Frustrimi i Haradinajt për vizat, bie në kundërshtim me anëtarin e partisë së tij

Politika

Frustrimi i Haradinajt për vizat, bie në kundërshtim me anëtarin e partisë së tij

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 14 tetor 2017 Në ora: 17:45
Ramush Haradinaj

Për analistët politik, mendimi i zyrtarit të AAK-së, Muhamet Kelmendi, i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nuk beson se Kosova do të ketë liberalizim të vizave deri në vitin 2019, është një deklaratë më e besueshme se ajo e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjatë fushatës elektorale, Haradinaj premtonte se me ardhjen e tij në pushtet, Kosova brenda tre muajve do të ketë liberalizimin e vizave. Kurse, tani ai po thotë se kah fundi i vitit dihet se çfarë do të bëhet me këtë çështje.

Por, për zyrtarin e subjektit të Haradinajt, është e pamundur të dihet data e për vizat.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai madje liberalizimin e vizave e ndërlidh me problemin e demarkacionit që Haradinaj është kategorikisht kundër kësaj marrëveshje.

“Demarkacioni është në proces, sikundër edhe vetë fakti i një angazhimi shumë më të avancuar të luftës kundër krimit e korrupsionit. Por, këtu duhet thënë se është një proces i vështirë dhe me plotë probleme. Kam mendim se edhe ky fakt do të fillojë me u realizuar dhe ndoshta viti i ardhshëm të jetë viti i marrjes së vendimit, po i cili do të fillojë së zbatuari pas dy a tri viteve. Unë do të isha i lumtur nëse në vitin 2019 do të kishim liberalizim”, ka theksuar Kelmendi për “Bota sot”.

Liberalizimi, proces i gjatë

Për analistin Faton Mehmeti, është e ditur se nuk mund të ketw liberalizim të vizave.

 “E vlerësoj si korrekte dhe të sinqertë deklaratën e Muhamet Kelmendit, i cili shprehet se Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave edhe për 2 vjet. Në fakt kjo është e ditur tashmë dhe të gjitha të tjerat janë manipulime me opinionin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë për “Bota sot” analisti Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, procesi i liberalizimit të vizave është mjaft kompleks dhe proces i gjatë, pasi duhet të miratohet ky proces nga të gjitha vendet e shengenit.

“Në proceset që është Kosova ku ende çështja e demarkacionit është larg zgjidhjes si dhe luftimi i korrupsionit, duhet të jesh naiv ta besosh se Kosova brenda 3 muajve do të ketë liberalizim të vizave. Nuk qëndron aspak deklarata e Haradinajt që Kosova do të ketë liberalizim të vizave brenda 3 muajve, kjo s’ka shans të ndodhë. Ky është premtim krejt naiv dhe i pamenduar mirë, pasi s’do të ndodh një gjë e tillë”, ka shtuar Mehmeti.

Frustrimi i Haradinajt

Kurse, analisti Nexhat Haziri deklaratën e Haradinajt për vizat e sheh më shumë si frustrim politik.

Image
Nexhat Haziri

“Sa i përket deklaratave të kryeministrit Haradinaj dhe afateve të tij për procesin e liberalizimit të vizave, janë deklarata vetëm sa për konsum të brendshëm politik dhe po ashtu janë tregues i frustrimit të vetë Haradinajt, me pa fuqinë e tij jo vetëm politike, por edhe të mosnjohjes së proceseve”, ka thënë për “Bota sot”, analisti Haziri.

Sipas tij, procesi i liberalizimit të vizave i ka vënë në lajthitje të gjithë akterët politikë.

“Nuk mendoj se Kosova edhe dy vite nuk do të ketë liberalizim të vizave, pasi është obligim i qeverisë së vendit për të përmbushur obligimet apo kriterët që janë venë Kosovës për të arritur deri në procesin e liberalizimit të vizave. Kujtoj se tani edhe faktori ndërkombëtar do të bëjë trysni në institucionet e Kosovës për t’i përmbushur kriteret e që janë miratimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të japin shenja të vendosmërisë së tyre për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shtuar Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat