demarkacionit dhe asociacionit.

“Kjo është tashmë krejtësisht e qartë dhe shihemi pas një lufte tjetër çfarë vendimesh do të merren. Këtë e dijnë fare mirë gjithë publiku i Kosovës dhe me ta edhe opozita, e cila ashtu siç e ka rolin e saj dhe ia ka kundërshtuar pozitës Marrëveshjen e nënshkruar për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sepse janë dy probleme tepër të rëndësishme nëpërmjet të cilave ka synuar që të merr pushtetin, pra që ta rrëzojë Qeverinë dhe të bëjë projekte për ta marrë pushtetin”, ka thën ë Zogaj.

Më tej ai ka shtuar ase rrëzimi i pozitës ka ndodhur dhe se zgjedhjet e 11 qershorit do të tregojnë se kush do ta qeverisë vendin.

“Tash rrëzimi i pozitës ka ndodhur dhe zgjedhjet e 11 qershorit do të tregojnë se cili do të jetë verdikti i votuesve në Kosovë, nëpërmjet të cilit do të vazhdohet qeverisja e re e vendit. Situata është shumë konfuze, sepse qytetarët shqiptarë të Kosovës janë instrumentalizuar përtej çdo mase dhe e kanë humbur sensin e gjykimit për të kuptuar se partitë politike kanë degjeneruar skajshmërisht për interesa partiake, aq sa për pushtet janë në gjendje të shesin për një llokum vendin dhe popullin”, ka nënvizuar Zogaj.

“ Elektorati i Kosovës tashmë nuk e di se çfarë don, sepse është shumë i shantazhuar nga partitë politike, të cilat ua kanë blerë shpirtin me karamele e akullore, një vend pune, me blerje diplomash, e çertifikata false të veteranit të luftës, me ndihma simbolike për ilaçe, me premtime subvencionesh në bujqësi e kështu me radhë. Të këtillët nuk mund ta kuptojnë se të gjitha këto u takojnë nga shteti dhe jo t'i marrin si dhurata. Kjo është gjendja dhe nëse zgjedhjet e qershorit nuk ofrojnë kualitete te reja, situata do të keqësohet dhe kriza do të jetë edhe më e rëndë”, ka thënë në fund Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat