Korrupsioni ndër sfidat kryesore për Kosovën, duhen burgosje të mëdha për ta luftuar

Politika

Korrupsioni ndër sfidat kryesore për Kosovën, duhen burgosje të mëdha për ta luftuar

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 tetor 2017 Në ora: 16:05
ilustrim

Korrupsioni në vend vazhdon të jetë mjaft i lartë dhe luftimi i tij është një kërkesë edhe nga ndërkombëtarët dhe kusht për liberalizim të vizave.

Së fundmi, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli ka thënë se ka ngecje sa i përket luftimit të korrupsionit dhe kjo paraqet problem sa i përket edhe çështjes liberalizimit të vizave.

“Sa i përket korrupsionit janë të përfshirë të gjitha nivelet, duke filluar nga niveli lokal deri te niveli i lartë. Domethënë të gjitha profilet janë të përfshirë në korrupsion, qoftë nga e kaluara që kam pasur informacione, qoftë tash nga pozita e drejtorit që jam tash”, ka thënë Havolli 

Sipas tij, korrupsioni mbetet sfidë për institucionet që kanë përgjegjësi për luftimin e saj dhe se kjo duhet të merret seriozisht nga të gjitha palët sepse edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovën problematika e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfidë. 

Image
Skënder Zogaj

Fajtore edhe vetë Agjencia Kundër Korrupsionit

Për këto analisti politik, Skënder Zogaj thotë se faj ka edhe vetë Agjencia Kundër Korrupsionit.

“Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit që ka deklaruar se në Kosovë të gjitha profilet janë të përfshira në korrupsion, është dashur të tregojë edhe se për këtë të keqe ka merita të mëdha edhe vet Agjencia e që nuk e ka kryer aspak detyrën e vet, e kjo do të thotë se është pjesë e korrupsionit! Po të mos ishte kështu Agjencia do të kishte dhënë me emër e mbiemër të gjithë të korruptuarit, e jo të dalë me deklarata përgjithësuese nuk thonë asgjë”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Zogajt, Havolli është dashur të tregojë më shumë, me emra personat e përfshirë në korrupsion dhe jo vetëm të japë fjalë boshe.

“Agjencia në vend se të tregojë se "shumica e krerëve te qeverisë, presidencës, kuvendit janë të përfshirë në korrupsion" do të duhej që listën e njerëzve dhe veprat e tyre korruptive t'ua ofronte organeve përkatëse të ndjekjes dhe njëkohësisht edhe t'i publikojë në media, që të gjithë ta kuptojnë të vërtetën. Kjo do të ishte mënyra e duhur e veprimit, e jo fjalë boshe, të cilat jo vetëm që nuk ndihmojnë por e rëndojnë gjendjen, sepse, kolektivizimi i dukurisë e dendëson mjegullën dhe ua lehtëson gjahun maskarenjve që po ia gërryejnë themelet dhe po ia helmojnë fatin ardhmërinë Kosovës. Agjencia ka dështuar!” ka deklaruar analisti.

Image
Faik Krasniqi

Korrupsioni, një ndër sfidat kryesore në Kosovë

Në anën tjetër, analisti Faik Krasniqi thotë se korrupsioni po e pengon të ardhmen e ndritur të vendit dhe se luftimi i tij mbetet një nga sfidat kryesore.

“Korrupsioni po e nxin jetën e shqiptarëve, si dhe padrejtësitë e tjera të mëdha ku gjithçka bëhet me miqësi, klane, grupe, me dredhi të fshehta, dinakëri dhe marrëveshje verbale. Pra, gjithçka antiligjore të pamundurën e bëjnë të mundshme dhe anasjelltas. Ky është një lloj krimi që nuk do t’i lë ardhmëri të ndritur shqiptarëve, nëse nuk e largojnë dhe e çrrënjosin nga mentaliteti, sepse ka rrezik aq të madh për një degjenerim ligji e shoqërie sa që bën dëmtime të pallogaritshme. Luftimi i korrupsionit vazhdon edhe sot të mbetet njëra nga sfidat kryesore në të gjitha segmentet e shoqërisë. Ndërhyrjet politike në institucionet e gjyqësorit, mungesa e adresimit dhe e një plani nga Qeveria e Kosovës për luftën kundër këtij fenomeni, ka bërë që lufta kundër korrupsionit të jetë një betejë e humbur”, vlerëson Krasniqi.

Sipas tij, korrupsioni po e pengon Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe se qytetarët po pësojnë pasi nuk po mund të lëvizin pa viza.

“Mënyra e hartimit të strategjive të deritashme për ta luftuar korrupsionin, ka qenë qëllimisht e gabuar dhe ka ndikuar negativisht në këtë luftë. Korrupsioni është duke i prekur qytetarët drejtpërdrejt. Ata të cilët po e pësojnë nga korrupsioni janë qytetarët e Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbesin të izoluar dhe të mos përfitojnë nga investimet e huaja, për të cilët është shndërruar në një kancer të pashërueshëm, që po i hanë çdo ditë. Po ashtu edhe dështimi i liberalizimit të vizave, investimet e huaja, dhe gjitha këto po shkaktohen nga korrupsioni që ka kapluar çdo institucion shtetëror, nga e cila po përfitojnë në maksimum oligarkët politikë dhe të biznesit. Ka ardhur koha që zbatuesit e ligjit të vënë në radhë të parë interesat e shtetit, dhe të zbatojnë luftën e korrupsionit pa kompromis. Kur them luftimin e korrupsionit, mendoj në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë”, ka vazhduar më tej ai.

Krasniqi thotë se për tu luftuar korrupsioni, duhen burgosje të mëdha dhe marrje masash ndaj të korruptuarve.

“Kjo, pasi është një krim që shthurë normat dhe etikën e një shoqërie, është një shteg që lë hapur shtigjet tjera për krimin, mbulimin e dritës për ligje dhe zbatimin e drejtësisë në një popull. Nuk lë zbatim të praktikës dhe vendosjen e bazave të përhershme, të shëndetshme për t’u aplikuar e mishëruar dhe stabilizuar një shoqëri. Por, organet e drejtësisë deri më tash janë treguar të paguximshëm që të ndjekin njerëzit e fuqishëm, pushtetarët e korruptuar që po pengojnë ardhmërinë Kosovës, prandaj nuk pres që korrupsioni me këtë drejtësi të kapur nga këta politikanë të cilët e kanë instaluar që nga 99′ të luftohet, se për çrrënjosjen e saj as që bëhet fjalë. Korrupsioni në Kosovë do të zhduket, kur zhduken nga skena politike këta politikanë të korruptuar, kriminelë e mafiozë, të cilët janë shndërruar në kancerin e shtetit dhe gjithë shoqërisë”, është shprehur Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Image
Ali Hertica

Mungon guximi, shkak bandat kriminale

Ndërsa analisti politik Ali Hertica në një prononcim për gazetën “Bota sot”,  ka thënë se sistemi i drejtësisë kërkon rrugën për luftimin e korrupsionit por që mungon edhe guximi për shkak të bandave kriminale.

“Duke u nisur nga situata politike dhe ajo ekonomike shihen barometrat politik se Kosova dhe lidershipi dhe të gjitha institucionet janë të përfshira në këtë dukuri negative në korrupsion. Tani sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të kërkojë rrugën e duhur për të luftuar korrupsionin por edhe nuk ka shumë guxim nga bandat kriminale sepse edhe një pjesë e gjyqësisë është e mishëruar me këta të nëntokës kriminale, të politikbërësve në Kosovë dhe drejtësi. Lufta kundër korrupsionit nuk përbën vetëm një prioritet për Qeverinë e Kosovës ku ka shumë të tjerë, por përbën një nga prioritetet kyçe që Bashkimi Evropian ka vendosur për Kosovën në rrugëtimin e saj të integrimit në familjen evropiane”, ka thënë Hertica.

Ai vlerëson se luftimi i korrupsionit mbetet vetëm në letër pasi realiteti është ndryshe dhe ai vazhdon të jetë sfidë për shtetin e Kosovës.

“Luftimi i korrupsionit në Kosovë mbetet prioritet absolut i shpallur në letër nga të gjitha institucionet relevante që kanë për mandat parandalimin dhe luftimin e korrupsionit por ne realitetin qëndron thuajse ndryshe sepse sundimi i ligjit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do jetë një sfidë që do të na përcjellë për një kohë të gjatë dhe në këtë aspekt nuk do të jetë vetëm në kuadër të liberalizmit të vizave hapësira ku pjesa më e madhe e politikbërësve janë thuajse të involvuar në këtë rrjet tani lufta e kundër korrupsionit është e mundur duke vepruar bashkë, përmes angazhimit aktiv të qytetarëve për çjerrjen e maskës së korrupsionit si dhe ndjekjen e ndërmarrjen e masave ndëshkuese nga Qeveria e Kosovës, me qëllim ruajtjen e integritetit të qytetarëve të Kosovës dhe realizimin e një nga prioriteteve kyçe për integrimin dinjitoz të Kosovës në familjen Evropiane, sepse mos lufta ndej kësaj dukurie është një vrasje për të ardhmen e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Hertica për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat