Daut Haradinaj flet për formimin e Qeverisë, ironizon me Albin Kurtin

Politika

Daut Haradinaj flet për formimin e Qeverisë, ironizon me Albin Kurtin

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 00:01
Daut Haradinaj

Me rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit që pak kush i priti janë krijuar disa dyshimeve në publik nëse koalicioni PAN mund ta formojë qeverinë e re me në krye Ramush Haradinajn. Por, Daut Haradinaj shprehet i bindur se shumë shpejt ekzekutivi do të krijohet nga po ky krah.

Ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, që sot përmes një konference për shtyp bëri thirrje që koalicioni LAA, apo edhe deputetë nga PAN’i t’i bashkohen partisë së tyre për ta krijuar qeverinë e re të Kosovës.

Por, Daut Haradinaj këmbëngul që PDK-AAK-Nisma, do të jenë ato që do ta kenë fjalën e fundit në përcaktimin e qeverisë së dalur nga zgjedhjet e parakohshme.

Haradinaj ka komentuar edhe kravatën me të cilën Kurti u pa gjatë fushatës, gjë të cilën ish-lideri i Vetëvendosjes nuk e kishte praktikë më herët.

“Shumë shpejt ne do ta formojmë Qeverinë. Fjalët e e fundit ofenduese të Kurtit e bëjnë atë një pretendent serioz, të duket ashtu si në fotografi. Disave edhe ju rri mirë kravata”, u shpreh Haradinaj, i cili tashmë ka siguruar edhe një mandat në Kuvend.

Sipas tij, ka diçka për të cilën ata janë më të interesuar se për çdo gjë tjetër.

“Sido që të jetë, ne jemi tepër të interesuar që Kosova të krijojë institucione të forta e demokratike”, përfundoi ai.

Kujtojmë që edhe pse numërimi zyrtar nuk ka përfunduar ende, radhitja e subjekteve/koalicioneve politike, dihet në renditje, edhe nëse jo saktë në përqindje.

Nga zgjedhjet e të dielës, koalicioni PAN mori besimin e afro 34 për qind të votuesve, Lëvizja Vetëvendosje me rreth 27 për qind të votave figuron e dyta, ndërsa bashkimi në mes të LDK’së, AKR’së dhe Alternativës i përkthyer në vota është përafërsisht 25 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat