“Gënjeshtra e radhës e Kadri Veselit”

Politika

“Gënjeshtra e radhës e Kadri Veselit”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 qershor 2017 Në ora: 11:07
Kadri Veseli

Premtimet se Mitrovica do të jetë e bashkuar dhe se nuk do të ketë Mitrovicë të Veriut apo të Jugut, kanë qenë të shumta nga politikanët, e  ku për këto deklarata më shumë shqyhen ish kreu i PDK-së, tash President i vendit, Hashim Thaçi dhe kreu aktual i PDK-së, Kadri Veseli.

Së fundmi, gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, derisa qëndroi në Mitrovicë, tha se synimi i tyre është që ta bashkojnë Mitrovicën në një të vetme dhe të mos ketë ndarje.

“Në Mitrovicë nuk duhet të ketë lindje, perëndim, veri e jug, duhet të ketë vetëm Mitrovicë. Do ta fuqizojmë Mitrovicën, që ta shohim nga lind dielli dhe nga perëndon. Të jetë një Mitrovicë e bashkuar. Jo jug e veri. Do të punojmë fuqishëm që të fuqizojmë sovranitetin tonë në mënyrë që të integrohen të gjithë qytetarët tonë. Kurrë nuk do të lejojmë që një shtet i jashtëm të përzihet në punët tona. Do t’i largojmë strukturat paralele, strukturat e së keqes”, kishte deklaruar Veseli.

E premtimet sa vijnë e shtohen në kohë zgjedhjesh, kur poltiikanët kërkojnë votën e qytetarëve.

Por, sa do të mund ta bëjë këtë dhe si do ta bëjë, duke pasur parasysh se premtime të tilla janë bërë edhe më herët, mirëpo që gjendja nuk ka ndryshuar.

Gazeta “Bota sot” ka tentuar të marrë përgjigje nga zyra e kryetarit të Kuvendit lidhur me këtë, por ata nuk janë përgjigjur.

Mushkolaj: Premtimi për bashkimin e Mitrovicës, gënjeshtër që 18 vjet

Ndërsa, analistët shprehen pesimistë për bashkimin e Mitrovicës.

Image
Imer Mushkolaj

Njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Mitrovica nuk do të jetë asnjëherë siç ka qenë dhe se deklaratat për bashkimin e saj janë gënjeshtër.

“Premtimi për bashkimin e Mitrovicës është një gënjeshtër që përsëritet tash 18 vjet. Mitrovica nuk do të jetë asnjëherë më e bashkuar siç ka qenë dhe këtë e di edhe Veseli, edhe të tjerët që premtojnë një gjë të tillë. Në vend se të bëjnë premtime të tilla, liderët politikë duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik të atij rajoni, rritjen e punësimit dhe të mirëqenies për qytetarët”, është shprehur Mushkolaj.

Nuk është në dorën e Veseli bashkimi i Mitrovicës

Ndërsa, analisti politik, Haki Abazi, ka thënë se nuk është Veseli ai që mund ta bëjë këtë, pasi ai e ka dorëzuar kandidaturën për kryeministër tek Ramush Haradinaj.

Image
Haki Abazi

“Përveç nëse ndodhë ndonjë matematikë dhe mashtrim apo tradhti ndaj Ramush Haradinajt, nuk është Veseli ai që do të diktojë agjendën për Mitrovicën apo çështjet tjera. Është e qartë që ai ka dorëzuar kandidaturën për kryeministër Haradinaj dhe fair play do të ishte qe Veseli të mos jep premtime sepse nuk është në dorën e tij që të përcaktojë prioritet zhvillimor apo agjendën qeverisëse në këtë fazë”, ka deklaruar Abazi për gazetën “Bota sot”.

“Gënjeshtra e radhës e Kadri Veselit”

Edhe analisti Rexhep Shahu e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Veselit për bashkimin e Mitrovicës, sipas tij pasi ishim në kohë zgjedhjesh andaj Veseli e bëri këtë, pasi ka mundur ta bëjë dhe nuk e ka bërë deri tani.

Image
Rexhep Shahu

“Gënjeshtra e radhës, i takon Kadri Veselit tash ta bëjë rrenën e radhës. Këtu ka qenë Kadriu që nga viti 1999 kur u ndalën te zyrat e pushtetit në Mitrovicë dhe nuk shkuan përtej zyrave ushtarët e UÇK-së. Këtu ka qenë Kadriu gjithë këto vite që ka qenë në pushtet jo më pak pushtet por me shumë pushtet dhe Mitrovica është e ndarë, shqiptarët nuk kanë mundur të shkojnë në shtëpitë e tyre. Kadriu rren se në fushatë elektorale duhet me rrejt”, ka deklaruar Shahu për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat