PAN nuk i ka numrat, Kosova drejt bllokadës institucionale?

Politika

PAN nuk i ka numrat, Kosova drejt bllokadës institucionale?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 qershor 2017 Në ora: 08:53
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë  mund të sjellin një krizë të re politike. Kjo duke marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve, i cili përbën një dallim të vogël në mes të koalicioni fitues PAN dhe partive që janë në vendin e dytë  (LVV) dhe të tretë (LAA).

Kështu kanë thënë  analistët politikë, duke vlerësuar se ka shumë pak mundësi  për formimin e qeverisë, e sipas tyre kjo gjë do të bëjë që Kosova të hyjë në një bllokadë institucionale.

Mundësia për krizë?

Sipas tyre më shumë janë mundësit të formohet ngërçi politik se sa formimi i qeverisë.

Image
Mazllum Baraliu

Njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka thënë se nëse nuk arrihet mandatimi i koalicionit PAN brenda afatit 30 ditësh dhe pas mundësisë së dytë të ofruar nga Presidenti për formimin e institucioneve, atëherë do të ketë zvarritje, krizë dhe probleme serioze.

Sipas Baraliut vetëm nëse koalicioni PAN do të fitojë 61 deputetë atëherë është minimumi për formimin e një qeverie të suksesshme, të qëndrueshme dhe stabile, përndryshe nëse jo atëherë do të ketë probleme.

“Mund të hyjë në krizë me që ndikimet e koalicionit PAN kanë qenë dukshëm më të mëdha, ndërsa rezultatet janë ndryshe. Ka mundësi të lëvizin me pikët e rezultateve përfundimtare, eventualisht qoftë deputetët të kenë substacion, qoftë subjektet politike t’i bashkëngjiten këtij koalicionit të madh, dhe nëse arrin që të fitojë 61 deputetë, atëherë ka mundësi ai  i pari i kushtetutës dhe sipas vendimit të Gjykatës kushtetues të vitit 2014 që ky koalicion të kërkojë nga presidenti mandatimin për të marr qeverinë, përndryshe nëse nuk arrin t’i bën këtë numër që nënkupton minimumin që të formojë një qeveri të suksesshme, të qëndrueshme dhe stabile atëherë sigurisht që mund të ketë probleme,  zvarritje në një afat prej 30 ditësh” ka treguar Baraliu.

Baraliu ka vazhduar duke treguar se nëse nuk arrihet të formohet qeveria nga koalicioni i madh PAN edhe pas afatit ligjor dhe nëse Presidenti nuk mandaton ndonjë koalicion tjetër do të ketë zvarritje dhe probleme serioze në funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.

“Nëse partia e tjetër nuk arrin që ta bëjë ofertën e duhur nga koalicioni i madh PAN, atëherë duhet presidenti në bazë të së drejtës të ligjeve sanksionale që buron që nga vendimi i gjykatës kushtetuese ka të drejtë që edhe një herë t’i jep mundësi atij koalicioni, dhe pastaj nëse nuk arrihet një ofertë serioze dhe e qëndrueshme atëherë që të drejtat sanksionale që presidentin t’i shfrytëzojë në mënyrë dinamike  dhe mandative ta mandatojë një koalicion tjetër që mund të ishte ose LDK-ja apo ndonjë subjekt tjetër. Kështu, nëse nuk arrihet do të ketë zvarritje, do të ketë krizë dhe do të ketë probleme serioze në funksionalizimin e institucioneve të Kosovë” ka thënë Baraliu.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Kriza e programuar

Kurse, analisti Muhamet Kelmendi, është shprehur se kriza është e programuar, pasi që rezultatin shumë vështirë e mundëson formimin e qeverisë.

Kelmendit ka thënë, juridikisht është e pamundur që koalicioni PAN të shkojë në opozitë, sipas tij nëse nuk bëhet koalicioni duhet të shkohet në zgjedhjet e reja.

“Kriza është e programuar. Rezultati i zgjedhjeve shumë vështirë e mundëson formimin e qeverisë funksionale. Koalicioni PAN ka mundësi  për ta krijuar qeverinë, përveç minoriteteve këtij koalicioni i duhen 10- 12 deputetë për të formuar pa minoritetin serb, me minoritetin i duhen më pak se pesë deputetë jashtë koalicionit. Nëse koalicioni i parë nuk ecën, nuk qëndron se duhet domosdo që të kalojë mandati partisë së dytë, kujt i jepet mandati varet kryesisht nga Presidenti, ai mund të vazhdojë me ndarjen e madatit  përsëri koalicionit të parë, mundet t’ia ndajë edhe një subjekti të dytë edhe të jetë grupi parlamentar. Presidenti vendos në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, nuk duhet domosdo që  koalicioni PAN shkojë  në opozitë.  Kjo juridikisht është e pamundur” ka nënvizuar Kelmendi.

Image
Blerim Burjani

Nuk përjashtohen zgjedhjet e jashtëzakonshme

Sipas tij, nëse nuk ecën përpara duhet të bëhen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Po nëse nuk ecën përpara bëhen zgjedhjet e jashtëzakonshme.  Kjo është  ajo që  mund të ndodhi” ka thënë  Kelmendi.

Mirëpo, ndryshe mendon ka vlerësuar analisti Blerim Burjani.

Sipas Burjanit, LDK-ja është çelësi për formimin e qeverisë dhe nëse nuk pranon do të duhet të ketë qeveri teknike.

Burjani ka shtuar se nuk janë mundësit për formimin e qeverisë nga opozita, përveç nëse PAN propozon kandidat nga opozita.

 “Gjasat nuk janë fare që opozita ta bëjë qeverinë, veç nëse PAN e propozon një kandidat nga opozita për Kryeministër, ndryshe veprimet tjera cilësohen si antikushtetuese, pra gjasat janë më tepër të ketë ngërç politik se sa zgjidhje dhe themelim të qeverisë së re. Çelsi është LDK-ja, nëse pranon sërisht të hyjë në koalicion apo jo, nëse jo atëherë duhet të ketë qeveri teknike të udhëhequr nga një kryeministër jo partiak” ka thënë Burjani.

Image
Faton Mehmeti

PAN nuk i ka numrat?

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se Kosova rrezikohet të futet në një bllokadë institucionale dhe kjo sepse koalicioni fitues PAN nuk i ka numrat për formimin e qeverisë.

“Kosova rrezikon seriozisht të futet në një bllokadë institucionale pasi koalicioni fitues PAN nuk i ka ka numrat për  të formuar qeverinë , edhe nëse i fut në  të  të  gjitha partie minoritare. Kështu që gjahu kryesor do te jete Behgjet Pacolli, të cilit edhe mund t’i ofrohet postin i presidentit. Në këto negociata pritet të përfshihet edhe presidenti Thaçi, i cili do të jepte çdo gjë  që  të formojë qeverinë  pa LDK ose VV, të  cilat janë  pretendet kryesore pasi i kane numrat për të formuar qeverinë, nëse dështon koalicioni i krahut të luftës” ka vlerësuar Mehmeti.

Sipas Mehmetit, do të jetë betejë e ashpër për fitore, mirëpo çelësi i kësaj pritet të jetë Pacolli.

“Pra,  do të  jetë  betejë  e ashpër, të cilët vështirë  të dihet kush do e fitojë,  por çelësi i kësaj pritet të  jetë Pacolli, si mundësi reale për të formuar qeverinë e PAN, nëse Pacolli nuk do futet me ta atëherë  vendi pritet të futet në skenarin e Maqedonisë.  Nuk besoj se Thaçi do ia jap Kurtit mandatarin për të formuar qeverinë, duke njohur mendësinë e tij . Pra, Kosovën e presin ditë të vështira të bllokadës institucionale, e të cilat mund të shkaktojnë zgjedhje të reja së bashku me ato lokale në tetor” ka deklaruar  Mehmeti.

Image
Dimal Basha

Nuk përjashtohet koalicioni PAN-LVV

Ndërsa, për një jostabiletet të qeverisë së mundshme ka ndarë mendimin analisti Dimal Basha.

Basha ka treguar arsyet se pse qeveria nuk do të gjejë stabilitet, gjersa ka shtuar se duke marrë parasysh politikën atëherë mund të ndodhë edhe një koalicion në mes të PAN dhe LVV.

“Unë besoj se kjo qeveri nuk do të  gjej stabilitet duke marrë parasysh se LDK pësoi si rezultat i koalicioneve që  lidhi më 2014 dhe nuk besoj se do të bëjë  një  veprim të njëjtë, derisa LVV qëndron kategorikisht kundër çfarë do koalicioni me PAN. Megjithatë, duke marrë parasysh se salltat politike janë bërë përditshmëri në proceset tona politike, unë nuk e përjashtoj një koalicion të PAN me LVV, mirëpo vetëm nëse PAN e dorëzon pozitën e Kryeministrit dhe shumë ministrive tjera kyçe” ka vlerësuar Basha.

Image
Mentor Tahiri

Rezistenca ndaj ofertave joshëse

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri, ka treguar dallimet e Kosovës me vendet tjera demokratike sa i mandatimit të partisë nga Presidenti.

Tahiri  thotë se Presidenti nuk duhet të përfshihet në forca politike në Kosovë dhe duhet ta pranojë realitetin e ri politik të dalë nga vota e qytetarëve në Kosovë.

“Për dallim nga shumica e demokracive parlamentare në botë, Kosova ka një kushtetutë shumë kontradiktore në nenet ku përcaktohet formimi i qeverisë. Përderisa në demokracitë tipike parlamentare, mjafton që një pretendent për mandatarë të njoftoj presidentin se ai ka të siguruar shumicën e votave në Kuvend për formimin e qeverisë së re, në Kosovë nuk është kështu. Sipas asaj që shkruan në Kushtetutë, Presidenti i jep mandatin koalicionit apo subjektit politik që ka marrë shumicën. Gjithashtu, mbështetur në precedentët e mëparshëm, respektivisht mendimet e Gjykatës Kushtetuese, Presidentit i lejohet që pas dështimit të mandatarit të parë, të mbajë në diskrecion se kë do të mandatojë” ka pohuar Tahiri.

Sipas Tahirit, ai i cili mandatohet fillimisht nga Presidenti do të mundohet të bëjë oferta joshëse nga koalicionet tjera.

“Megjithatë, shpresoj që forcat politike në Kosovë, përfshirë këtu Presidentin, do të dinë të pranojnë si duhet realitetin e ri politik të dalë nga vota e qytetarëve në zgjedhje. Gjithashtu, është e pritshme që Presidenti i vendit, nuk do të bie në presionin e klaneve politike dhe se do të respektojë aranzhimet paszgjedhore që subjekte të caktuara mund të lidhin mes tyre. Lidhur me një qeveri të formuar nga VV dhe koalicioni i LAA, më shumë mund të flitet pas sqarimit të listës së deputetëve të zgjedhur. Nuk ka dyshim, që ai që mandatohet i pari nga Presidenti e që pritet të jetë nga koalicioni PAN, do të mundohet që me anë të ofertave të joshë deputet nga koalicioni LAA. Sidomos është e pritshme që të luhet në lojën e përçarjes së unitetit brenda koalicionit LAA, veçmas në objektiv do të jenë deputet nga AKR” ka përfunduar Tahiri.

Kosova ka  mbajtur zgjedhjet e parakohshme pas mocionit të mos besimit ndaj  qeverisë së Isa Mustafës, mocion ky i nisur nga partitë opozitare dhe i votuar edhe nga koalicioni bashkë qeverisës i LDK-së, PDK-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat