Anton Quni flet për koalicionin mes LDK-së e VV-së, ja çka duhet të bëj Vetëvendosje

Politika

Anton Quni flet për koalicionin mes LDK-së e VV-së, ja çka duhet të bëj Vetëvendosje

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 qershor 2017 Në ora: 10:10
Anton Quni

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar nisjen e negociatave me LDK-në për krijimin e Qeverisë së re, gjithnjë sipas Kurtit pas dështimit të koalicionit PAN që të sigurojë shumicën e deputetëve për krijimin e Qeverisë.

Madje, Kurti gjatë ditës së djeshme u ka bërë thirrje LDK-së dhe subjekteve që janë në koalicion me LDK-në, që t’i bashkohen Vetëvendosjes për formimin e qeverisë.

“Lëvizja Vetëvendosje si askush tjetër në këto zgjedhje, ka fituar një legjitimitet të madh e të fuqishëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndërkaq dy koalicionet që kemi pasur përball, kanë pësuar humbje të thella. Në këto kushte plotësisht të reja politike dhe bazuar mbi përkrahjen  e madhe qytetare ne deklarojmë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme, për ndërtimin e një qeverie të vendit, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje . Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe ne i kemi dëgjuar mirë dhe qartë zërin e tyre. Ne sot ftojmë të gjitha subjektet politike të  koalicionit LDK-AKR-Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-NISMA, që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të ‘klanit Pronto’, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re polit ike të vendit,  pas këtyre zgjedhjeve, si dhe për programin politik të një qeverie të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Kurti në ftesën drejtuar LDK-së.

Por, kandidati për deputet i LDK-së dhe njëri ndër me të votuarit në LDK, Anton Quni, i kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, ka thënë se do ta mbështet koalicionin me Vetëvendosjen, nëse kjo e fundit heqë dorë nga dhuna dhe mjetet të cilat ka përdorur në të kaluarën.

“Ne do ta diskutojmë në strukturat e partisë çështjen për koalicionin me Vetëvendosjen. Janë organet e partisë që vendosin. Unë edhe me herët e kam thënë se nëse Vetëvendosje heq dorë nga dhuna, e mjetet që ka përdorë në të kaluarën, atëherë unë do të jem një avokat I fuqishëm I koalicionit me Vetëvendosjen”, ka deklaruar Anton Quni për gazetën “Bota sot”.

Por sipas Qunit, arritja e koalicionit me Vetëvendosjen do të varet nga negociatat që do të bëhen në ditët në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat