Haradinajt i “dështon” marketingu politik, jo viza pa plotësim të kushteve

Politika

Haradinajt i “dështon” marketingu politik, jo viza pa plotësim të kushteve

Nga: Gresa Bajraktari Më: 13 tetor 2017 Në ora: 15:47
Ramush Haradinaj

Edhe pse shumë premtime janë bërë nga politikanët, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të izoluar sa i përket vizave.

Për procesin e liberalizimit nevojitet plotësimi i kushteve, që janë demarkacioni dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

E gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, më i zëshmi ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që dha afat prej tre muajsh për liberalizim, nëse ai qeverisë vendin.

Por, gjërat ndryshuan kur ai mori postin e kryeministrit, derisa ditë më parë tha se deri në fund të vitit do të dihet se kur do të mund të ndodhë heqja e vizave.

Derisa ratifikimi i demarkacionit është kushti kryesor, liberalizimi shtyhet duke e ditur se demarkacioni ende nuk është demarkuar dhe nuk dihet kur do të sillet në Kuvend.

Njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e tilla të politikanëve shërbejnë vetëm për marketing, pasi liberalizimi nuk ndodhë pa plotësim të kushteve.

Image
Sami Blakaj

“Deklaratat e lidershipit të Kosovës më shumë i përgjigjen marketingut politik, sesa realitetit politik. Realiteti politik karshi liberalizimit të vizave nënkupton përmbushjen e dy kritereve të BE-së, e që janë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe miratimi i Demarkacionit. Janë pikërisht këto dy kritere të BE-së, nga të cilat do të varet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe jo nga deklaratat e politikës ditore”, ka deklaruar ai.

Blakaj ka thënë se lidershipi i Kosovës duhet ta gjejë zgjidhjen për interes të vendit dhe të lërë anash interesat personale e klanore.

“Kosova ka ngecur jashtëzakonisht shumë në ecjen e saj drejt integrimit evropian dhe më shumë se kurrë lidershipi i Kosovës e ka për obligim moral, politik dhe institucional që të gjejë zgjidhjen e konsesusit nacional kur bëhet fjalë për interesat madhore të vendit. Ky kompromis nacional sigurisht që duhet t’i tejkalojë ndarjet partiake, klanore, politike eventuale dhe domosdoshmërisht duhet të prodhojë rrugëdalje drejt BE-së”, ka deklaruar Blakaj për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat