Ramush Haradinaj “dorëzohet” për Brezovicën, shkak Lista Serbe

Politika

Ramush Haradinaj “dorëzohet” për Brezovicën, shkak Lista Serbe

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 tetor 2017 Në ora: 14:56
Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës ka marr vendim me 22 shtator, që një nga kompleksët më të mëdha turistike që gjendet në Kosovës, Brezovica që t`ia  heq statusin e zonës me interes publik, si pasojë e dështimit të qeverisë së kaluar për të realizuar investime milionëshe sipas partneritetit publiko-privat.

“Anulohet vendimi përfundimtar Nr. 10/50 datë 23.09.2015 për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Qendrës Turistike Brezovica”, kështu thuhet në vendimin e kryeministrit Ramush Hardinaj  në dokumentin e publikuar në mediat vendore.

“Bota sot” ka tentuar të marr një përgjigje nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë vendim,  por nuk ka arritur të bëjë një gjë të tillë, edhe pse ka pritur gjatë gjithë javës që të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Image
Gurakuç Kuçi

Brezovica është zhvatur

Ndërsa, lidhur me këtë vendim të qeverisë, analisti Gurakuç Kuçi për “Bota sot” është shprehur se deri më tani Brezovica është zhvatur dhe nga kjo çështje nuk duhet të hiqet dorë.

“Nuk duhet që të ngutemi në vlerësime të shpejta, çështja e Brezovicës është e ndjeshme po aq sa shumë çështje tjera në Kosovë dhe kërkon një trajtim më special. Çdo tendencë deri me tani që ka ndodhur ndaj sa ka qenë vetëm për shkatërrim dhe zhvatje dhe askush nuk mund të heqë dorë nga Brezovica vetëm se mund ta zvarrit si proces. Ka momente politike që nuk janë të përshtatshme për një veprim të caktuar dhe kërkohet qe vendimi të shtyhet për një kohë tjetër”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kuçi ka thënë se edhe nëse Lista Serbe do të donte të rrëzonte Qeverinë  nuk do ta gjente mbështetje nga opozita.

“Sa i përket pjesës që nëse Haradinaj i është dorëzuar Listës Serbe, kjo është pak e besueshme, sepse kam një bindje që edhe po të dojë LS ta rrëzoj Qeverinë Haradinaj, nuk do gjente përkrahje nga opozita dhe askush tjetër. Ndërsa, pjesëmarrja e minoriteteve, duke përfshirë edhe LS-në në Qeveri është obligim kushtetues dhe kushdo që vjen nesër në pushtet ata është i detyruar t’i ketë në kabinet. Nuk ka asgjë jashtë-normales çdo komunitet duhet të përfaqësohet, por vetëm se duhet të mbahet nën kontroll”, ka theksuar Kuçi për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Dorëzimi përballë Listës Serbe, qeveria pa plan konkret për Brezovicën

Kurse, analisti Faik Krasniqi, ka komentuar këtë vendim të Haradinajt, ku sipas tij edhe ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami pati hequr dorë nga projekti pasi që nuk kishte investitor.

“Edhe Qeveria e mëhershme dhe ish ministrja-Hykmete Bajrami, kishin hequr dorë nga projekti për Brezovicën, me arsyetimin se investitori nuk erdhi, dhe është dashur të anulohet. Qytetarët e Kosovës kurrë nuk e kuptuan arsyen për tërheqjen e investitorit, një investitor që kishte në plan të investonte 400 milionë euro”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka plan konkret për Brezovicën.

“Në planin e Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme, nuk ka asgjë konkrete për Brezovicën. Aty flitet vetëm sipërfaqësisht dhe në terma të përgjithshëm”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për shkak të presionit të Listës serbe, kjo Qeveri, nuk do të bëjë asgjë për Brezovicën.

“Për shkak të presionit të Listës serbe, kjo Qeveri sikurse edhe Qeveria e mëhershme nuk do të bëjnë asgjë për Brezovicën. Qeveria e Isa Mustafës me disa arsyetime të pakuptimta, dhe Qeveria e Ramush Haradinaj për shkak të presionit nga Lista Serbe”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Presioni i Listës Serbe drejtuar Haradinajt

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti ka thënë se presioni drejtuar qeverisë Haradinaj, e ka detyruar atë që të jap dorëheqje nga Brezovica dhe se kjo dëshmon që pa serbët kjo qeveri nuk mund të bëjë asgjë.

“Brezovica është privatizuar me intriga dhe manipulime dhe si e tillë edhe ka mbetur. Fatkeqësisht, këtë pasuri të madhe të Kosovës po e udhëheqin serbët, të cilët me presionin e tyre ndaj qeverisë Haradinaj, e kanë detyruar të heq dorë. Ky akt dëshmon për fuqinë e madhe dhe kruciale që kanë serbët në qeverinë Haradinaj, e cila nuk po mundet dot të bëjë asgjë pa ata”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mehmeti ka thënë se vendi do të humbet miliona euro dhe se është e dhimbshme që për karrige Haradinaj t’i bëjë dëm vendit.

“Kosova me këtë rast do të humbas miliona euro, dhe vende të punës e të cilat do t’iu mundësojnë serbëve që ta shndërrojnë Brezovicën në listën e pasurive të udhëhequra nga Beogradi. Kompromis i dhimbshëm që për karrige të bësh këso veprime në dëm të vendit, ekonomisë dhe zhvillimit të saj”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka shtuar se opozita si dhe shoqëria civile duhet të reagojnë ndaj këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës.

“Brezovica nuk guxon të anashkalohet, por të shndërrohet ne mekanizëm të zhvillimit ekonomik të vendit. Opozita dhe shoqëria duhet të reagojnë ndaj këtij akti të rënd për vendin dhe zhvillimin e saj ekonomik”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat