Gjykata Speciale “dridhë” Thaçin, Veselin, Halitin e Sylën

Politika

Gjykata Speciale “dridhë” Thaçin, Veselin, Halitin e Sylën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 tetor 2017 Në ora: 09:04
Haliti, Veseli, Thaçi dhe Syla

Ditëve të fundit, janë publikuar tri letra që kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ia kishte shkruar Presidentit Hashim Thaçi, në vitin 2003.  Lladrovci, kryetar i Drenasit dhe kandidat i PDK-së për këtë komunë, sipas medies insajderi, i ankohej Thaçit se shumë prej drejtuesve të UÇK-së e shihnin atë si spiun të shërbimeve të huaja. Mes tjerash përmendte vrasjen e Beadin Allaqit, një nga drejtuesit e UÇK-së në vrasjen e të cilit implikohet Hashim Thaçi në këtë letër. Publikimi i këtyre letrave, sipas analistëve ndërlidhet me Gjykatën Speciale dhe me aktakuzat të cilat pritet të ngriten nga kjo Gjykatë.

Analisti politik Skender Zogaj ka thënë se Gjykata Speciale ua ka fut frikën të gjithë atyre që e dinë se kanë bërë krime dhe që duhet të japin llogari për veprat e tyre të liga.Sipas tij, ditëve të fundit frika ka filluar të përfshijë edhe popullatën e gjerë sepse, ka indikacione që kriminelët do të përpiqen që të pengojnë Gjykatën Speciale ne çdo kusht, sepse kjo është e vetmja mundësi për t'iu shmangur drejtësinë. 

Image
Skender Zogaj

“Nga mundësitë e shumta është në lojë edhe varianti i protestave qytetare kundër Gjykatës Speciale, dhe kjo është gjëja më e rrezikshme sepse definitivisht Kosova dhe çështja shqiptare do të vihen në "rishqyrtim" politik e diplomatik ndërkombëtar, dhe seriozisht do të vihet në pikëpyetje statusi i Kosovës! Kjo është e sigurt prandaj unë mendoj se kërkohet guxim dhe vendosmëri që të gjitha institucionet të bashkëpunojnë me Gjykatën dhe ta ndihmojnë që e vërteta rreth krimeve të zbardhet plotësisht. Kjo dhe vetë kjo duhet t' i motivojë të gjithë qytetarët e Kosovës që ia duan të mirën vendit dhe vlerave të luftës, që duhet të pastrohen nga hipotekat e krimit! Komandantët e kanë rastin që ta thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, edhe nëse kjo mund të jetë për dikë e hidhur”, ka thënë Zogaj.

Thaçi, Veseli, Haliti, Syla kanë fatin e njëjtë

Image
Gazmend Islami

Njohësi i çështjeve politike Gazmend Islami ka thënë për “ Bota sot” se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti dhe Azem Syla kanë fatin e njëjtë.

“Mendoj që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti dhe Azem Syla kanë fatin e njëjtë, ata janë sikur vëllezërit siamez, të pandarë gjatë gjithë kohës në planet e tyre famëkeqe për të ardhur në krye të një shteti që kishte filluar të lindte. Fati i tyre nuk duhet të ndahet, ata duhet të japin llogarit e tyre për të bëmat e tyre, nuk ka fuqi që mund të shpëtoj nga burgu, katërshen e famshme, për arsye të thjesht, të përfshirë në gjitha ngjarjet nga vitet 95 e deri në ditët e sotme”,ka thënë Islami për “Bota sot”.

Ai është shprehur se do të ishte mirë që gjykatat vendore dhe prokuroria e shtetit të merret me gjithë ato që kanë ndodhur, vrasjet politike, tentim vrasjet, shantazhet, zhvatja e shtetit, korrupsioni, krimi i organizuar, krejt këto e kanë një emërues të përbashkët.

“Përfolja për letrat e Ramizit, nuk do të thotë se ky është më i mirë se këta, Ramiz Lladrovci është më mirë të jap edhe ai llogarit e veta bankare, sepse pasuria e tij është milionëshe, dhe duhet të përgjigjet, vendi i tij është dyzi dhe asgjë tjetër. Gjykatën Speciale e ka ndihmuar që të krijohet Hahsim Thaçi me shpresën që shokët ti dorëzoj aty, por si duket vet do të përfundoj në lojën e ndytë”, ka thënë Islami.

PDK dhe SHIK sollën Gjykatën Speciale

Image
Nexhat Haziri

Ndryshe, opinionisti Nexhat Haziri duke folur rreth kësaj çështje konsideron se Kosova ka pasur dhe ka nevojë për drejtësi, por jo për Gjykatë Speciale.

Sipas tij, kapja e drejtësisë dhe ndikimi në të nga politika, veçmas nga PDK-ja dhe nëntoka e sajë SHIK, solli Gjykatën Speciale, si një instrument i vetëm për të bërë dhe sjell drejtësi në këtë vend.

 “Dua të besoj se kjo Gjykatë do të ndihmoj dhe do ti inkurajoj edhe gjykatës dhe prokuror vendor që të fillojnë për të ndarë dhe bërë drejtësi të pandikuar nga politika dhe grupet e tjera të interesit. Dhe natyrisht me afrimin e kohës së ngritjeve të aktakuzave të para, shihet një panik të disa eksponent të politikës nga radhët e PDK-së, për shkak të pafuqisë së tyre për të ndikuar në këtë gjykatë. Sa i përket letrave të Ramiz Lladrovcit për Hashim Thaçin, që tashmë po qarkullojnë në media, tregojnë për mënyrën e politik bërjes në këtë vend nga një parti politike siç është PDK-ja. Përtej asaj që eksponentë përbrenda PDK-së, duke ditur veprimet e njeri-tjetrit, i kanë përdorur si shantazhim për avancime politike, siç është rasti me avancimin e Ramiz Lladrovcit, në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, por edhe si një formë për ta luftuar njeri-tjetrin”, ka thënë opinionsti Haziri.

Ai ka theksuar se këto letra, mund të jenë edhe objekt shqyrtimi nga Gjykata Speciale, pasi flitet për implikimin e mundshëm të presidentit aktual z. Thaçi në vrasjen e njërit prej drejtuesve të UÇK-së, Beadin Allaqi.

“Në fund, kujtojë se këto letra, dhe shumë dëshmi të tjera që do të dalin në ditët në vazhdim si dhe forma e qeverisjes në këtë vend, do ta dëshmojnë para opinionit kosovar, se Gjykata Speciale, ishte dhe është e vetmja ajo që mund të sjellë drejtësi në këtë vend”, ka thënë Haziri.

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se " Pronto " po dridhet, dhe ky është lajm i mirë për Kosovën, meqë  Thaçi dhe banditët e tij janë strumbullari i të keqes në Kosovë. 

Image
Faton Mehmeti

“Tanimë, që e kanë kuptuar se nuk ka kthim prapa nga Gjykata Special e banda e klanit " Pronto" po mundohen se kush kujt " t’ia" ngul që  vet të shpëtojë. Edhe letra e Lladrovcit që ia dërgon Thaçit, ka të bëjë me faktin se këta nuk i besojnë njëri- tjetrit. Fakti se nuk ka besim, dhe duke ditur veprimtarin e tyre, tregon më së miri se brenda " Pronto-s” kanë vepruar edhe rregullat e bandave mafiozëve me moton: (mos i beso askujt). Pra Thaçi ka veç një qëllim, se si të shpëtojë nga Gjykata Speciale”, ka thënë Mehmeti.

“Thaçi është në gjendje që t’i dërgojë të gjithë prapa grilave”

Sipas tij, Thaçi është në gjendje që t’i dërgojë të gjithë prapa grilave,  veç që vet të shpëtojë por vështirë që të shpëtoj.

“Pa u futur prapa grilave Klani "Printo" me Thaçin prijës nuk ka ditë të mbarë për Kosovën, e cila po vuan si shkak i të këqijave të këtyre. Pra frika është jo që të humb arsyeje, duke akuzuar njëri- tjetrin tek ndërkombëtarët. Këta po mundohen të shpëtojnë veten. Sepse nuk kanë nevojë fare për dëshmitar tjerë gjykata speciale, pasi këta njeri tjetrit do ia qesin te palarat, siç thotë një fjalë popullore " qentë sa te kenë hanë së bashku, kur nuk kanë çfarë të hanë njëri- tjetrin" është shprehur Mehmeti.

Shenja paniku

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se deklaratat e fundit të Hashim Thaçit ndaj bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me premtimet e tyre të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, në shkëmbim të themelimit të Gjykatës Speciale, dhe zbardhja e letrave të dërguara, nga Lladrovci drejt Thaçit, që të pastrohej para tij se nuk po e spiunonte tek shërbimet e huaja dhe nuk qëndronte prapa pohimeve se ai (Thaçi) është i implikuar në vrasjen e njërit prej drejtuesve të UÇK-së, Beadin Allaqi, tregojnë shenja të një paniku nga disa ish komandantë që mund të kenë gisht në vrasjen e bashkëluftëtarëve të tyre.

“Ky panik ka vetë një emër, e ai emër është Gjykata Speciale. Duke i njohur qëndrimet e Hashim Thaçit dhe kompromiset e shumta që i ka bërë në dëm të shtetit të Kosovës, duke ju bërë urë ndërkombëtarëve, tregon qartë se ai ka informacione që mund të jetë njëri nga ata që do të akuzohet nga Gjykata Speciale. Përndryshe, kurrë nuk do të bënte deklarata të tilla, edhe sikur Kosova do të digjej flakë”, ka thënë politologu Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat