Veriu i Kosovës vend eksperimental i Serbisë, ekspertët e sigurisë japin alarmin

Politika

Veriu i Kosovës vend eksperimental i Serbisë, ekspertët e sigurisë japin alarmin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 tetor 2017 Në ora: 09:24
Pamje nga Mitrovica

Kryetari i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, ditë më parë ka paralajmëruar se situata e sigurisë në veri të Kosovës para zgjedhje lokale është kritike dhe lehtë mund të përshkallëzohet.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, atyre të Beogradit si dhe atyre ndërkombëtare që të reagojnë urgjentisht.

“Situata tani është si të vallëzosh në maje të thikës. Është çështje kohe që dikush ta tërheqë armën dhe gjithçka të përfundojë tragjikisht”, ka thënë Ivanoviq.

Sipas tij, Qeveria duhet të marrë masa për rritjen e sigurisë në veri të Mitrovicës.

“Sipas kandidatëve të Listës Serbe zgjedhjet lokale po merren si çështje jetë ose vdekje. Jam në kontakt të përditshëm me njerëz të zakonshëm atje, dhe ata çdo ditë e më shumë po shqetësohen për situatën e sigurisë. Ata janë të frikësuar”, ka shtuar Ivanoviq.

Policia e Kosovës: Siguria në nivel, nuk ka incidente madhore

Por, deklaratën e tij për nivelin e sigurisë së veri të vendit, e ka demantuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Image
Besim Hoti

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Hoti ka konfirmuar se situata e sigurisë në Mitrovicë është në nivel dhe se nuk ka incidente madhore, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e përgjithshme.

“Nuk jemi në një situatë të tillë, çfarë ka thënë, kush ka thënë se ndodhemi në një situatë të tillë, mund të themi se momentalisht situata e sigurisë është në nivel dhe nuk kemi incidente madhore, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e përgjithshme”, ka pohuar Besim Hoti.

Ndërsa, lidhur me zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen me 22 tetor, zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka njoftuar se PK, përmes planit të saj operativ, do të angazhojë forcat e veta për të monitoruar dhe përcjell procesin zgjedhor.

“Sa i përket zgjedhjeve, normalisht Policia e Kosovës edhe në veri, ashtu si edhe në nivel vendi ka planin operativ, përmes së cilit do të organizojë dhe angazhojë forcat e veta për të monitoruar dhe përcjellë procesin zgjedhor sa i përket spektrit të sigurisë. Normalisht se çdo informacion të cilin policia do ta ketë në dispozicion për çështje të sigurisë, ne do të ndërmarrim veprime shtesë”, është shprehur Hoti për “Bota sot”.

Por, ndryshe vlerësojnë ekspertë të çështjeve të sigurisë, sipas të cilëve, Mitrovica është bërë vend eksperimental i Serbisë. Ata konsiderojnë se siguria në këtë pjesë të Kosovës, mund të eskalojë, madje mund të përdoren lehtë edhe armët.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava: Nëse Serbia dëshiron, edhe mund të përdoren armët në Mitrovicë

Duke folur në lidhje me këtë, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se në Mitrovicë, Serbia realizon në praktikë politikat, të cilat asaj i nevojiten. Sipas tij, nëse Serbia vlerëson se situata duhet të eskalojë, atëherë do të mund të përdoren edhe armët.

“Situata e tensionuar në të cilën gjendet veriu i Mitrovicës dhe tjerat komuna në ato pjesë, ku Qeveria e Kosovës nuk është duke shtrirë sovranitetin e saj, lehtë mund edhe të eskalojë dhe të ketë edhe përdorim të armëve. Atë pjesë në këto vite të pas luftës, vetëm formalisht e qeveris Kosova, në realitet ajo pjesë qeveria nga Serbia me forcat e saj policore dhe paramilitare. Në ato pjesë të veriut, sikur që e shpjegova, Serbia i realizon në praktikë ato politika çfarë i nevojiten, për efekte politike ndërkombëtare. Nëse Serbia e vlerëson se situata e sigurisë duhet të eskalojë dhe të ketë përdorim të armëve për qëllime politike ndërkombëtare të saj, situata do të eskalojë dhe do të ketë përdorim të armëve”, është shprehur Tërnava.

“Qëllimi i Serbisë, Asociacioni”

Sipas tij, qëllimi i Serbisë është që t’i tregojë botës se duhet të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe, në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe që kjo pjesë duhet t’i takojë Serbisë.

“Kur do të ndodhë ajo situatë e eskalimit, Serbia e llogaritë mirë, e ajo duhet të ndodhë kur t’i arrijë efektet e saj politike për qëllimet e Serbisë. Qëllimi i eskalimit të kësaj situate të sigurisë, është që botës t’i tregohet se Asociacioni i komunave duhet një herë e përgjithmonë të kryhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe që kjo pjesë duhet t’i takojë Serbisë dhe mbikëçyrjen ta bëjë Serbia, si pjesë e banuar me popullatë serbe, e ngjashme me Serbska Republikën në BH. Situata e sigurisë e brishtë në përgjithësi në Kosovë, i ndihmon kësaj gjendje dhe i kontribuon që në very të eskalojë situata dhe faji prapë t’i mbetet Kosovës”, ka thënë më tej Hajrullah Tërnava.

Eksperti ka shtuar se pa njohjen ndërkombëtare të Kosovës, nga ana e Serbisë, nuk do të qetësohen “epshet”.

“Tani Policia e Kosovës është në gjendje më të vështirë, e cila në bazë të ligjit, i ka kompetencat për shtrirjen e sovranitetit ligjor në atë pjesë të Kosovës. Realiteti na del diçka tjetër që në këto vitet e pasluftës, Kosova asnjëherë nuk e ka shtrirë në tërësi atë sovranitet në këtë pjesë, dhe shpesh herë, kur ka intervenuar policia e Kosovës, ndaj tyre është përdorur dhuna dhe ka pasur edhe të lënduar, por edhe të vdeku si në rastin e Enver Zymberit. Edhe para disa ditësh, ishte një intervenim në Kryqin e Kuq për regjistrimin e popullsisë, që e kishte organizuar Serbia, nga Policia e Kosovës, dhe në ato rrethana u sulmua Policia e Kosovës nga paramilitarë serbë dhe pati të lënduar. Aty në ato rrethana të tanishme, pa marrë fund njëherë e përgjithmonë një marrëveshje ndërkombëtare se ajo pjesë e veriut, është pjesë përbërëse e Kosovës, si të gjitha pjesët e parapara në Kushtetutën e Kosovës, dhe pa një njohje ndërkombëtare të Kosovës, nga ana e Serbisë, asnjëherë nuk do të qetësohen epshet dhe nuk do të ketë rehati të përjetshme”, ka vlerësuar Tërnava.

Image
Avni Islami

Islami: Veriu, eksperimenti i bandave serbe

Ndërkaq, eksperti tjetër i sigurisë Avni Islami, nuk e sheh si befasi deklaratën e Ivanoviqit se në veri mund të përdoren armët. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Islami ka vlerësuar se veriu i Kosovës është vend eksperimental i Serbisë.

“Paralajmërimi i Oliverit se shumë shpejt, do të përdoren armët afër apo në kohën e zgjedhjeve lokale, nuk është risi e as befasi, sepse veriu i Kosovës është bërë vend eksperimental i qeverisë serbe, grupeve kriminale, hajdutëve e haraqegjinjëve, të cilët politikën e kanë mbulesë, pra përmes të deleguarve të tyre në këto zgjedhje, dëshirojnë t’i ruajnë privilegjet e veta. Natyrisht që ka forca progressive serbe, të cilat dëshirojnë që të punojnë për të mirën e qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, e cila është pengesë për grupet kriminale”, ka thënë eksperti Islami.

Ai ka paralajmëruar se në veri mund të ketë “fërkime” gjatë zgjedhjeve, për shkak të preferencave të popullatës, por që sipas tij, ato nuk do të ndikojnë në sigurinë e përgjithshme.

“Në anën tjetër, edhe vet grupet mafioze në veri të Kosovës, do të kenë fërkime për shkak se mund të humbin terren në rast se të preferuarit e tyre humbin në zgjedhje. Prandaj, them se këto mund të jenë vetëm qërim hesapesh, mes bandash kriminale, të cilat nuk paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme nacionale”, është shprehur Avni Islami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat