Abazi tregon shkaktarët për zvarritjen e liberalizimit të vizave

Politika

Abazi tregon shkaktarët për zvarritjen e liberalizimit të vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 tetor 2017 Në ora: 16:57
Haki Abazi

Edhe pse i premtuar prej kohësh, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ende nuk është bërë dhe duke pasur parasysh kushtet që duhet plotësuar, nuk dihet se kur mund të ndodhë.

Derisa Ramush Haradinaj gjatë fushatës zgjedhore premtoi heqje të vizave prej një periudhe tre mujore, tani si kryeministër ai ka thënë se në fund të vitit mund të kuptojmë se kur do të mund të ndodhë liberalizimi.

Për gjithë këtë proces, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” përmend disa faktorë që kanë ndikuar që procesi të zvarritet.

“Kosova përgjithësisht është në situatë shumë të vështirë dhe një izolim dhe sanksione të pashpallura publikisht. Këto marrëdhënie të kushtëzuara dhe gabimet në hapa që janë bërë duke bërë kompromise dhe duke pranuar kushte e marrëveshje dëmtuese e kanë rënduar pozitën dhe e kanë zvogëluar hapësirën manovruese. Në marrëdhëniet e tanishme me situatën në Kataloni dhe mungesën e besimit që shtetasit e Kosovës mund të realizojnë premtimet e dhëna e kanë rritur pamundësinë e liberalizimit të vizave. Gjithashtu aspekte të problematikave me çështjen e sigurisë dhe obstruksionet nga ana e Serbisë për çështjet fetare dhe angazhimin e të rinjve të Kosovës në luftën në Siri janë një pjesë përbërëse të ekuacionit për të justifikuar konkludimin e ministrave i/e punëve të brendshme për të mos ecur para në liberalizim të vizave”, është shprehur ai.

Megjithatë, Abazi ka thënë se të gjitha këto nuk duhet të dekurajojnë punën për liberalizim, derisa ka theksuar se edhe veprimet e Gjykatës Speciale, do ta vështirësojnë këtë dhe procese tjera.

“E gjithë kjo nuk duhet të dekurajojë të gjitha forcat pozitive që janë duke punuar për të realizuar liberalizimin e vizave dhe progres në fushat tjera të avancimit të marrëdhënieve me BE-në. Besoj që çështja delikate e veprimit e Gjykatës Speciale do të jetë edhe një rrethanë vështirësuese për liberalizim dhe procese tjera”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat