“Tu hiqet mëditja dhe pjesë nga paga deputetëve që nuk marrin pjesë në seanca”

Politika

“Tu hiqet mëditja dhe pjesë nga paga deputetëve që nuk marrin pjesë në seanca”

Nga: Gresa Bajraktari Më: 16 tetor 2017 Në ora: 23:05
Kuvendi i Kosovës

Edhe pse të zgjedhur nga populli dhe që gara për tu zgjedhur deputet ka qenë mjaft e madhe, me tu zgjedhur, ata bëjnë mungesa në seancat që mbahen.

Shpesh nuk arrihet të bëhet kuorumi për shkak të mungesës së tyre, derisa pagat e larta për ta vazhdojnë.

Mungesa bëhet edhe më e madhe në kohë fushate, sikur tani që kemi zgjedhjet lokale.

Për gjithë këtë, analisti Leon Duhanaj thotë se ka shumë deputetë të pandërgjegjshëm që vetëm shkruajnë sa për tu nënshkruar dhe më pas dalin.

“Çështja e mungesës së kuorumit në seancat plenare në kuvend, nuk është diçka e re. Aty ka pasur në vazhdimësi deputetë të pandërgjegjshëm, të cilët, jo vetëm që nuk marrin pjesë aktive në punët e kuvendit por, ata janë edhe të pafytyrë e që të shkojnë të nënshkruhen për mëditje dhe të dalin. Plus kësaj, tani që kemi edhe fushatën zgjedhore pothuajse të gjithë janë të preokupuar me të e aspak me detyrimet ligjore që kanë karshi kuvendit dhe qytetarit. Nëse flasim për mungesë morali politik e njerëzor, natyrisht që është e saktë. Ndryshe nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi në të cilin jemi, qoftë si shtet, qoftë edhe si shoqëri”, ka thënë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Ai propozon që me rregullore të Kuvendit deputetët e tillë të sanksionohen, që tu hiqen mëditjet dhe pjesë nga paga mujore.

“Kuvendi duhet të nxjerrë rregullore e cila i sanksionon qartë këto gjëra. Në rast që dikush nuk është pjesë e seancave, të mos i paguhen mëditjet. Po ashtu, në raste të nënshkrimit dhe mospjesëmarrje në seancë, të sanksionohen me gjobë, duke iu ndalur nga pagat. Tjetër çfarë do duhet të rregullohej. Do të ishte mirë, që, meqenëse deputeti, është i zgjedhur nga populli dhe nuk ka mandat askush ta shkarkoj për mospjesëmarrje të rregullt të seanca. Atëherë do të kisha propozuar që të përcaktohen shuma të caktuara, ku secili deputet, për çdo mungesë në seanca, t'i ndalet nga paga mujore. Këtë vend duhet bërë me çdo kusht. Bërjen e tij e arrijnë vetëm njerëz të denjë dhe të sinqertë ndaj tij dhe assesi hajdut uzurpatorë”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat