Pakënaqësi me ndërkombëtarët, çfarë fshihet prapa kërkesës së Thaçit drejtuar Metës?

Politika

Pakënaqësi me ndërkombëtarët, çfarë fshihet prapa kërkesës së Thaçit drejtuar Metës?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 tetor 2017 Në ora: 12:04
Hashim Thaçi dhe Ilir Meta

Kosova është i vetmi vend në rajon që qytetarët e saj janë të izoluar dhe nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë.

Procesi i liberalizimit të vizave, është duke pritur përmbushjen e kritereve kryesore të vendosur nga Bashkimi Evropian për Kosovën, e që janë  luftimi i korrupsionit dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Kryeministri Haradinaj, para marrjes së mandatit qeverisës, por edhe pak ditë pas marrjes së mandatit, kishte deklaruar se brenda 3 muajve do të bëhet liberalizimi.

Ndërsa, tani thotë se deri në fund të vitit do të kuptohet qartë se kur do të hiqen vizat.

 “Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Nuk do të shkojë edhe shumë kohë e gjatë për të pritur për këtë proces. Unë besoj se në fund të këtij viti do ta kuptojmë se kur do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Mirëpo, Presidenti Hashim Thaçi si duket nuk “bindet” me deklaratat e Haradinajt. Ai ka i kërkuar homologut të tij shqiptar, që qytetarët e Kosovës të kenë shtetësi shqiptare në mënyrë që të lëvizin lirshëm.

Në takimin e mbajtur dje në mes të dy presidentëve shqiptarë, Thaçi, ka deklaruar se pas qasjes bllokuese të BE-së, i ka kërkuar Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, që qytetarëve të Kosovës t’u lejohet aplikimi për shtetësi shqiptare në mënyrë që të lëvizin lirshëm.

Kurse, Meta i tha se zgjidhja nuk është të m erret nënshtetësia shqiptare, por është tejkalimi i problemit të izolimit të Kosovës.

Image
Rexhep Shahu

Fajtor Thaçi

Lidhur me kërkesën e Thaçit drejtuar Metës, analisti Rexhep Shahu, ka thënë për “Bota sot” se qytetarët e Kosovës do të presin gjatë për liberalizim dhe kjo pritje është falë qeverisjes Thaçi.

“Besoj se me Hashim Thaçin e mënyrën e tij qeverisëse shqiptarët në Kosovë do të presin gjatë liberalizim vizash, pasi Thaçi ka qeverisur duke kaluar gur me gur, duke mashtruar e gënjyer, duke mos qenë serioz, duke lëshuar aty ku nuk duhej lëshuar, duke u treguar frikacak dhe duke parë vetëm karrigen e tij”, ka deklaruar Shahu.

Shahu nuk është kundër nënshtetësisë, ai kërkon të bëhet dyshtetësia, mirëpo kjo të mos shërbejë si zemërim popullor ndaj keq qeverisjes së Thaçit.

“Une nuk jam kundër nënshtetësisë, le ta kenë të gjithë dyshtetesinë siç e dua unë nënshtetësinë  e Kosovës, por jo që kjo të shërbejë  si zbutës të zemërimit popullor ndaj keq qeverisjes së Thaçit. Nuk duhet ta përdorë këtë barkë shpëtimi Thaçi. Por, besoj se edhe kjo kërkesë drejtuar Shqipërisë është nga ato parullat e Hashim Thaçit, është nga ato të thënat, e jo të bërat e tij”, ka theksuar  Shahu.

Image
Ilir Dugolli

Pakënaqësi me ndërkombëtarët

Kurse, analisti Ilir Dugolli, ka treguar se  ekziston neni në Kushtetutën e Shqipërisë që paraqet mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit shqiptar, ndërsa në fillim të Kushtetutës, përmendet edhe aspirata shekullore për bashkim kombëtar.

Sipas Dugollit, qëllimi i Thaçit më shumë i ngjanë një pakënaqësie në raport me ndërkombëtarët.

“Neni 8 i kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, paraqet mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit shqiptar, gjithashtu paraqet mbrojtjen e tyre që jetojnë përkohësisht jashtë kufijve të Shqipërisë dhe ju siguron ndihmë atyre që të mbajnë lidhje kulturore me ta. Kurse në fillim të kushtetutës, ndër të tjera përmend aspiratën shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar. Hashim Thaçi, sa i përket kësaj çështje, nuk besoj se do të mundet të bazohet në dokumentet shtetërore të shtetit shqiptar, për të realizuar një shtetësi shqiptare nga ana e shqiptarëve të Kosovës, dhe që ata të realizojnë lëvizje të lirë (pa viza ) në Evropë. Qëllimi i presidentit, më shumë i ngjanë një pakënaqësie në raport me ndërkombëtarët, që para pak dite, i kishte potencuar disa nga premtimet e tyre, që nuk i kanë mbajtur, nëse deputetët e Kosovës  do e votojnë gjykatën speciale për krime lufte, që ekskluzivisht u formua për shqiptarët e Kosovës, se sa që del të jet i mundshëm.   Dhe si rrjedhojë, kjo nuk e prejudikon apo e paragjykon atë se qytetarët e Kosovës do të presin edhe një kohë të gjatë për viza”, ka nënvizuar Dugolli.

Sipas Dugollit, nëse do të kishte ardhur si konsideratë shtetësia, atëherë do të vihet në pikëpyetje edhe ideja e bashkimit të shqiptarëve.

“Për të marrë një shtetësi të caktuar, ekzistojnë ligje e rregulla të po atij shteti. Edhe në Shqipëri janë ashtu, sepse këto janë standarde të cilat vlejnë për të gjitha shtetet, e edhe për Kosovën. Dhe nëse do të kishte ardhur në konsideratë kjo shtetësi, që si shkak do ta kishte përplasjen e lidershipit së Kosovës  me atë ndërkombëtar, realisht do të mohonim shtetësinë tonë Kosovare dhe do ta venim në pikëpyetje edhe idenë e madhe të bashkimit  të shqiptarëve”, ka pohuar Dugolli.

Image
Enver Bytyçi

Problemi nuk është te BE, por te institucionet e Kosovës

Kurse, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot” se Presidenti është i shqetësuar, për shkak të mos realizimit të lëvizjes së lirë në BE, mirëpo për këtë duhet të analizohen shkaqet.

Bytyçi ka treguar se kush është fajtor  i gjithë kësaj.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u deklarua me kërkesën drejtuar kreut të shtetit shqiptar, zotit Meta, për pajisjen e shqiptarëve të Kosovës me pasaportë shqiptare, për shkak të izolimit të tyre nga mosrealizimi i liberalizimit të vizave. Ndërkaq zoti Meta iu përgjigj me shpejtësi, duke thënë se kjo nuk është zgjidhja. Jam i bindur se zoti Thaçi nuk pajtohet me situatën e krijuar, kur qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në Evropë në izolim, për shkak të mosrealizimit të lëvizjes së lirë në BE. Me këtë situatë matyrshëm nuk pajtohet askush dhe logjika të thotë se Kosovës i bëhet një padrejtësi. Bashkohem me këtë shqetësim, sepse është shqetësim i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Por duhen analizuar dhe shkaqet. A është fajtor vetëm BE, apo kanë një pjesë të madhe të përgjegjësisë politika dhe institucionet e Kosovës? Unë mendoj se BE kërkon standarde shtesë për Kosovën, në këmbim të votës së pesë vendeve që nuk e kanë njohur shtetësinë e saj, me qëllim që ato ta votojnë liberalizimin e vizave. Ndoshta edhe për ta zgjatur procesin deri te unifikohet qëndrimi i këtyre vendeve”, ka pohuar Bytyçi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për situatën e krijuar, sepse janë dëshmuara të paafta të kryejnë detyrën që kanë marrë përsipër.

Bytyçi ka shtuar për “Bota sot” se për Kosovën nuk është Ilir Meta varkë shpëtimi për dështimet e Prishtinës.

“Por, kjo nuk është e gjitha. Institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për situatën e krijuar, sepse janë dëshmuar të paafta të kryejnë detyrën që kanë marrë përsipër, nuk realizuan marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kjo do të thotë bllokim i procesit. Pse nuk u realizua ky proces? Sepse mazhoranca e kaluar nuk qe transparente që në fillim me marrëveshjen dhe sepse opozita u sill në mënyrë të pashembullt kundër kësaj marrëveshjeje. Në vend të dialogut, të dy palët zgjodhën konfrontimin. Opozita përdori gazin lotsjellës dhe dhunën, mazhoranca nuk ofroi ndonjë kompromis. Qeveria e re gjeti një situatë të padëshirueshme. Tani duhet zgjidhje. Zgjidhja nuk vjen nga Tirana, zgjidhja vjen nga Prishtina dhe Brukseli. Kam dëgjuar edhe zotin Rama të kriitikojë Brukselin për këtë, por kjo ëshrë gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër lidhet me angazhimin e institucioneve, të parlamentit dhe qeverisë së Kosovës. Ato duhet të gjejnë zgjidhjen. Nuk është Ilir Meta varkë shpëtimi, për dështimet e Prishtinës. Ilir Meta dhe politika e Tiranës do ishte mirë të zgjidhin problemet e Shqipërisë, sepse më shumë se gjysma e qytetarëve të këtij vendi duan të ikin vetë një orë e më parë nga ky vend”, ka përfunduar Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat