Thaçit i tërhiqet vërejtja: Kujdes me akuzat e rënda ndaj BE-së!

Politika

Thaçit i tërhiqet vërejtja: Kujdes me akuzat e rënda ndaj BE-së!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 tetor 2017 Në ora: 21:49
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dy vjet pas formimit të gjykatës speciale ka thënë se nuk beson në drejtësinë e plotë që ajo do të sjellë dhe që ajo ka ardhur si imponim nga bashkësia ndërkombëtare.

Në debatin për Gjykatën Speciale ku dhe i bëri këto deklarata, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, u largua nga salla.

Lidhur me këtë, presidenti tha se nëse ai është larguar për shkak të deklaratave të tij, është sjellje fëmijërore dhe aspak diplomatike.

“As se kam vërejtur që ka qenë brenda, as se kam vërejtur që ka dal jashtë. Nëse ka dal për punë të veta është vendim i tij, çështje e tij. Nëse ka dal si rezultat i pakënaqësisë me debatin, atëherë është sjellje frustruese, fëmijërore, aspak diplomatike”, tha ai.

Image
Artan Murati

Lidhur me deklaratën e tillë nga presidenti, hulumtuesi i lartë në KDI, Artan Murati, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se presidenti është lëshuar në deklarata të rënda ndaj BE-së dhe se duhet të jetë i kujdesshëm e të përfaqësojë unitetin popullor.

“Kohëve të fundit Presidenti Thaçi është mjaft inkonsistent me deklaratat dhe veprimet e veta. Ndonëse në një të kaluar të afërt përderisa ishte shef i ekzekutivit Thaçi është njohur si një nga politikanët më bashkëpunues me ndërkombëtarët, kurse tani si President vazhdimisht është duke lëshuar akuza të rënda sidomos ndaj BE-së. Konsideroj se Presidenti duhet të jetë shumë më i kujdesshëm me diskursin e tij publik, dhe të mos ndikoj në përkeqësimin e raporteve me BE-në apo ndonjë shtet specifik. Duke përfaqësuar unitetin popullor, Presidenti duhet të mbrojë interesin qytetar e jo t’i vë në pikëpyetje marrëdhëniet diplomatike me shtetet mike të Kosovës”, është shprehur Murati për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat