Rrënimi i diplomacisë, Kosova drejt izolimit me Haradinajn kryeministër

Politika

Rrënimi i diplomacisë, Kosova drejt izolimit me Haradinajn kryeministër

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 18 tetor 2017 Në ora: 09:34
Mbledhje e Qeverisë

Mospjesëmarrja e kryeministrit Ramush Haradinaj në Samitin e Shkupit është parë si gabim i pa tolerueshëm dhe veprim i cili Kosovën po e fut në izolim diplomatik.

Sipas analistëve, Haradinaj nuk ka marrë pjesë në Samitin e Shkupit për shkak që aty, ka qenë pjesëmarrës edhe kryeministri nga Mali i zi Dusko Markovic, me të cilin Kosova e ka ende të pazgjidhur çështjen e Demarkacionit.

Mirëpo, në lidhje më ketë Qeveria e Kosovës me anë të një komunikate për medie ka thënë se arsyeja e mospjesëmarrjes së Haradinajt të hënë në Samitin e Shkupit, ishte agjenda e paracaktuar në Kosovë.

Arsyetimi i Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkak të agjendës së paracaktuar në Kosovë, nuk do të mund të marrë pjesë në Samitin 100, në Shkup, të hënën, ku pritet të marrin pjesë, përveç shumë afaristëve nga Evropa Juglindore, edhe kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Pra, mos shkuarja në Shkup e kryeministrit Haradinaj nuk ka të bëjë asgjë me atë se kinse ai nuk dëshiron ta takojë kryeministrin e Malit të Zi, siç raportuan disa portale në Prishtinë”, thuhet në një komunikatë të zyrës për media të kryeministrit Haradinaj. Kryeministri Haradinaj do t’i bëjë ftesë zyrtare për ta vizituar Kosovën kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, dhe ai do ta vizitojë Shkupin në një të ardhme, porse nuk e përjashton mundësinë e vizitës edhe në Podgoricë., thuhet tutje në komunikatën e Qeverisë.

Për njohësit e rrethanave politike në vend, mospjesëmarrja në samite të tilla, pavarësisht arsyeve, e futë Kosovën në izolim diplomatik.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri: Kosova po futet gjithnjë e më shumë në një izolim diplomatik

Kështu, politologu Mentor Tahiri ka thënë se pavarësisht cilat qofshin arsyet e mospjesëmarrjes në organizime të tilla, një gjë është evidente, Kosova po futet gjithnjë e më shumë në një izolim diplomatik.

“Stërzgjatja e problemeve të brendshme, krijimi i një ekzekutivi të brishtë dhe gati paralizimi i qëllimshëm i punës së Kuvendit të Kosovës, po bën që ky izolim diplomatik të jetë i paadresueshëm. Opinioni publik në Kosovë ka arsye reale të shqetësohet për izolimin që po ia bën vendit kjo garniturë politike me apo pa qëllim. Së fundi, duket se ka edhe një nervozizëm karshi faktorit ndërkombëtarë, por në fakt rregullat janë të qarta, Kosova duhet të dëshmojë se është në gjendje të funksionojë si shtet i së drejtës duke e deklanizuar së pari skenën e saj politike e më tutje edhe segmente si ai i drejtësisë” ka thënë Tahiri”.

Sipas tij, Kabineti aktual qeverisës ka shkelur ne skenën diplomatike me amatorizëm të plotë.

“Në mungesë të konceptimit real të veprimeve konkrete diplomatike, u vazhdua me folklorizmin në relacionet Prishtinë-Tiranë dhe u bënë sfilata të diplomacisë amatoreske në Podgoricë. Gjithashtu në stazë të gjatë, ajo që duhet bërë në mënyrë urgjente për të shmangur debakle si ai me Interpolin dhe UNESCO-n, është të kuptuarit e qartë se faktorizimi diplomatik vjen vetëm pas konsolidimit politik të brendshëm dhe sundimit të ligjit. Vetëm ashtu kuptohemi seriozisht nga aleatët tanë dhe në përgjithësi në kuadër të zhvillimeve ndërkombëtare”,ka nënvizuar ai.

Sipas njohësit të integrimeve evropiane, Kosova është në rrugën e shtetndërtimit të saj dhe pjesëmarrja në samite rajonale, evropiane dhe botërore jo vetëm që është e mirëseardhur por e domosdoshme.

“Njëri prej tyre është edhe Samiti i Shkupit, i cili përveq kryeministrave nga rajoni,  përbëhet edhe nga përfaqësues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që për synim kanë bashkëpunimin rajonal dhe  lidhshmërinë në fusha dhe nivele të ndryshme shtetërore. Mungesa e Kosovës në këtë Samit është vertetë humbje për Kosovën, e cila më shumë se çdo shtet tjetër rajonal ka nevojë për bashkëpunime të tilla.  Në këtë kuptim Kosova ka humbur mundësin për të debatuar për temat e bashkëpunimit rajonal mbi energjinë, ekonominë digjitale, për strategjitë e lidhjes së rajonit dhe për nisma të përbashkëta në sferën e turizmit”, ka thënë ai.

Sipas tij, pjesëmarrja dhe diskutimi mbi këto tema sigurisht që do ti kontribuonte fqinjësisë së mirë midis Kosovës dhe vendeve për rreth si dhe do të ndikonte në mundësin e rritjes së zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e standardit jetësor për qytetarët e Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Diplomacia më e dobët që ka pasur Kosova”

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend Nexhat Haziri ka shpjeguar se mospjesëmarrja në samite siç ishte ky në Shkup dhe nisma të tjera rajonale e më gjerë ku diskutohet rreth integrimeve euro-atlantike, të projekteve të përbashkëta rajonale e dëmton Kosovën, duke e lënë që të jetë prapa zhvillimeve të këtyre proceseve e që janë mjaftë të rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane. 

“Kuptohet se  edhe tërheqja më parë  nga aplikimi ne INTERPOL dhe UNESCKO dhe tani tërheqja nga pjesëmarrja ne një samit ballkanik  dëshmon për një diplomaci të dobët që ka Kosova, lirishtë mund të themi së është diplomacia më e dobët që ka pasur Kosova që nga pavarësimi i sajë. Pozicioni i Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe subjektiviteti i sajë ndërkombëtar është jo i favorshëm, andaj duhet një diplomaci tejet dinamike për ta përmirësuar këtë pozicion dhe faktorizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe për të marrë më shumë njohje për shtetin e Kosovës” ka thënë ai, duke shtuar se kjo natyrisht kjo nuk behet duke u tërhequr nga anëtarësimi në organizma ndërkombëtar dhe duke mos marrë pjesë edhe në forume apo nisma të ndryshme rajonale që kanë për qëllim afrimin e rajonit në strukturat e BE-se apo në institucionet e tjera kredibile ndërkombëtare”, ka thënë Haziri.

Image
Islam Krasniqi

Demarkacioni?

Analisti Islam Krasniqi ka thënë se kryeministri i republikës së Kosovës z. Haradinaj e refuzoj pjesëmarrjen në Samitin  Shkupit, sepse nuk dëshiroj që ti takojë homologun e tij nga  shteti fqinje, Kryeministrin e Malit të Zi, ku problem kryesor ishte çështja e demarkacionit.

“Nuk besoj që është veprim i qëlluar i kryeministrit, sepse ne nuk mund ti ikim samiteve, konferencave  apo edhe takimeve, për shkak të vendeve fqinje, sepse ne duhet ti qojmë proceset  përpara, pa e kthyer kokën prapa, duke ju treguar edhe të tjerëve  së jemi shtet, dhe  jemi të barabartë, dhe  së kufijtë janë aty ku janë cekur me kushtetutën e  vitit  1974 dhe nuk do të lëvizin ashtu siç  kanë lëvizur dikur nëpër konferenca e takime ndërkombëtare” ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat