Analisti politik: PDK dhe Nisma, “dy pjesët e një molle”-ja kur prishet koalicioni PANA

Politika

Analisti politik: PDK dhe Nisma, “dy pjesët e një molle”-ja kur prishet koalicioni PANA

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 tetor 2017 Në ora: 22:37
Koalicioni PAN

Largimet e fundit nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë nxitur debat se kjo parti po pëson goditje të rënda në prag të zgjedhjeve lokale.

Anëtarë të shumtë janë larguar nga partia e Kadri Veselit, derisa shumica prej tyre kanë aderuar në Nismës për Kosovën.

Analistët politikë nuk i shohin si dramë  largimet e fundit nga PDK-ja, pasi sipas tyre, PDK dhe Nisma janë “dy pjesët e një molle”. Por, ata parashohin se koalicioni në nivel qendror, është jetëshkurtër dhe se ai mund të prishet në vjeshtë.

Duke komentuar largimet e anëtarëve të PDK-së, analisti politik Skender Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se janë të paktë ata që i qëndrojnë besnik një partie politike, duke përmendur këtu anëtarë të LDK-së, të cilët sipas tij, nuk e tradhtojnë presidentin Ibrahim Rugova.

Image
Skender Zogaj

“Largimet dhe aderimet nga një parti në tjetrën janë gjëja më e rëndomtë sepse, me kohën ndryshojnë emocionet dhe bindjet partiake, prandaj edhe anëtarësia do të manifestojë lëvizje të shumta e të shpeshta. Janë vetëm një përqindje shumë e vogël e militantëve partiakë, të cilët me asnjë kusht dhe për asnjë lloj përfitimi personal nuk lëshojnë partinë e tyre. Të këtillë më shumë ka në LDK, sepse ende është aktive ajo pjesë e anëtarësisë që i përket kohës së Ibrahim Rugovës dhe që është emocionalisht e lidhur për figurën e tij, dhe që nuk pranon që t’i largohet sepse e konsideron tradhti. Ndryshe qëndron puna me anëtarësinë e partive të tjera, që nuk kanë ndonjë motiv tepër të veçantë dhe të rëndësishëm ndërlidhës, kështu që, për të këtillët nuk paraqet kurrfarë problemi kalimi nga njëra në partinë tjetër”, është shprehur Zogaj.

Ai ka vlerësuar se aderimet nga PDK-ja te Nisma, nuk janë dramatike, pasi këto dy parti janë ndarë vetëm për çështje formale.

Mirëpo, Skender Zogaj, ka thënë se edhe koalicioni në nivelin qendror, është jetëshkurtër dhe mund të prishet së shpejti.

“Largimet e fundit të aderimeve nga PDK-ja te NISMA, unë nuk i konsideroj fare drame, përkundrazi janë rëndomtësi, sepse PDK-ja dhe NISMA janë dy pjesët e një molle, që janë ndarë për çështje formale, kështu që, aderimet nga PDSK-ja te NISMA janë normale dhe funksionale në drejtim të konsolidimit partiak. NISMA është duke u përpjekur në vazhdimësi të konsolidohet me një qasje mjaft konstruktive, sepse, është duke u bazuar vetëm në forcat e veta dhe, kjo është mënyrë shumë e mirë e perspektivës së saj partiake. Koalicioni qendror është marrëveshje tjetër, që nuk ka të bëjë me lëvizjen e anëtarësisë, por që, dëshmi apo jo dikush, koalicionet e kanë jetën e shkurtë dhe ato prishen dhe bien si bimët në vjeshtë”, ka shtuar analisti Zogaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat