Presioni nga Lista serbe, Haradinaj pa plan për Brezovicën

Politika

Presioni nga Lista serbe, Haradinaj pa plan për Brezovicën

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 tetor 2017 Në ora: 11:56
Foto ilustruese nga "Bota sot"

Gjatë fillimit të kësaj jave është bërë publik vendimi për  Brezovicën nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj , i cili ia hequr statusin e zonës me interes publik këtij kompleksi turistik.

Analisti Faik Krasniqi, ka komentuar këtë vendim të Haradinaj, ku ka thënë se edhe ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami pati hequr dorë nga projekti pasi që nuk kishte investitor.

Image
Faik Krasniqi

“Edhe Qeveria e mëhershme dhe ish ministrja-Hykmete Bajrami, kishin hequr dorë nga projekti për Brezovicën, me arsyetimin se investitori nuk erdhi, dhe është dashur të anulohet. Qytetarët e Kosovës kurrë nuk e kuptuan arsyen për tërheqjen e investitorit, një investitor që kishte në plan të investonte 400 milionë euro”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka plan konkret për Brezovicën.

“Në planin e Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme, nuk ka asgjë konkrete për Brezovicën. Aty flitet vetëm sipërfaqësisht dhe në terma të përgjithshëm”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për shkak të presionit të Listës serbe, kjo Qeveri, nuk do të bëjë asgjë për Brezovicën.

“Për shkak të presionit të Listës serbe, kjo Qeveri sikurse edhe Qeveria e mëhershme nuk do të bëjnë asgjë për Brezovicën. Qeveria e Isa Mustafës me disa arsyetime të pakuptimta, dhe Qeveria e Ramush Haradinaj për shkak të presionit nga Lista serbe”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat