Tërheqja e SHBA-së, vështirësohen edhe më shumë punët për Kosovën në UNESCO

Politika

Tërheqja e SHBA-së, vështirësohen edhe më shumë punët për Kosovën në UNESCO

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 tetor 2017 Në ora: 07:39
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të largohen nga Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO).  Vendimi i SHBA-së për tu tërhequr nga UNESCO, po shihet se një vështirësi e radhës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar.

Kjo për faktin se SHBA-të si shteti më i fuqishëm në botë dhe njëherit aleati më i madh i Kosovës duke qenë anëtar i kësaj organizate do të mund të lobonin pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Njohës të çështjeve ndërkombëtar dhe deputet që janë anëtar në Komisionin për Politika të Jashtme e shohin këtë si një humbje për Kosovën.

Image
Zafir Berisha

“Është humbje e madhe për Kosovën tërheqja e SHBA-ve nga UNESCO, sepse duke qenë aleati më i madh i shqiptarëve, ajo gjithqysh do të shtrinte ndikimin e saj tek shtetet e tjera të botës për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, tha deputeti i NISMA-s për Kosovën, Zafir Berisha dhe njëherit anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme.

Ai shtoi se kjo paraqet një vështirësi shtesë për vendin për anëtarësim në UNESCO.

Qeveria shpreson se deri në vitin 2019, SHBA do të tejkaloj problemet me UNESCO-n

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë shpresojnë deri në vitin 2019, atëherë kur Kosova do të aplikoj për anëtarësim në UNESCO, SHBA-të do të zgjedhin këtë mosmarrëveshje më këtë institucion ndërkombëtar.

“Duke qenë se Kosova sivjet nuk ka aplikuar për UNESCO për arsye tashmë të ditura për publikun dhe se Konferenca e përgjithshme e UNESCO-s mbahet çdo dy vjet, Kosova do të aplikojë për UNESCO tek në vitin 2019 dhe deri atëherë besohet se kontestet mes aleatëve të Kosovës siç janë ShBA me UNESCO do të tejkalohen”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit dhënë për “Bota sot”.

Sipas Qeverisë, Kosova mbështetet fuqishëm tek Amerika për sa i përket anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe punon ngushtë me ShBA-në të gjitha rrethanat.

Murtezaj: Kosova të bashkëpunojë edhe me shtetet tjera të fuqishme

Edhe ish-ministri i punëve të jashtme Valon Murtezaj dhe njëherit profesor në Universitetin e Parisit thotë se SHBA-të janë përkrahës i madh për Kosovën.

Image
Valon Murtezaj

“Shtetet e Bashkuara janë përkrahësi më i madh i Kosovës në skenën ndërkombëtare. Kur jemi të anëtarësimi në UNESCO, tani është një periudhe dy vjeçare që e kemi deri të momenti tjetër i aplikimit. Vendimi i SHBA-ve për tu tërhequr nga UNESCO sapo ka ndodhur, dhe mbetet të gjenden modalitet si të veprohet më tej”, tha Murtezaj për “Bota sot”.

Ai tha se Kosova pret që ta ketë ndihmën e SHBA-së, dhe do ta ketë atë.

Kurse, sa i përket UNESCO-s, Murtezaj thotë se Kosova duhet të bashkëpunojë edhe me shtetet e tjera fuqishme që janë miqësore me Kosovën.

“Duhet punuar bashkë edhe me vendet tjera përkrahëse si Franca, Britania, Gjermania e vende te tjera”, shtoi Murtezaj.

Baraliu: U bë buj shumë, u punua pak për UNESCO-n

Image
Mazllum Baraliu

Nga ana tjetër, profesori universitar Mazllum Baraliu theksoi se institucionet e Kosovës bënë shumë zhurmë e pak punë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Është mjaft për të ardhur keq dhe indinjuese për institucionet e Kosovës pse nuk kanë punuar më shumë, dhe të bënin më pak zhurmë në mënyrë që siguronin votat dhe të bëheshim anëtar i UNESCO-s”,  është shprehur Baraliu për “Bota sot”.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës do të duhej të bënin më pak zhurmë në mënyrë që mos ta dinte Serbia se cilat shtete po e përkrahin Kosovën.

Ndryshe, në nëntor të vitit 2015, Kosova nuk ka arritur të marrë numrin e votave të mjaftueshme në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s për tu bërë anëtare e kësaj organizate.

Për anëtarësimin e Kosovës kanë votuar 92 shtete. Për të siguruar anëtarësimin janë dashur 95 vota. 

Ndërsa këtë vit Kosova nuk ka aplikuar për UNESCO, pasi Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj javë më parë bëri të ditur se për shkak të mos sigurimit të votave nuk do të aplikojnë fare, ku kjo nga shumë njohës dhe analist u quajt edhe dështim i madh për Kosovën.

Kujtojmë se Konferenca e përgjithshme e UNESCO-s mbahet çdo dy vjet, Kosova do të aplikojë për UNESCO tek në vitin 2019. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat