Karta e fundit e Thaçit për t’u faktorizuar para ndërkombëtarëve

Politika

Karta e fundit e Thaçit për t’u faktorizuar para ndërkombëtarëve

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 13 tetor 2017 Në ora: 17:50
Hashim Thaçi

Kërkesa e presidentit Hashim Thaçi bërë homologut shqiptar, Ilir Meta për t’i pajisur qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare, është karta e fundit nacionaliste që ai po e përdor për t’u ri-faktorizuar para ndërkombëtarëve, thonë analistët politik në vend.

Sipas tyre, tani më Thaçi ka humbur fuqinë e dikurshme politike dhe përmes ndjenjave nacionaliste po mundohet të faktorizohet para miqve të Kosovës.

Image
Naim Miftari

“Kjo loja e fundit e tij me pasaportat shqiptare është vetëm një truk për ta faktorizuar veten pasi që shumë kohë është lënë anash nga faktori ndërkombëtar. Kjo vërehet sidomos nga ardhja e Donald Trumpit në pushtet”, thotë për “Bota sot”, ish-pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftaraj.

Specialja njollos presidentin

Ai ka thënë se Gjykata Speciale, do ta njollos edhe më shumë emrin e presidentit.

“Tani kur edhe Gjykata Speciale mund ta njollos akoma më shumë emrin e presidentit, i cili duke parë se po i shkundet perandoria e tij politike, tani ai thirret kinse në emër të nacionalizmit ta bëjë veten si faktor vendimtar në stabilitetin e vendit”, është shprehur Miftari.

Edhe politologu Hidajet Ahmeti, ka thënë se arma e vetëm e kreut të shtetit, është manipulimi me ndjenja nacionaliste.

Image
Hidajet Ahmeti

“Deklaratat e tij të pamatura e të paanalizuara mirë, në aspektin psikologjik po ngjallin dyshimin se arma e tij e vetme dhe e fundit është përdorimi i deklaratave nacionaliste, të cilat nuk i ndihmojnë aspak Kosovën në konsolidimin e saj”, ka thënë për “Bota sot”, politologu Hidajet Ahmeti.

Sipas tij, veprimet e Thaçit po dalin shumë qesharake dhe paradoksale. 

“Gjuha e tij emocionale më shumë korrespondon me personalitetin e tij se sa veprimet e tij të kalkulohen në interesa shtetërore e qytetare. Presioni i Thaçit ndaj ndërkombëtarëve,  është më shumë veprim populist se sa potencialisht  të ketë ndikim në rrugën e konsolidimit të Republikës së Kosovës”, ka thënë më tej Ahmeti.

Sipas tij, presidenti duhet të jetë më konstruktiv e të veprojë brenda mandatit kushtetues e ligjor, e jo veprimet e tij të kalkulohen për interesa personale.

Thaçi, fajtor për izolimin e Kosovës

Analistët politik thonë se është i pakuptimtë tentimi i Thaçit që t’i shantazhojë ndërkombëtarët për liberalizim të vizave përmes deklaratave për pasaportë shqiptare, kur ai është fajtori kryesor në stagnimin e Kosovës.

“Instalimi i logjikës Thaçiane brenda shoqërisë së Kosovës ka prodhuar një realitet të hidhur dhe njëkohësisht ka stagnuar Kosovën në rrugën evropiane dhe ka izoluar Kosovën në raport ndërkombëtar”, ka thënë politologu Ahmeti.

Kurse, për ish-anëtarin e SHIK-ut e vetmja mënyrë që Kosova të shkojë përpara, është dorëheqja e Thaçit nga posti i kreut të shtetit.

“Nëse Thaçi e don Kosovën dhe e dëshiron liberalizimin e vizave, atëherë ai duhet të jap dorëheqje nga çdo post politik, dhe bashkë me klanin e vet kriminal të paraqitet para drejtësisë për krimet dhe padrejtësitë e bëra gjer më sot”, ka shtuar Miftari.

Zogaj: Thaçi është në halle të mëdha

Image
Skender Zogaj

Nga ana tjetër, publicisti Skender Zogaj, ka thënë se tek tani presidenti Thaçi ka filluar të shoh gabimet e tij gjatës kohës që ishte si kryeministër.

“Presidenti Thaçi është në halle të mëdha sepse, moskujdesi i duhur i veprimeve të tij si kryeministër, kur kokë më vete përpiqej që të merrte vendime historike, tash iu ka kthye bumerang, sepse, gabimet e kanë koston e lartë, sidomos për autokratët që i shkëputen nga populli dhe nuk i përfillin institucionet. Thaçi me autorizimin e Edita Tahirit për kryenegociatore me Serbinë, dhe platforma e rreme e Editës për kinse "bisedime teknike" ishin gabimi që tash po shihet se, fusnota nuk ishte "flluskë bore" por "hekurore", është shprehur Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, presidenti duhet të vazhdojë insistimin për realizimin e projektit integrues në drejtim të BE-s dhe të mos bëjë ekzibicione, sepse, kështu vetëm e thellon krizën dhe ia ngushton lakun vetvetes.

Haziri: Thaçi e mohoi shtetin e Kosovës

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri, ka thënë se presidenti Thaçi, në mënyrë direkte ka mohuar shtetin e Kosovës, duke i kërkuar presidentit Ilir Meta që t’i pajisë qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare.

“Loja e presidentit Thaçi me kartën e nacionalistit që po e shpërfaq këto ditë, sidomos me kërkesën drejtuar presidentit të Shqipërisë, Meta, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë, përtej asaj që ishte një shoë politik i tij, është e dëmshme edhe për vetë afirmimin dhe respektimin e Kosovës si shtet. Në realitetin e ri të krijuar pas pavarësimit të Kosovës, Shqipëria është një shtet fqinjë i Kosovës, dhe të kërkosh nga një shtet fqinj publikisht që t’i pajisë qytetarët e tu me nënshtetësi dhe pasaporta, kjo do të thotë të heqësh dorë nga shteti i yt, pra në këtë rast , Thaçi me vetëdije apo pa të, ai e mohoi shtetin e Kosovës”, ka theksuar Haziri për “Bota sot”.

Sa i përket presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare për procesin e liberalizimit të vizave, Haziri ka thënë se Thaçi është njeri i fundit që mund t’i bëjë dikujt presion, sidomos Brukselit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat