“Thaçi në panik, mori sinjalin se mund të jetë i akuzuar nga Specialja?”

Politika

“Thaçi në panik, mori sinjalin se mund të jetë i akuzuar nga Specialja?”

Nga: Albulenë Muji Më: 12 tetor 2017 Në ora: 23:16
Hashim Thaçi

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosovës i është bërë padrejtësi pasi ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe i janë shtuar vështirësitë, në konferencën e mbajtur me rastin e publikimit të raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale: rreziqet dhe mundësitë”.

“Kosova mbajti fjalën e themeloi Gjykatën po bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori asnjë hap. Kosovës veçse iu vështirësuan mundësitë. Kosova u tregua më lojale, por u ndëshkua më së shumti",  ka thënë ai. Po ashtu, ai kishte shtuar se bazuar në hulumtim, kjo Gjykatë besohet se do të merret vetëm me shqiptarët dhe jo me serbët.

“Nuk do të merret asnjë rast për shqiptarët e vrarë, dhunën ndaj grave shqiptare, pra asnjë krim që kanë bërë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, sot Thaçi ka reaguar lidhur me këtë deklaratë, ku ka thënë se u keqkuptua kur foli për Gjykatën Speciale.

Po ashtu, ai ka thënë se fjalimi i tij ka nxitur reagime si pasojë e keqkuptimeve edhe të qëllimshme.

Ndërsa, lidhur me këtë deklaratë, analisti politik, Faik Krasniqi ka thënë se presidenti Thaçi ishte mashtruar nga ndërkombëtarët, të cilët i kishën premtime në këmbim të Speciales.

“Presidenti Thaçi tha se kishte vendosur të udhëhiqte një proces të padrejtë ndaj Kosovës dhe se ishte mashtruar nga ndërkombëtarët që, sipas tij, kishin dhënë premtime të shumta në këmbim të Speciales”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka shtuar se nuk sheh ndonjë keqkuptim në deklaratat e tij lidhur me Gjykatën Speciale, e lëre më ndonjë qëllim prej dikujt.

Sipas Krasniqit, Thaçi ishte në panik se mund të jetë një nga të akuzuarit e mundshëm nga kjo gjykatë.

“Deklaratat e tij kanë qenë për shkak të panikut nga Gjykata Speciale, që mund të ketë marrë sinjale se edhe ai do të jetë një nga të akuzuarit e mundshëm nga kjo Gjykatë. Përndryshe, kurrë nuk do të bënte deklarata kundër bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se Thaçi është penduar për ato deklarata të bëra, për shkak se ndërkombëtarët mund t'i kenë ngrehur veshin për ato deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat