“Milaim Zeka të jap dorëheqje, mos të vazhdojë abuzimin me shtetin”

Politika

“Milaim Zeka të jap dorëheqje, mos të vazhdojë abuzimin me shtetin”

 Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 11 tetor 2017 Në ora: 21:57
Milaim Zeka

Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet ndaj deputetit të Nismës për Kosovën në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka për mashtrimin e 920 qytetarëve të Kosovës përmes një agjencie punësimi për në Gjermani. Ai akuzohet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi. Partneri i tij ndodhet në paraburgim.

Pas kësaj akuze nga Prokuroria po kërkohet dorëheqja e Zekës nga postimi i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

Duke komentuar në lidhje me këtë, analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë se politika në Kosovë ka qenë strehë për politikanët e korruptuar, të cilët e kanë përdorur për t`u pasuruar.

“Në Kosovë politika gjithmonë ka qenë ''strehë'' për politikanët e korruptuar. Politika nga politikanët tek ne përdoret për t'u pasuruar dhe për ta vjedhur shtetin, dhe jo që ata politikanë të jenë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ai.

Po ashtu, Krasniqi ka thënë se drejtësia në vend është bërë pronë e politikës dhe se në vend të drejtësisë politikanët e kanë shndërruar shtetin në pronë private.

“Gjithmonë po duhet të përmendim organet e drejtësisë, një drejtësi e kalbur dhe skajshmërisht e korruptuar. Një drejtësi që është bërë pronë e politikës dhe parapolitikës. Dhe në mungesë të kësaj drejtësie, këta politikanë këtë shtet e kanë shndërruar në pronë të tyre private”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërsa, sa i përket rastit të deputetit Zeka, ai ka thënë se do të duhet të jepte dorëheqje dhe se nuk ka ndodhur ende që një politikan të dënohet për korrupsion.

“Padyshim që deputeti Zeka do të duhej të jepte dorëheqje, edhe pse asnjë politikan deri më tash nuk e ka bërë një gjë të tillë, apo s'kemi asnjë rast deri më tash që një politikan apo zyrtar shteti të jetë dënuar për ndonjë rast korruptiv. Mos veprimi i organeve të drejtësisë edhe në këtë rast me deputetin Zeka, u jep hapësirë politikanëve që të vazhdojnë abuzimin me shtetin, sepse e dinë që janë të paprekshëm nga organet e drejtësisë”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat