Abazi: E turpshme ku ka arritur përgjegjësia e deputetëve, ja arsyet pse ata kanë këtë post

Politika

Abazi: E turpshme ku ka arritur përgjegjësia e deputetëve, ja arsyet pse ata kanë këtë post

Nga: Gresa Bajraktari Më: 14 tetor 2017 Në ora: 15:52
Haki Abazi

Megjithëse kishte tre muaj bllokadë institucionale, edhe pasi u formuan institucionet, jo të gjithë deputetët ishin pjesëmarrës në seancat e mbajtura.

Madje të pranishëm nuk ishin të gjithë deputetët as në ditën kur u zgjodh kryetari i Kuvendit e më pas edhe në ditën kur u zgjodh kryeministri i Kosovës.

Ka deputetë që shkojnë në seanca, por pasi që arrihet të bëhet kuorumi për çështje të caktuara, ata dalin pasi nënshkruhen.

E së fundmi kandidimi për zgjedhjet lokale ka bërë që deputetët të mungojnë në seancë, derisa kemi 13 deputetë që janë në garë.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend,  Haki Abazi thotë se roli i parlamentit është reduktuar në numra dhe jo përmbajtje dhe se është e turpshme se ku ka arritur niveli i papërgjegjësisë.

“Parlamenti që disa herë me radhë nuk është model përfaqësimi e as vend i debateve konstruktive, por një grumbull njerëzish që bartin interesin e partisë të përcaktuar jashtë parlamenti. Shumica e tyre janë aty, sepse janë në listën e preferuar të liderit apo duke mashtruar votuesit me imazhin e të qenit i pasur e i fuqishëm. Sistemi elektoral është i gabuar dhe nuk i kontribuon përfaqësimit qytetar dhe interesave publike e nacionale. Ju kujtohet skandali i Ganimetës që ka hyrë, është nënshkruar dhe ka dalë për të marrë mëditjen, ky është afërsisht modeli dhe mendësia. Është e turpshme ku ka mbërritur niveli i përgjegjësisë, por në anën tjetër është plotësisht e kuptueshme pse njerëzit nuk kanë besim, sepse partitë janë bërë klube të mbyllura që i shohin votuesit dhe anëtarësinë vetëm si mjet për të ardhur në pushtet dhe kjo është arsyeja pse partitë duken kaq qesharake kur bëjnë premtime dhe dalin në terren ndërsa njerëzit kryesisht ose janë të mërzitur apo e shohin partinë si mjetin për të ardhur deri tek një vend i punës apo për të qenë në linjën e fuqisë politike për të marrë një tender apo përfitim tjetër”, ka deklaruar Abazi për gazetën “Bota sot”.

Abazi po ashtu ka përmend emra të politikanëve që sipas tij, janë vetëm për interes personal.

“Demokracia e Kosovës është reduktuar në pazare, manipulues i shitblerjes së marrëdhënies për momentin. Duhet analizuar edhe pjesëmarrjen e të rinjve në politikë si Deda e Kusari, një kulturë e krijuar që e bën normal rrenën, korrupsionin, premtimin e kot, lejon edhe këso lloj parazitë të jetojnë dhe vazhdojnë të ballafaqohen me publikun edhe pse janë poçavra të ndyta të politikës dhe nuk kanë ofruar asgjë me shumë sesa interesi i tyre personal, kopjimi i të tjerëve dhe një përzierje që krijon konfuzion se kush është çka dhe se kujt i vlen fjala apo vepra për interes publik”, ka thënë Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat