Deputeti i Vetëvendosjes tregon se në cilat komuna do të dalin fitues

Politika

Deputeti i Vetëvendosjes tregon se në cilat komuna do të dalin fitues

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 tetor 2017 Në ora: 17:41
Fushata e Vetevendosjes

Lëvizja Vetëvendosje është partia e cila konsiderohet fituese në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Vetëvendosja ka arritur t’i fitojë shumicën e komunave, të cilat konsideroheshin bastione të partive tjera më të mëdha dhe një rezultat të tillë janë duke pritur edhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Faton Topalli, deputet i VV-së dhe njëherësh kandidat për kryetar në komunën e Ferizajit, ka thënë për “Bota sot” se  ata kanë një mbështetje maksimale të qytetarëve.

Sipas Topallit, mbështetja e qytetarëve është rritur gjatë fushatës dhe ata kanë një rezultat më të mirë se gjatë zgjedhjeve nacionale.

“Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, që nga dita e parë të fillimit të fushatës e deri më sot e deri me 20 tetor ku e kemi tubimin e madh të kryetarit, kemi pasur një fushatë jashtëzakonisht të mirë me një mbështetje maksimale të qytetarëve lagje me lagje, e fshat më fshat. Pjesëmarrja në aktivitete publike gjatë kësaj periudhe është përgjysmë më e madhe se sa gjatë zgjedhjeve nacionale ku ne në Ferizaj kemi dalë më të mirë karshi dy koalicioneve më të mëdha. Konsideroj se mbështetja e qytetarëve të Ferizajt, është rritur gjatë fushatës dhe ne kemi një rezultat më të mirë se gjatë zgjedhjeve nacionale. Gjatë kësaj kohe kemi takuar grupe të ndryshme dhe në të gjitha ekziston një entuziazëm shumë i madh dhe një nevojë e shprehur nga qytetarët e Ferizajt. Pra, jemi shumë optimizmit dhe të sigurtë që ne do t’i fitojmë zgjedhjet në Ferizaj dhe pas raundit të 22 tetorit në këtë komunë do të fillojë ndryshimi, ashtu siç do të fillojë në shumë komuna të Kosovës, ku ne jemi partia e parë dhe në komuna të ndryshme do t’i fitojmë zgjedhjet”, ka deklaruar Topalli.

Image
Faton Mehmeti

Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, ka dalë fituese në nëntë komuna gjithsej: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kamenicë, Fushë Kosovë, Kaçanik, Vushtrri, Han të Elezit dhe Viti. Shumica prej këtyre komunave konsideroheshin bastione të dy partive tradicionale, LDK-së dhe PDK-së.

Ndërsa, Topalli thotë se ata kanë mbështetje të jashtëzakonshme në të gjitha komuna të Kosovës dhe ky optimizëm vjen jo vetëm nga dëshira dhe nevoja për qeverisje të mirë, por në vlerësimet dhe angazhimet e qytetarëve.

Ai ka treguar edhe komunat të cilat kanë mbështetje të jashtëzakonshme, e që janë: Gjilani, Vitia, Kaçaniku, Ferizaji, Prizreni, Prishtina e Mitrovica.

“Ky optimizëm është në gjithë Kosovën, këtë e kanë vërtetuar qytetarët në zgjedhjet e 11 qershorit. Qytetarët e Kosovës vetëm se janë përcaktuar për ndryshime, kemi një mbështetje jashtëzakonisht të fuqishme në Gjilan, Viti, Kaçanik, Ferizaj, Prizren, Prishtinë, Mitrovicë e kështu me radhë. Ky optimizëm vjen jo vetëm nga dëshira dhe nevoja për qeverisje të mirë, por në vlerësimet dhe angazhimet e qytetarëve. Ajo çfarë më pëlqen më së shumit është unë personalisht kam kaluar disa palë të zgjedhjeve dhe ndryshimi më i madh është që përpara është ka pasur më shumë kërkesa për vende të punës, sepse janë mësuar njerëzit premtime për vende të punës. Në takime që kam zhvilluar gjatë fushatës, kërkesat kanë qenë për komunitetin, si çështja e ujit, kanalizimeve, rrugës, ambienteve të gjelbërta, komunikacionit në qytet apo lagje, përmirësim i kushteve në shëndetësi. Pra, ka ndryshuar dhe është kërkuar zgjidhja e problemeve që kapin qytetarët dhe është vetëdije e qytetarëve në kërkesa dhe ky vetëbesim na sjellë në një pozicion ku ne si Lëvizje Vetëvendosje pikërisht për programin që kemi”, ka nënvizuar Topalli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat