Zyrtari i AAK-së del kundër Haradinajt, kjo është kërkesa e tij

Politika

Zyrtari i AAK-së del kundër Haradinajt, kjo është kërkesa e tij

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 tetor 2017 Në ora: 15:51
Ramush Haradinaj

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve për detyrimet që kanë ambalazhuesit e ujit, nuk është pritur mirë nga shoqëria civile.

Institute si GAB, GSJP dhe INDEP, kanë kundërshtuar vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për faljen e rreth 60 milionë eurove.

Në komunikatën e këtyre instituteve, ky vendim është cilësuar si i kundërligjshëm.

“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore”.

Po ashtu në komunikatë thuhet se “falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”.

“Kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marr aprovimin e kuvendit. Shembull për këtë është edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës”.

Mirëpo në partinë e Haradinajt, vendimin e tillë nuk e shohin si të tillë, pasi Qeveria mund të veprojë në drejtimin e tillë të faljes së borxheve.

Image
Muhamet Kelmendi

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, anëtari i AAK-së Muhamet Kelmendi, ka thënë se Qeveria mund të propozojë masa konkrete për shërimin e gjendjes ekonomike.

“Në kuptimin e politikës ekonomike, natyrisht se Qeveria ka një plan zhvillimor ekonomik dhe mund të veprojë në drejtimin e tillë të faljeve të borxheve. Qeveria me ministrit përkatëse, të cilat propozojnë masa konkrete të shërimit të gjendjes ekonomike, e cila ka për qëllim të jetë sipas planifikimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka thënë Kelmendi.

Ai më tej ka thënë se njëjtë sikurse Qeveria e tanishme, kanë vepruar edhe ato të kaluara.

“Kemi parë se edhe Qeveria e kaluar dhe ato menjëherë pas luftës shumë borxhe kanë fal, kemi parë poashtu se edhe minoriteteve u janë falur dhe nuk kanë gabuar, pastaj kemi pasur borxhe të rrymës, për forma të ndryshme, e kam fjalën për ngrohje etj.”, është shprehur ai.

Se as është vendimi i Haradinajt i ligjshëm, apo jo, sipas anëtarit të AAK-së, këtë mund ta vërtetojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Është një çështje, të cilën nuk mund ta analizojë askush është ligjore apo nuk është ligjore, sepse është një çështje që Qeveria e planifikon dhe e cilëson si pozitive apo negative. Në bazë të përcaktimeve të tilla, qeveria edhe e merr një vendim të tillë për të konstatuar se a është ligjore apo nuk është i tillë. Unë nuk jam i ligjeve të natyrës së tillë, dhe për fat të keq i takon Gjykatës Kushtetuese, përfundimisht të vendos se a është ligjore apo jo”, ka theksuar Muhamet Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat