Kosova pa ambasador në Shqipëri, a po i ruhet posti Sylejman Selimit?

Politika

Kosova pa ambasador në Shqipëri, a po i ruhet posti Sylejman Selimit?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 17 tetor 2017 Në ora: 11:07
Sylejman Selimi

Ambasada e Republikës se Kosovës në Shqipëri ende vazhdon të jetë pa ambasador, ani pse ka kaluar një kohë e gjatë prej kur nga aty është larguar ish ambasadori Ramiz Lladrovci. Aktualisht ambasadën e Kosovës në Shqipëri e udhëheq i Ngarkuari me Punë në Tiranë, Sylë Ukshini.

Qeveria e Kosovës e as Ministria e jashtme nuk kanë dashur të flasin në lidhje më këtë, derisa pyetjet i janë dërguar edhe ambasadës se Kosovës në Shqipëri. Më parë është folur në media për mundësinë që ambasada e Kosovës në Shqipëri të udhëhiqet prapë nga Sylejman Selimi i cili para Lladrovcit ishte ambasador në Shqipëri.  Kujtojmë se Selimi është duke vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës pasi është shpallur fajtor nga shkalla e parë për krime të kryera gjatë kohës së luftës. Se a është vendi i ambasadorit “i ruajtur” për Selimin  dhe se pritet që ky pasi të lirohet nga burgu të ushtrojë ketë detyre mbetet të shihet pasi që asgjë zyrtare ende nuk ka.

Mungesë e përgjegjësisë diplomatike

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare  dhe politikave të jashtme kanë vlerësuar se Mungesa e ambasadorit për një kohë të gjatë nënkupton mungesë të përgjegjësisë diplomatike nga vendi i dërgimit dhe njëkohësisht mungesë respekti për vendin e pranimit. 

Sami Blakaj njohës i integrimeve evropiane ka thënë se mungesa e ambasadorit për një kohë të gjatë nënkupton mungesë të përgjegjësisë diplomatike nga vendi i dërgimit dhe njëkohësisht mungesë respekti për vendin e pranimit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, emërimi i ambasadorit në vendin përkatës kërkon pajtueshmëri diplomatike, ndërsa mosemërimi i tij nënkupton papërgjegjësi politike.

Image
Sami Blakaj

“Në rastin e Kosovës fatkeqësisht kemi të bëjmë jo vetëm me papërgjegjësi politike por edhe  diplomatike, meqenëse  diplomacia kosovare edhe  sot e kësaj dite vazhdon të jetë pa ambasador në shtetin shqiptar.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme të ambasadorëve kosovarë në Shqipëri janë vërtetë një shembull i keq për diplomacinë e njomë kosovare. Në këtë drejtim mendoj se sot Kosova i ka borxh Shqipërisë një ambasador të denjë që  ka një origjinë të mirë familjare, një edukatë të pasur diplomatike dhe qe me përgjegjësi dhe ndershmëri do kryente misionin e ambasadorit në Republikën e Shqipërisë” ka thënë Blakaj.

Po i ruhet posti Sylejman Selimit?

Asnjë nga zyrtaret e Ministrisë se jashtme të Kosovës dhe ambasadës se Kosovës në Shqipëri nuk kanë dashur të flasin në lidhje më këtë, duke kërkuar që të presim për të parë se si do të shkojnë gjera.

Me këtë ata kanë lënë të nënkuptohet se vendi i ambasadorit është i gatshëm për Sylejman Selimin.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi ka thënë se Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira midis tyre. Kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen.

Image
Enver Bytyçi

”Megjithatë Shqipëria dhe Kosova janë përfaqësuar disa herë jo me ambasadorë, por me të ngarkuar me punë në stafin diplomatik. Edhe Shqipëria ka patur rast kur nuk ka patur ambasador në Prishtinë. Ndërsa Kosova për të dytën herë nuk ka një ambasador, por një të ngarkuar me detyrën e ambasadorit, i cili në rastin konkret lidhet me emrin e zotit Sylë Ukshini, i cili zëvendëson zotin Ramiz Lladrovci”, ka thënë Butyqi, duke shtuar se performanca e zotit Ukshini është mjaft e lartë në ushtrimin e detyrës, pasi ai ka një kualifikim profesional në histori dhe diplomaci të admirueshëm dhe një përvojë mjaft të suksesshme si drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por është e nevojshme që Kosova të ketë një ambasador në Tiranë.

“Se do të jetë ky zoti Ukshini, apo dikush tjetër, ka pak rëndësi. Megjithatë është e domosdoshme ushtrimi i detyrës nga një ambasador” ka thënë ai. Sipas Bytycit janë dy arsye e para, se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të barabarta në raport në marrëdhëniet me njëra-tjetrën dhe do të duhet ta trajtojnë diplomacinë e ndërsjellët shumë seriozisht. Duke i dhënë seriozitet diplomacisë krijohen shanse për përformancë më të mirë të përfaqësimit diplomatik dhe imazh të denjë të shtetit. Së dyti, ambasadori i Kosovës në Titanë ka kontakte me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe nuk është mirë të prezantohet si mëkëmbës i ambasadorit, kur është plotësisht e mundshme të prezantohet si ambasador”, është shprehur ai.

Problemi te PDK-ja

Prandaj, Bytyqi ka thënë se difektet e rekordimeve politike dhe të marrëdhënieve midis institucioneve në Prishtinë nuk duhet t'i vuajë diplomacia e Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Nëse vuan diplomacia e Kosovës, atëherë dëmtohen imazhi dhe interesat e shtetit të Kosovës. Ndërkaq nuk duhet krijuar përshtypja se institucionet e Kosovës nuk i japin rëndësi përfaqësimit në Tiranë ose anasjelltas. Kjo krijon diskutime, hamendësime dhe interpretime që shkojnë në dëm të shtetësisë dhe legjitimitetit të institucioneve të vendit”, ka nënvizuar ai.

Kurse, analisti politik Nexhat Haziri  ka thënë se mos emërimi i ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, pas tërheqjes së Sulejman Selimit dhe përballja e tij me drejtësinë, është bërë për shkak të mos dakordimit të grupeve të interesit brenda PDK-së,  se cili nga njerëzit me afërt me presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, do të akomodohet në këtë shërbim diplomatik.

“Mbase, duhet kuptuar se ambasada e Kosovës në Shqipëri, nuk them se nuk është e rëndësishme, por, jo gjithaq prioritet, pasi kemi të bëjmë me shtetin amë dhe marrëdhëniet me Shqipërinë janë më shumë se diplomatike, janë marrëdhënieve vëllazërore, edhe pse kjo ndoshta pak mund të tingëllojë si folk patriotizëm, dhe mungesa e ambasadorit, në këtë rast të Kosovës në Shqipëri, nuk do të duhej të paraqes asnjë pengesë në zhvillimin dhe çuarjen edhe më përpara të mardhënjeve tona në çdo fushë që është në interes të qytetarëve andej e këndej kufirit” ka thenë Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat