LDK bllok koalicionit me PAN, mund të shkojë në opozitë

Politika

LDK bllok koalicionit me PAN, mund të shkojë në opozitë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 14 qershor 2017 Në ora: 08:19
Drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit kanë sjellë risi të papritura në skenën politike në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, është befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve, pasi është ajo e cila ka shënuar një ngritje shumë të madhe në elektorat, duke dalë si subjekti i dytë më i votuar në Kosovë.  Ndërsa koalicioni PDK-AAK-Nisma është dështimi i këtyre zgjedhjeve, pasi si koalicion ku janë të përfshira tri parti parlamentare dhe një numër i madh i partive të vogla ka pësuar rënie të madhe të votave, por që në zgjedhje ka dal si fituese më 33.9%.

Duke e parë që koalicioni PDK-AAK-NISMA nuk ka fituar numër të mjaftueshëm të deputetëve që ta formojë qeverinë e vetme apo me minoritetet, atëherë këtij koalicioni patjetër do t’i duhet një partner në mënyre që të sigurojë krijimin e qeverisë së re, e për të cilën nevojitën 61 vota.

Po ashtu, edhe Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka bërë ftesë për formimin e qeverisë LDK-së, së bashku me subjektet që i ka në koalicion.

Një koalicion i mundshëm mes PAN-it dhe LDK-së nuk shihet i arsyeshëm dhe se zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur se në asnjë mënyrë nuk bëjnë koalicion më PDK-në, AAK-në dhe Nisma-në.

Image
Agim Veliu

Me asnjë kusht me PAN-in

Agim Veliu nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës , ka thënë për “Bota sot” se në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë koalicion më PAN-in, por se më Vetëvendosjen ende nuk ka asgjë të diskutuar sepse duhet të pritet certifikimi i zgjedhjeve.

“Në asnjë mënyrë dhe më asnjë kusht të vetëm nuk do të pranojmë koalicion më PAN. Na po presim ti shohim rezultatet definitive certifikimin e zgjedhjeve dhe më pas të ulemi bashkërisht  dhe të vlerësojmë çka është e drejtë te bëjmë. Nëse ne mbesim partia e tretë ne nuk jemi në pozicion më zgjedh. Ne do të shikojmë se cila është varianti më e mirë për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nëse vlerësohet se edhe opozita edhe e drejtë atëherë shkojmë edhe në opozitë, nëse organet dhe strukturat e LDK-së e shohin ashtu”, ka thënë Agim Veliu nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Image
Sadri Ferati

Të diskutohet me Vetëvendosjen

Mendim  të njëjtë më Veliun ka edhe Sadri Ferati nga LDK-ja, i cili ka thënë se nuk e di nëse ka kërkesa nga koalicioni PDK, AAK dhe Nisma për një koalicion të mundur,  por një koalicion i tillë nuk do të mund të ndodh në asnjë mënyrë.

“Nuk e di nëse ka kërkesa nga PAN. Një koalicion më koalicionin tjetër PAN nuk do të mund të ndodhte dhe as që dua të ndodh. Është qëndrim i imi personal jo i partisë. Sepse Partia Demokratike ende nuk është deklaruar për ndonjë koalicion. E për Vetëvendosjen është çështje mund të diskutohet”, ka përfunduar Sadri Ferati.

Image
Fadil Lepaja

Formimi i Qeverisë në dorë të LDK-së

Ndërsa sipas analistëve krijimi i Qeverisë në Kosovë duhet të bëhet menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve dhe jo të zgjatet çështja më procedura dhe lojëra të ndryshme.

 “Parimisht mendoj se LDK duhet të tejkaloj interesat e burokracisë së vet, e elitës e cila ka interesa të ngushta, dhe të shoh dhe mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës të cilët e kanë votuar më shumë se asnjë parti tjetër në të kaluarën", ka thënë analisti Fadil Lepaja.

Sipas Lepajës, të gjithë po thirren për ndryshime, por me gjasë është në dorën e LDK-së, apo grupeve brenda saj të vendosin për qeverinë e ardhshme.

“A do të përcaktohet, apo jo për ndryshime varet se çka nënkupton me ndryshimet jo vetëm LDK por edhe "Vetëvendosje" dhe sa do të kenë gatishmëri që të bëjnë kompromise” ka thënë Lepaja.

Sipas tij, tregtia me votë, duket se ka filluar, dhe kjo shihet sidomos nga deklarimet se cilat koalicione janë të pamundura, të cilat duket se janë të dizajnuara për të ngritur çmimet dhe formësuar ofertat individuale, grupore apo partiake.

Image
Jeton Kelmendi

“Koalicioni mes PAN-it dhe LDK-së, tragjik për Kosovën he LDK-në”

Kurse njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare të sigurisë, Jeton Kelmendi ka thënë se një koalicion ndërmjet subjekteve të LDK-së dhe Vetëvendosjen është shumë afër të ndodh por që varet shumë nga cilët negociator.

“Kosova duhet të qeveriset dhe nuk duhet ti lejohet hapësirë as presidentit as askujt. Isa Mustafa bashkë më nënkryetaret duhet të jep dorëheqje dhe kryetari i ri apo strukturat e reja te partisë duhet ti kërkojnë Vetëvendosjes postin e kryeministrit në mënyrë që ti ketë 45% të përfaqësimit në qeveri, ose ta le Albin Kurtin kryeministër  dhe të merr pjesën tjetër të qeverisjes. Koalicioni  mes PAN-it dhe LDK-së do të ishte tragjike për Kosovën dhe tragjike edhe për LDK-në. Duhet të largohet LDK-ja dhe të shkoj në opozitë” ka thënë për “Bota sot” Lepaja.

Ndryshe nga gjithë kjo Anton Berisha kandidat për deputetet nga AAK publikisht ka kërkuar një koalicion në mes PAN dhe Vetëvendosjes. Ai ka thënë se është qëndrim i tij personal por që AAK-ja duhet të formoj qeverinë me Vetëvendosjen.

Ndryshe LDK në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit është renditur në vend të tretë. Ndërkohë qe koalicioni PAN është i pari, i pasuar nga Vetëvendosje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat