Frika nga akuzat e reja, pse Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n për raportin e tij?

Politika

Frika nga akuzat e reja, pse Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n për raportin e tij?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 tetor 2017 Në ora: 08:01
Hashim Thaçi

Dy vjet pas themelimit të Gjykatës Speciale, kur dhe ajo është e gatshme për të filluar punën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur kritikat dhe dyshimet për drejtësinë që do të sjellë.Po ashtu, ai ka folur edhe për arsyet pse nuk e ka paditur senatorin Dick Marty, i cili në raportin e tij e akuzon për transplant organesh dhe që ky raport i është dorëzuar gjykatës speciale.“Pas publikimit të raportit unë paralajmërova se do ta padisë senatorin Dick Marty. Por ai kishte imunitet dhe padia nuk do të mund të ndodhte”, ka thënë presidenti i Kosovës. Sipas tij, Serbia ka dorëzuar mbi 80 mijë dosje për Gjykatën Speciale, përfshirë edhe raportin e Dick Martyt, të cilat mund të përdorën në këtë proces.

Thaçi gaboi që nuk ushtroi padi

Thaçi ka thënë se kjo gjykatë është një-etnike, vetëm kundër shqiptarëve dhe ajo nuk do të merret me shqyrtimin e asnjërës prej 400 masakrave të kryera në Kosovë nga forcat serbe.

Lidhur me këtë, analisti politik, Rexhep Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Thaçi si kryeministër sa ka qenë ka gabuar që nuk e ka paditur Dik Martin, qoftë edhe formalisht ajo padi do të kishte vlere në opinionin politik.

Image
Rexhep Shahu

“Duke mos e paditur Thaçi ka cenuar e dëmtuar veten, është treguar frikacak. Se pse nuk e ka paditur nuk e di por di se nuk ka vepruar drejt sipas mendimit tim. Ditën që ka dalë akuza e Dik Martit kam deklaruar në televizion dhe me pas kam shkruar se sa i përket akuzës për transplant organesh, unë si gazetar i kohës që kam raportuar përditë në vitet 1998-1999 për ngjarjet në kufirin Shqipëri Kosovë, isha e jam gati që të vë duart e mia në një palë pranga me duart e Hashim Thaçit. Për akuzat e tjera nuk di asgjë. Le të kishte imunitet Dick Marti gjithë ditën, padia e Thaçit duhej bërë, jo thjeshtë në emrin e tij por në emër të UÇK-së, në emër të shqiptarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Më tej, Shahu thotë se nëse Serbia ka dorëzuar dosje në gjykatën speciale, një gjë të tillë ka mundur edhe ai ta bëjë, por që dosjet sipas tij ngjallin frikë tek frikacakët.

“Nëse Serbia ka dorëzuar 80 mijë dosje, kush e ndali Thaçin e qeverinë e tij të dorëzonte 800 mijë dosje. Kosova ka më shumë të vrarë, më shumë të humbur, në Kosovë kanë ardhur serbët të luftojnë e nuk kanë shkuar shqiptarët të luftojnë në Serbi, në Kosovë pastaj ka pasur luftë e qëndresë mbrojtëse dhe nuk ka pasur mbrëmje vallëzimi me serbët gjatë kohës së luftës. Dosjet dhe gjykata speciale ngjallin frikë tek frikacakët. Nëse ata që bënë luftë janë trima, le të jenë trima edhe në paqe në gjykata”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Duhanaj: Presidenti bëri deklaratë qesharake

Image
Leon Duhanaj

Në anën tjetër, analisti politik, Leon Duhanaj thotë se një deklaratë e tillë është qesharake, sepse nuk mund të mos bësh padi ndaj dikujt pse ka imunitet.

“Vet deklarata si e tillë, është e pasinqertë. Ku ka në botë që dikush nuk ngreh akuzë ndaj një personi të caktuar, me pretendimin që ai paska imunitet. Kjo deklaratë është më shumë se qesharake. Nëse dikush ka arsye dhe bazë ligjore për padi, atëherë e bën atë dhe nuk hulumton më thellë. Nëse personi në fjalë, në të njëjtën periudhë kohore nuk mund të dënohet shkaku i imunitetit, ai mund të hetohet dhe në një moment të tij, nëse ka bazë ligjore edhe të dënohet. Këndej Thaçi duhet ta gjëje ndonjë metodë tjetër për të manipuluar me publikun. Fakt është që ai është akuzuar, madje me emër dhe si rrjedhojë kemi sot Gjykatën Speciale”, ka thënë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Të mos njolloset lufta për liri

Sa i përket gjykatës Speciale, Duhanaj thotë se është realitet, por që nuk duhet lejuar që ajo të njollosë luftën për liri.

“Gjykata Speciale, në radhë të parë është si pasojë e dështimit tonë si shtet dhe si shoqëri e tërë, në segmentin e drejtësisë. Po ashtu është rezultat i lobimit serb gjithandej. Me qëllim të njollosjes së UÇK-së. Se si ka ardhur deri te akuza, ku janë marrë dosjet etj... këto gjëra janë çështje tjetër. Por se kemi dështuar ne përballë drejtësisë vendore, ky është një fakt i pamohueshëm dhe njëherësh i dhimbshëm. Me gjasë kjo gjykatë, brenda çarqeve ndërkombëtare ka qenë kusht pa alternativë. Figurat kyçe të politikës sonë e kanë ditur mirë. Këndej secili që ka pasur ndonjë lloj ndikimi, është munduar ta shfrytëzojë rastin e ndonjë amnistimi për veten. Megjithatë gjykata tashmë është realitet, nuk kemi alternativë, duhet të bëjmë përpjekje që ta mbijetojmë të drejtën. Mos ta lejojmë që gjërat të përgjithësohen gjegjësisht, të njolloset lufta për liri. Çdo individ, që eventualisht akuzohet, duhet të trajtohet si rast i veçantë. Deklarata e Presidentit, ka ngjashmëri me atë të Pilatit dhe asgjë më shumë”, vlerëson ai.

E ish luftëtari i UÇK-së dhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, akuzat e Dick Martyt janë të rreme, por që ka gjëra tjera pse sipas tij Thaçi e meriton të jetë në burg.

Image
Naim Miftari

“Sa i përket raportit të senatorit evropian Dick Martyt dua të cek në fillim se dyshimi dhe akuzat për transplant të veshkave është i rremë dhe jo i saktë, akuza kundër Hashim Thaçit është e rrejshme, e gabuar dhe tendencioze, pasi qëllimi është etiketimi i luftës për liri.. Edhe pse presidenti i jonë meriton të futet në burg për gjëra tjera si përfitues lufte dhe si njeri që ka urdhëruar dhe ka pasur dije gati për çdo vrasje politike gjatë luftës dhe pas luftës por tregtia me organe nga raporti i Dick Martit është i pafajshëm për atë kohë kur akuzohet, por qëllimi i atij raporti është njollosja e luftës çlirimtare nga UÇK-ja dhe është i sponzorizuar nga DUMA Ruse dhe Beogradi”, ka deklaruar Miftari për “Bota sot”.

Frika nga akuzat e reja

Më tej, ai flet për frikën që presidenti nuk e ka paditur senatorin Marty për akzuat që i ka bërë.

“Sa i përket pse nuk ka pat guxim Thaçi ta akuzojë Dick Martin nuk qëndron arsyetimi i tij por Thaçi ka pasur frikë nga akuzat e reja që do të mund të vinin nga parlamenti Evropian akuza më të detajuara dhe më konkrete sidomos mbi vrasjet politike. Hashim Thaçi por edhe Kosova është dashur ta padisin Dick Martin për tentim të falsifikimit të një lufte çlirimtare dhe po ashtu Thaçi dhe Kosova ta padis Serbinë për krime lufte, gjenocid, dhunime sistematike, pastrim etnik dhe për dëmet e luftës. Kosova nuk i ka bërë hapat e duhur dhe qëllimi i Thaçit tani me këto akuza është ta faktorizojë vetveten para Amerikanëve dhe Evropianëve se vetëm Hashim Thaçi mund ta mbajë Kosovën stabile sa i përket sigurisë këtë lojë e luan presidenti i jonë që nga paslufta e luan edhe tani”, vazhdon më tej ai.

Thaçi mund të mos akuzohet nga Specialja

Miftari tregon edhe arsyet pse Thaçi mund të mos akuzohet nga Specialja.

“Emri i Thaçit mund përlyhet akoma më shumë në këtë gjykatë speciale por sa të ketë Hashim Thaçi shokë që i dërgon në burg, nuk do të përfundojë vet në burg, pasi (tregtia) me ish shokë të luftës duke i tradhtuar, shitur e bërë politik me jetë të tyre këtë është i zoti dhe e ka shumë pasion jetësor presidenti i jonë këtë punë. Çka prisni nga një njeri që pas luftës thoshte publikisht se është kryesori i UÇK-së dhe merr përgjegjësi ligjore mbi vete si lider për çdo krim të mundshëm të UÇK-së gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës, disa vite më vonë kur vjen që të japë llogari për krimet e mundshme thotë publikisht Skan Njuz se nuk ka qenë kurrë ushtar apo komandant i UÇK .! Siç është një thënie e Bernard Kushnerit e cili thotë për Thaçin: Thaçi prish punë natën dhe vjen ditën të kërkojë të rregullojë vetë punët që ishin prishur natën...”, ka deklaruar Naim Miftari për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat